I kënaqur me zgjedhjen

Flamur Kastrati po stërvit rregullisht me ekipin e tij të ri, VfL Osnabruck, ku u huazua për gjashtë muaj nga kampioni i Holandës, Twente.
‘Drogba i ri’, ashtu siç e quajnë sulmuesin kosovar, duke e krahasuar me sulmuesin e Chelseas, nuk është aspak pishman që pranoi t’i bashkohet ekipit nga Bundesliga 2 gjermane. Ai e sheh ligën e dytë gjermane si mundësi të mirë për t’u zhvilluar si futbollist.
“Kjo që e kam bërë është ekzakt gjëja e duhur. Këtu mund të zhvillohem në vazhdimësi dhe e pres me padurim fillimin e pjesë së dytë të kampionatit”, deklaroi për uebfaqen noz.de, futbollisti kosovar me pasaportë norvegjeze.
Kastrati ka mbetur i impresionuar me atmosferën e krijuar nga fansat e Osnabruckut në përballje me Ingolstadtin, më 19 dhjetor të vitit që shkoi. Ai ishte i pranishëm në tribunë. “Këtu ka pasionantë të mëdhenj të futbollit”, thotë 19-vjeçari, i cili ka kontratë me Twenten deri në vitin 2012.
Kastrati, i cili këtë sezon ishte ulur në bankinën e Twentes gjashtë herë, duke përfshirë këtu edhe Ligën e Kampionëve, kryesisht në vjeshtë luajti me ekipin e të rinjve, U23 të Twentes.
Ish-sulmuesin e ekipit Skeid e ka lavdëruar trajneri i Osnabruckut, Karsten Baumann. “I shpejtë, i fortë një kundër një dhe me sy të mprehtë për golin. Fakti se kemi një lojtar të kategorisë së tillë është një hap përpara për ne”, thotë Baumann.
Menaxheri i klubit, Lothar Gans, i cili e përcjell me kujdes futbollin holandez në vitet e fundit, deklaron se Twente e ka ditur fort mirë se ku duhet ta huazojë futbollistin. “Këtu nuk kemi të bëjmë me çështje parash apo interes financiar. E gjitha është për zhvillimin optimal të futbollistit”, tha Gans.
Kastrati ishte transferuar në Twente në vitin 2009. Klubi holandez, ku luan edhe futbollisti tjetër kosovar, Emir Bajrami ia kishte paguar 350 mijë euro ekipit Skeid nga Oslo, për futbollistin kosovar.