Durrës, nis shpërndarja e shpërblimeve për pensionistët
Ka nisur në Durrës shpërndarja e shpërblimit të pensionistëve për festat e fundvitit. Ndonëse modest për të përballuar nevojat e tyre dhe aq më pak për të festuar, pensionistët e parë që kanë pasur edhe ditën e pensioneve kanë nxituar ta marrin atë. Burime nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Durrës bënë të ditur se efekti financiar për këtë shpërblim në rajonin e Durrësit është 116.237.500 lekë. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe të shpërblimit, është hartuar një grafik që mundëson shpërndarjen deri në ditën e fundit të dhjetorit. Në Durrës do të marrin shpërblimin e përgjysmuar të fundvitit, në krahasim me atë të një viti më parë, 46,495 pensionistë ku përfshihen personat që marrin pension pleqërie, invaliditeti, pension familjar dhe pensione të posaçme. Për të gjithë ata që u ka kaluar data e pensionit, shpërblimet do të ndahen nga ora 13:00 deri në orën 20:00 të çdo dite në vazhdim.
Va.Qy.