E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet pas tri ditësh 13-vjeçarja e mbytur në lumin Shushicë

Pas tri ditë kërkimesh gjendet trupi i pajetë i 13-vjeçares të rrëmbyer nga ujërat e lumit Shushicë. Pas shumë kërkimesh prej banorëve të fshatit Gjormë dhe palombarëve, e mitura është gjetur dje rreth 10 kilometra larg nga vendi ku ka humbur. Trupi pa jetë i vogëlushes është gjetur në afërsi të fshatit Kotë, ku kalon rrjedha e lumit Shushicë. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës së kaluar, kur dy fëmijët e familjes Memushi nga fshati Gjorm i Vlorës, njëri 15 dhe tjetri 13 vjeç, ishin duke u kthyer nga arat që kjo familje ka në lindje të fshatit. Të dy fëmijët, të hipur në një kalë, kanë tentuar të hidhen në bregun tjetër të lumit, mbi vendin e kalimit që përdornin gjithmonë e që ndodhet në afërsi të fushës së shkollës së fshatit. Por kali, së bashku me fëmijët është penguar dhe tërhequr nga rryma e fuqishme e ujit. Djali mundi të dalë në anën tjetër të lumit me not, ndërsa vajza është rrëmbyer nga rrjedha e lumit.

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›