E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni Pacolli

Shqiptarët e bllokuar në Egjipt kanë filluar të evakuohen nëpërmjet Ambasadës së Turqisë atje dhe iniciativës së Behgjet Pacollit. Evakuimi i 163 shqiptarëve, të mbetur pa ndihmën e askujt, mbaron gjatë ditës së premte. Në Kosovë, familjarët presin me ankth lajme nga Kajroja. E enjtja atje kaloi në kaos dhe me plot viktima Nga Nebih Maxhuni më 04 shkurt 2011 në ora 08:05

Avdullah Ismaili nga Prishtina, që prej trazirave të dhunshme në Egjipt, nuk ka mundur të bëjë gjumë të rehatshëm. Kjo për shkak se vëllai i tij, bashkë me familjen dhe nënën e tyre, jeton tash e më shumë se 25 vjet në Kajro.

Avdullahu, i cili jeton në një shtëpi në lagjen Arbëria në kryeqytet, nuk lë lajme pa ndjekur për t`u informuar në gjerësisht rreth fatit të familjes së tij dhe disa familjeve tjera që jetojnë në Egjipt.

Ai në një rrëfim të gjatë për Express ka treguar se e tërë familja e tij 11 anëtarëshe është shëndosh e mirë dhe se çdo ditë dëgjohen në telefon me vëllanë e tij, Beqir Ismailin.

“Edhe sot kemi fol me të në telefon ai dhe e tëra familja janë shëndosh e mirë. Qysh na ka thonë në tel, edhe familjet tjera shqiptare janë mirë”, thotë Avdullahu. Duke cituar fjalët e vëllait nga Kajro, tregon se ai ka evakuuar familjen e tij për në Turqi dhe se aktualisht në Egjipt është vetëm Beqiri.

“Na ka tregu që nënën dhe fëmijët bashkë më bashkëshorten e tij i ka evakuuar në Turqi përmes Ambasadës turke atje”, thotë ky plak rreth të 60’ve. Ai rrëfen se vëllai i tij Beqir Ismaili ka më shumë se 25 vjet që jeton në Egjipt bashkë më familjen dhe nënën e tyre.

Beqiri është shkolluar atje dhe se jeton e punon në Kajro. Në Egjipt aktualisht janë duke jetuar rreth 50 familje shqiptare dhe 20 studentë.

Vetë Beqir Ismaili, në një prononcim për Radio Kosovën, ka thënë se qytetarët nga Kosova janë duke kaluar momente të frikshme. Ai tha se nga Qeveria e Kosovës janë duke pritur ndihmë për t’u larguar nga Egjipti.

Dhjetëra qytetarë të Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar në Kajro dhe qytete të Egjiptit në pamundësi për t’u larguar nga vendi, për shkak të trazirave të dhunshme që kanë përfshirë këtë vend.

Prof. dr. Beqir Ismaili tha për Radio Kosovën se aktualisht në Egjipt ndodhen më shumë se 70 shqiptarë dhe ata po presin ndonjë ndihmë nga Kosova.

”Grupin e parë që e kemi larguar është përmes Ambasadës turke për në Stamboll. Kurse nga Maqedonia kanë mbet 15 studentë, 8 studentë do të shkojnë sot për në Bosnjë e Hercegovinë, kurse të tjerët nuk kanë pranuar sepse janë edhe me familje e fëmijë të vogël dhe presim ndonjë ndihmë nga Kosova”, ka thënë ai.

Profesor Ismaili tha se aktivizimi i internetit dhe linjave telefonike të enjten e ka lehtësuar mundësinë e komunikimit mes kosovarëve.

Ndërkaq, gazeta ka mësuar emrat e disa kosovarëve që janë në Egjipt.

Njëri nga ta që është me gruan dhe fëmijën e tij është Burim Dalipi, i lindur më 22 janar 1979, nga Prishtina bashkë më gruan e tij Lule Ukën dhe vajzën Melika Dalipi.
Gazeta ka kontaktuar me mikun e tij Blerim Ukën, i cili ka thënë se ka folur me motrën dhe dhëndrin e tij dhe se ata janë shëndosh e mirë.

