I kërkuar për vrasje, ndalohet në Angli Selami Çokaj
Policia britanike ka ndaluar Selami Çokajn, i cilësuar si një prej kriminelëve të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, i cili kishte arritur që të fitonte azil politik me identitet të rremë. Sipas revistës prestigjioze britanike "Mirror", hetuesit e kanë ndaluar 34-vjeçarin, i cili kishte 11 vjet që jetonte në Angli. Çokaj, i cili iu ka shpëtuar prangave, pasi u arratis nga burgu në trazirat e vitit 1997, akuzohet për vrasjen e një personi në vitin 1994, si dhe për kryengritje të armatosur e vendosje eksplozivi. Sipas mediave britanike, 34-vjeçari ka ndërruar emrin dhe njihet në Angli me një tjetër identitet, Valtron Gashi. Referuar mediave britanike, tani për tani nuk mund të bëhet ekstradimi i tij pa u vërtetuar identiteti, pasi ka fituar azil politik në Angli vite më parë. Ai është një nga 100 kriminelët më të kërkuar të Evropës, që jeton në Angli me identitet fals. Pëllumb Seferi, shef i Interpolit shqiptar thotë se "Selami Çokaj është një ndër njerëzit më të kërkuar, sepse akuzohet për një sërë veprash penale". “Ne kemi punuar për 11 vjet për të ekstraduar shtetasin Çokaj”, - shtoi ai. Sipas tij, dy oficerë të Interpolit kanë qëndruar për dy muaj në Londër-port dhe në momentin e fundit kur do kryhej ekstradimi, autoritetet thanë se ai është azilant politik. Ai i ka treguar policisë britanike se është shtetas kosovar. Ndërkohë vetë Çokaj ka deklaruar për “Sunday Mirror” se “është një gabim që ka ndodhur me identitetin tim dhe se unë nuk jam vrasës”. Pra, ai mohon të jetë Selami Çokaj. Ai banon në lokalitetin Nots të Anglisë dhe lëviz lirisht në gjithë shtetin. Qyteti shtrihet në verilindje të zonës qendrore të Anglisë dhe kufizohet nga Lejçestershajër në jug, Linkolnshajër në lindje, Jorkshajër në veri dhe Derbishajër në perëndim. Edhe në muajin mars të vitit 2008, policia angleze kreu arrestimin e tij, ndërsa Interpoli shqiptar u përpoq që ta ekstradonte. Sipas mediave angleze, personi që dyshohej se ishte Çokaj, ishte i martuar dhe me katër fëmijë. Ai kishte ndërtuar një biznes të tijin aty. Ai ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2006 dhe që prej atëherë jeton me gruan dhe fëmijët në Mansfield. Në deklaratat e tij, personi i dyshuar shprehet se kanë qenë shqiptarë xhelozë, të cilët të shtyrë nga suksesi i arritur nga ai në biznes, që kur u shpërngul në Angli nga Kosova 11 vjet më parë, kanë shkaktuar këtë rrëmujë. Sipas “kosovarit”, e vetmja ngjashmëri midis tij dhe Çokajt është se ata kanë ditëlindjen në të njëjtën datë. Në deklaratat e tij ai është shprehur se “nuk është Selami Çokaj dhe nëse e dërgojnë nga Anglia në Shqipëri, jeta e tij do të rrënohet përfundimisht”. Miqtë e tij anglezë paguan një garanci prej 100.000 paundësh për të bërë të mundur që ai të lihej i lirë nga burgu. Por, gjatë kësaj kohe, “kosovari” ka shkuar dy herë në ditë në stacionin e policisë të Mansfield-it për t’u paraqitur.