I kërkojnë Presidentes të mos e nënshkruajë Ligjin për vlerat e luftës

“Nëse ligji nuk do të kthehet në rishqyrtim dhe kërkesat tona do të injorohen, atëherë Këshilli Drejtues si organ më i lartë i OVL të UÇK-së, do të merr vendimin për formën e shprehjes së pakënaqësisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga OVL e UÇK-së.
Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre, është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Një ditë pas miratimit të ligjit, përfaqësuesit e shoqatave të luftës, kanë shprehur kundërshtimin e tyre për këtë ligj, duke kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga që mos ta nënshkruajë, por ta kthejë edhe njëherë në Kuvend dhe në kuadër të tij të futen edhe beneficionet dhe të drejtat e veteranëve të UÇK-së.
Drejtuesit e shoqatave të luftës kundërshtojnë nenin 12 të ligjit të miratuar në Kuvend në të cilin thuhet se do të nxirret ligj i veçantë për veteranët. Ata thonë se këto shoqata janë një trup, një organizëm që ka vepruar edhe në kohën e luftës dhe ndarja e tyre është e pamoralshme, e palogjikshme dhe e pakuptimtë.
Po ashtu, shqetësim tjetër i përfaqësuesve të shoqatave të luftës është edhe trajtimi i veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, si raste sociale dhe përkufizimi i kohës për dëshmorët dhe veteranët e UÇK-së, vetëm në periudhën 1997-1999, ngase sipas tyre, në këtë mënyrë mohohet një pjesë e historisë së luftës së UÇK-së.