Uka ka thënë se biznesmeni i njohur kosovar Behgjet Pacolli është angazhuar për evakuimin e shqiptarëve që gjenden ne Egjipt.

Pa ndihmën e askujt

Ky lajm më pas është konfirmuar rreth orëve të pasdites edhe nga vetë Behgjet Pacolli për Express. “Ata kanë mbetur pa ndihmën e askujt, normalisht që iu kam dalë në ndihmë”, ka thënë Pacolli për Express.

Pacolli, kryetar i AKR`së, ka thënë po ashtu se tashmë janë identifikuar mbi 163 shqiptarë që jetojnë në Egjipt dhe Kajro dhe se evakuimi i tyre pritet të fillojë të enjten në mesnatë.

“Grupi i parë do të niset sonte në orën 3 e mëngjesit, grupi i dytë në 5 të mëngjesit dhe kështu do të vazhdojë evakuimi”, ka thënë Pacolli i cili aktualisht është në SHBA.
Ai ka thënë se e ka pasur vështirë të angazhojë kompani, por ka arritur të bëjë këtë për shkak të gjendjes në Egjipt.

“Shqiptarët do të evakuohen në Dubai, Turqi e vende të tjera ku do të jenë të sigurt”, ka thënë ai.

Lajmin se Pacolli u ka dalë në ndihmë shqiptarëve që gjenden në Egjipt e ka konfirmuar edhe vetë AKR`ja. “Z. Behgjet Pacolli ka ndërmarrë një iniciativë që nga dita e sotme për evakuimin e të gjithë shtetasve kosovarë, të cilët janë identifikuar, rreth 160 persona, që ndodhen në Egjipt për studime apo veprimtari të ndryshme. Pjesa e parë e të evakuarve janë familje me fëmijë nga Kajro dhe Aleksandria, të cilët gjatë natës së sotme do të tërhiqen nga Kajro me aeroplan dhe do të mbërrijnë nesër në Kosovë”, thonë zyrtarë të AKR`së.

Sipas këtyre zyrtarëve, evakuimi i pjesës tjetër do të vazhdojë edhe me datën 4 shkurt deri në pasditen e datës 5 shkurt 2011.

“Behgjet Pacolli i ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e nevojshme për evakuimin dhe sigurinë e të gjithë shtetasve të Kosovës që ndodhen në Egjipt”, thonë zyrtarë të kësaj partie.

Angazhohet edhe MPJ
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftoi të enjten se po punohet për evakuimin e shtetasve tashmë të paraqitur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara. Ndërkohë që Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, nëpërmjet Ambasadës së saj në Kajro, ka shprehur gatishmërinë të marrë përsipër pritjen dhe dërgimin për në Turqi të shtetasve të Kosovës që gjenden në Egjipt. Në njoftimin e MPJ-së thuhet se zyrtarët e kësaj ministrie po e ndjekin me vëmendje rrjedhën e ngjarjeve të fundit në Egjipt dhe udhëzuan qytetarët e Kosovës me qëndrim në Egjipt që të kthehen në vend. Në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Egjiptit, MPJ e Kosovës po vepron nëpërmjet kanaleve të saj diplomatike në vendet e afërta që t’i ndjekë nga afër zhvillimet e situatës. “Ministria e Punëve të Jashtme i ka dhënë prioritet të lartë evakuimit të qytetarët tanë nga Egjipti. Mënyra më e drejtpërdrejtë është që qytetarët e interesuar të kontaktojnë me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Kajro dhe me ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara”, thonë zyrtarët e MPJ`së.
Kontaktet e ambasadës së Kosovës në Ankara janë: embassy.turkey@ks-gov.net; Tel: +90 312 446 70 54; Fax: +90 312 446 70 55.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›