E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje rikujton vjedhjen e votave

Një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të mbajtura me 12 dhjetor të vitit 2010, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të hënën në mbrëmje realizuan një aksion simbolik, me ç’rast me anë të një projektori të vendosur pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, përkujtuan manipulimet që janë bërë me vota në atë proces zgjedhor.

Pas një komunikate që lëshuan për media me titull “Një vit nga vjedhja masive e votave”, aktivistët e Vetëvendosjes edhe nëpër shi kanë dal në sheshin e Prishtinës, afër ndërtesës së Qeverisë dhe me projektor kanë prezantuar të gjeturat e tyre lidhur me manipulimet që janë bërë në zgjedhjet e fundit.

Kënga dhe slogani i Partisë Demokratike të Kosovës “Së pari Kosova”, si dhe premtimet e kryeministrit Hashim Thaçi të bëra para elektoratit i shoqëronin vazhdimisht pamjet e dokumentuara të Vetëvendosjes.

Aktivisti, Dardan Molliqaj në një deklaratë për medie ka thënë se vota e manipuluar e dhjetorit 2010 edhe sot po përkthehet në koncesione të kësaj Qeverie ndaj Serbisë dhe humbje të pasurive që do të mund të shërbenin për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kjo vjedhje, pas një viti i jep një kuptim gjithë asaj çka ka ndodhur për shkak se tregon që Qeveria e Kosovës e tashmja, pra përmes Partisë Demokratike dhe partive tjera pjesëmarrëse kanë pasur për qëllim ta vjedhin vullnetin e popullit, jo vetëm për të ardhur në pushtet, por për të vazhduar vjedhjen e parave të qytetarëve të Kosovës dhe për të vazhduar degradimin politik dhe institucional në Kosovë”, ka thënë Molliqaj.

Sipas Molliqajt, ka pasur përmbi 5000 raste që janë denoncuar për vjedhje të votave në gjykatat dhe prokuroritë komunale, ndërsa vetëm 1 për qind e tyre tashmë janë proceduar.

Molliqaj konsideron se ky fakt dëshmon që edhe përmes institucioneve po inkurajohen vjedhësit e votave që në zgjidhjet e ardhshme t`i përsërisin të njëjtat veprime si të 2010-tës.

Mirëpo ai ka premtuar që Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me organizmat relevant siç është edhe shoqëria civile dhe qytetarët nuk do të lejojnë një vjedhje të tillë të votave në zgjedhjet e ardhshme. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›