Presidenti, dhurata për të moshuarit dhe fëmijët e Durrësit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shmangur mesazhet politike në këtë fundviti, ndërsa ka qenë në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë dhe Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Durrës. Kreu i shtetit tha se mesazhet dhe zgjidhjet e krizës do të mbeten për vitin në vazhdim dhe se atmosfera festive nuk duhet të cenohet prej tyre. Në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë, ku strehohen 54 persona që kalojnë aty vitet e moshës së tretë, Presidenti, i shoqëruar nga bashkëshortja Teuta Topi, shpërndau dhurata për çdo të moshuar, si dhe dhuroi dy kondicionerë për institucionin, për të përballuar të ftohtin. Një nga të moshuarat, rezidente prej 10 vjetësh në azilin e Kavajës, vuri në dijeni Presidentin se kaldaja nuk punonte dhe se ngroheshin me bombola gazi, që janë të rrezikshme. Topi ndërkohë e vuri theksin në nevojën që ka ky brez për mbështetjen nga shteti. Më pas ai u ndal me të tjera dhurata, kryesisht lodra të ndryshme për 33 fëmijët dhe adoleshentët me aftësi të kufizuara që trajtohen në Qendrën e Durrësit, ku një prej tyre, Hermes Baçe, nga Korça, i dhuroi për festat e këtij fundviti një poezi kushtuar Shqipërisë, të cilën e kishte krijuar vetë. Në dy takimet festive, Presidenti u shoqërua dhe nga krerët e pushteteve lokale të Durrësit e Kavajës, si dhe deputeti i Durrësit, Gazmend Oketa. Topi tha se fëmijët, veçanërisht ata me aftësi të kufizuara dhe mosha e tretë, duhet të marrin kujdesin e plotë të shtetit dhe veçanërisht në raste festash duhet të tregohet më shumë kujdes ndaj tyre dhe njerëzve në nevojë, të cilët duhet të ndjejnë që nuk janë vetëm.
Va.Qy.