Tragjedia e Tisas, dëshmojnë familjarët
Shkëlzen Agushi u paraqit jo pa emocione të enjten para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Ai dha dëshminë e tij në lidhje me tragjedinë e lumit Tisa, ku ka humbur jetën vëllai i tij Ilir Agushi dhe 14 kosovarë tjerë, më 15 tetor të vitit 2009.
Shkëlzeni, i cili tash e 14 vjet jeton në Gjenevë të Zvicrës, sqaron detajet se si ka ardhur deri te nisja e vëllait të tij për në Perëndim.
Siç dëshmoi Shkëlzen Agushi, vëllai i tij kishte ndarë mendjen për të shkuar jashtë Kosovës dhe për këtë duhej gjetur njerëz që ta dërgonin atë jashtë në mënyrë ilegale.
Për këtë ishte përkujdesur Shkëlzeni, i cili në Gjenevë kishte kontaktuar me një bashkëfshatar të tij nga Zhegra, Kadrush Ajvazi. Ky i fundit është vëlla i njërit nga të akuzuarit Rabit Ajvazi. Kjo familje kishte arritur që në mënyrë ilegale t’i dërgonte në Zvicër disa familjarë të tyre.
Shkëlzeni, përveç me Kadrushin, kishte rënë në kontakt edhe me Blerim Ademajn (edhe ky i akuzuar) për të biseduar mënyrën se si ta sillnin në Zvicër Ilirin. Por, dëshmitari nuk i akuzoi asnjërin nga të akuzuarit për shkak se, siç tha ai, këta nuk kanë faj.
“Bile këta më kanë thënë që mos të ngutem njëherë, por vëllai kishte vendosur që të nisej. Pasi që ka vendosur Blerimi e ka dërguar te shtëpia ime vëllanë e tij Shpëtim Ademajn, i cili me veturë e ka çuar deri te disa taksistë në Gjilan”, tha Shkëlzen Agushi.
Ai tha më tutje se ishte në kontakt me vëllanë e tij deri tri orë para se të ndodhte tragjedia. Siç i kishte thënë vëllai i tij tanimë i ndjerë, organizatori kryesor ishte një person me emrin Anton. Për tragjedinë që ka ndodhur, Shkëlzeni thotë ta ketë kuptuar tek të nesërmen, pra më 16 tetor.
“Kam filluar të interesohem kur nuk ka mbërritur në Zvicër në kohën kur ka pasur për të ardhur”, thotë Shkëlzeni. Së bashku me Blerim Ademajn thotë se i kanë telefonuar menjëherë Antonit(Gecaj), i cili fillimisht u ka thënë se udhëtarët i ka zënë policia kufitare. Më vonë, pas shumë peripecive, thotë se ka dëgjuar se është përmbysur një varkë në lumin Tisa.
Shkëlzen Agushi thotë se për ta dërguar në Zvicër vëllanë e tij i janë kërkuar 3 mijë euro. “2500 euro ka pas me i dhanë baba në Kosovë, ndërsa 500 euro kam pas me i dhënë unë kur të ma sjellin Ilirin këtu”. Në pyetjen se kujt ka pas me ia dhënë ato të holla, Shkëlzeni thotë se ai ka pasur t’i japë shoferit që do ta sillte Ilirin, ndërsa nuk është në dijeni se kujt ka pas t’ia dorëzojë paratë tjera babai i tij.
Avokati i Blerim Ademajt, Gëzim Kollqaku e ka pyetur dëshmitarin nëse klienti i tij ka përfituar diçka nga kjo. Dëshmitari e ka mohuar këtë gjë. Ky dëshmitar tha se Blerim Ademaj ka qenë garantues për familjen e tij nëse nuk i dorëzohen të hollat Anton Gecajt. Ai dëshmon se ka qenë prezent kur Blerim Ademaj ka biseduar me Anton Gecajn dhe ky i fundit ka premtuar se ata që udhëtojnë me të kanë për të ecur vetëm dy orë këmbë. “Unë kam pranuar që jo dy orë, po 24 orë, s’ka dert vetëm që mos t’i shtyjnë të kalojnë nëpër lumin Tisa. E di se vetë kam kaluar nëpër atë lum në vitin 1997 dhe e di se është i rrezikshëm”, sqaron Shkëlzen Agushi.
Dëshmi të tjera
Në seancën e dytë në lidhje me rastin Tisa ka dëshmuar edhe Besim Haxha nga Mitrovica. Ky dëshmitar ka treguar se ka qenë prezent kur Florim Ademi ka lidhur marrëveshje me të pandehurin Ismet Rama, që gjendet në arrati, për ta dërguar atë dhe familjen jashtë vendit. Sipas këtij dëshmitari, Ismet Rama i ka kërkuar 7 mijë euro Florim Ademit, por i ka thënë se paratë duhet t’i jepen pas mbërritjes në Austri. Florim Ademi ka humbur jetën së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij në tragjedinë e lumit Tisa.
“Më kujtohet se i ka thënë nuk keni me ecë më shumë se dy-tre orë dhe nuk u përmend se duhet të kalojnë ndonjë lum”, ka dëshmuar Besim Haxha. Të enjten kanë dëshmuar edhe dy dëshmitarë, të afërm të viktimave.
Të akuzuarit
Për tragjedinë e Tisës akuzohen: Avni Hajdari (1980) Shpejtim Ademaj (1980), Fatmir Pajaziti (1968), Xhemajl Halilaj (1953) Shaip Selmani (1961), Ismail Krapi (1980), Rabit Ajvazi dhe Blerim Ademaj. Prokurori special, Besim Kelmendi, akuzon këta persona se, duke vepruar si grup i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, financiare dhe duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e emigrantëve, në bashkëpunim me të pandehurit Anton Gecaj – Kirzsan dhe Ismet Rama, të cilët gjenden në arrati, kanë kontrabanduar shtetas të Kosovës.