E Diel, 1 Nëntor 2026

QKR: Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 18 mijë biznese të reja

Rreth 18 mijë biznese të reja janë regjistruar gjatë vitit të kaluar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Ndërsa në vitin 2007, kjo shifër ka qenë saktësisht 13.285, gjë që tregon për shtimin e interesin të biznesit shqiptar në hapjen e sipërmarrjeve të reja. Një fakt të tillë e ka deklaruar dje për mediat, drejtori i QKR-së, Tom Kola. Duke informuar mbi përparimin e biznesit shqiptar gjatë vitit 2008 në krahasim me 2007, Kola tha se "gjatë vitit 2008 u regjistruan pranë këtij institucioni 17.773 biznese të reja, ndërsa 13.285 biznese në 2007, pra 4.488 biznese më shumë se një vit më parë". Duke sqaruar lidhur me çregjistrimet që kryhen pranë QKR-së, Kola u shpreh se "çregjistrimet nuk kanë të bëjnë me falimentimin. Gjatë vitit 2008 janë çregjistruar 676 biznese , ku 60 % e të cilave, pra rreth 400 biznese janë shndërruar nga persona fizikë në persona juridikë".

"Pjesa tjetër e mbetur e shifrës prej 676 bizneseve pra 20 % ka të bëjë me transferime të bizneseve nëpër familjarë për arsye të tyre, ndërsa pjesa tjetër rreth 130 janë persona që kanë emigruar. Këto të dhëna janë bazuar mbi pyetjet e përgjigjet, që kanë dhënë këto biznese gjatë momentit të aplikimit pranë QKR-së", tha drejtori i këtij institucioni.

Ndërsa lidhur me avancimin e procedurave të regjistrimit të biznesit gjatë vitit 2009, Kola u shpreh se "në bazë të statistikave të viteve 2007-2008 parashikoj që edhe gjatë këtij viti të ketë të njëjtin ritëm rritjeje, gjë që është shumë pozitive për ekonominë shqiptare".

Duke përfunduar se këto etapa rritje nëpër të cilat ka kaluar biznesi shqiptar në vitin 2008 nuk mund të përkthehen kurrsesi si krizë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›