Sezonet e stërzgjatura

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Sepp Blatter e ka kritikuar sërish numrin e ekipeve në disa nga ligat evropiane, duke përfshirë këtu edhe Anglinë e Spanjën. 74-vjeçari nënvizon se kohëzgjatja e disa kampionateve mund të rezultojë me efekte negative në futbollin ndërkombëtar.
Zvicerani kritikoi periudhën e gjatë të ndeshjeve në ligat kombëtare që kanë 20 ose më shumë ekipe, duke i ftuar ato që ta zbresin numrin e ekipeve në 18 ose edhe më pak, për ta evituar kështu orarin e ngjeshur dhe lodhjen e futbollistëve.
“Në këndvështrimin tim dhe në atë që pajtohet edhe Michel Platini (presidenti i UEFA-s), ligat kombëtare janë shumë të gjata, sepse atje ka shumë ekipe dhe shumë ndeshje”, tha Blatter.
“Ekipet në ligat me 20 klube i zhvillojnë 38 ndeshje, ndërsa në mes të tyre ata gjithashtu kanë edhe ndeshje të Kupës kombëtare dhe ndeshje ndërkombëtare. Ky fakt krijon konflikte ndërmjet ekipeve kombëtare dhe klubeve, disa prej të cilave ankohen se lojtarët rikthehen të lodhur dhe të lënduar. Ky nuk është gabim i kalendarit ndërkombëtar, por është një problem që duhet të diskutohet”, vazhdoi ai.
Blatter gjithashtu diskutoi edhe për rolin e ‘Task Force Football 2014’, që është krijuar vitin e kaluar me qëllim që t’i vlerësojë mënyrat e përmirësimit të këtij sporti, para Botërorit Brazili 2014.
“Objektiv i tij është që t’i vlerësojë evenimentet dhe mënyrën se si organizohen ndeshjet. Për momentin, tri pikë jepen për fitore dhe një për barazim. Kjo është diçka që mund ta diskutojmë dhe më pas të vendosim nëse është një gjë e mirë ose jo. Pastaj, a është ‘Extra-Time’ opsioni i vetëm që kemi kur një ndeshje përfundon baras? Dhe, nëse e heqim ‘Extra Time’ (lojën shtesë), si do t’i përfundonim ndeshjet? Janë shumë gjëra që mund t’i diskutojmë”, vazhdoi presidenti Blatter.
Përpos këtyre, ‘Task Force Football 2014’ do të diskutojë edhe për ‘Golden Goal’ (golin e artë), pasi që ka njerëz që e pëlqejnë atë, e ka prej tyre që nuk e pëlqejnë.