KRT, "OK" planit rregullues të qytetit
Pogradeci është një nga qytetet ku ndihet mungesa e një harmonie mes aspektit urban karakteristik dhe atij modern. Për të disiplinuar ndërtimet, por edhe për të ndarë zonat me karakter historik dhe tradicional nga pjesa që do të jetë në vijimësi me ndërtesa moderne, Bashkia e Pogradecit ka miratuar tashmë planin rregullues të qytetit. "Në rast se një plan rregullues do të ishte zbatuar 20 vite më parë do të kishte një disiplinim më të madh mes ndërtimeve dhe harmonizim mes objekteve ekzistuese që i përkasin zonës historike dhe pjesës së zgjerimit me hapësirat e reja ku aktualisht dominojnë ndërtesat e larta dhe me karakter modern", ka thënë kreu i bashkisë, Artan Shkëmbi. Plani i ri rregullues i qytetit, që është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, parashikon sistemimin e rrugëve, krijimin e shëtitoreve, bulevardet, segmentet me korsi të veçanta për mjetet dhe biçikletat, përmirësimin e sistemit të kanalizimeve dhe ruajtjen e zonës muzeale. "Zbatimi i planit të ri rregullues do të gërshetojë ndërtimet moderne me zonën historike. Aty ku ka ndërtime të larta do të kryhen ndërtime moderne për të harmonizuar aspektin arkitekturor dhe urban, duke krijuar një kompleks ndërtimesh bashkëkohore. Ndërsa në zonën historike dhe muzeale që është zonë e mbrojtur, ndërtimet do t‘i përshtaten karakterit të kësaj pjese, bashkë me infrastrukturën rrugore. Sipas kreut të bashkisë po synohet që Pogradeci të jetë një qytet modern dhe sa më tërheqës për vizitorët dhe qytetarët e tij. Sipas pushtetit vendor pritet që me zbatimin e planit rregullues, komplekset e ndërtimit të jenë sipas karakteristikës së zonës ku ndërtohen, duke mbrojtur zonën muze nga ndërtesat e larta.
J.Dhimitri