Prokuroria: Zyrtarë të penduar, kundër Tunxh Vatnikajt
Pendohen dhe zbërthehen para oficerëve të Policisë Gjyqësore pjesa më e madhe e vartësve të ish-kreut të AKKP-së, Tunxh Vatnikaj. Të penduarit e dosjes, me dëshmitë e tyre të dhëna para oficerëve të njësisë Task-Forcë, kanë fajësuar ish-drejtuesin e tyre, duke e akuzuar atë se u ka kërkuar të firmosin mbi procedurat e kalimit të pronës prej 48 hektarësh në Plazhin e Gjeneralit, madje duke i nxitur ata që ta kalojnë sa më shpejt si procedurë kthimin e kësaj prone. Dëshmia e këtyre zyrtarëve, tashmë nën hetim së bashku me grupin tjetër të kryesuar nga ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, i është administruar fashikujve hetimorë dhe shumë shpejt pritet që kjo dosje të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Dosja, sipas burimeve zyrtare të grupit hetimor, është në përfundim dhe priten vetëm disa analiza për disa pika të veçanta dhe më pas do bëhet komunikimi i akuzave për 10 personat nën hetim dhe më pas gati për gjykim. Sipas burimeve nga organi i akuzës, ish-kreu i AKKP-së është munduar që në fillim që fajësinë për kalimin e kësaj prone t’ua atribuojë vartësve të tij, duke u shprehur se nuk kishte dijeni për çështjen dhe më pas ka thënë se procedura ishte realizuar nga vartësit e tij dhe nga Agjencia Rajonale e Kthimit të Pronave të Tiranës. Mirëpo, kanë qenë ish-vartësit që me deklarimet e tyre kanë shtuar provat kundër tij, të cilat kanë pasur, sipas burimeve zyrtare të akuzës, përputhshmëri me përgjimet e bëra gjatë hetimit 3-mujor. Madje, gjatë hetimeve, prokurorëve u ka dalë në pah edhe një tjetër fakt, se disa ish-vartës të Vatnikajt nuk kanë pranuar ta kalojnë këtë procedurë, duke mos iu nënshtruar urdhrave të shefit të tyre, qoftë edhe duke rrezikuar vendin e punës. Shkak, sipas dëshmisë së tyre, është bërë konstatimi se këto dokumente kanë qenë të falsifikuara. Për këtë arsye, ata janë hequr nga puna me urdhër të ish-kreut Vatnikaj. Sipas hetuesve të kësaj çështjeje, bëhet fjalë për kërkesën e kthimit të pronës të hartuar në emër të ish-pronarëve Nexhmi e Jonuz Shijaku, dokumentet e vjetra të pronësisë dhe plan-vendosjen e sipërfaqes së tokës. E gjithë përmbajtja e dosjes ka qenë e falsifikuar, ndërsa mbi këtë dokumentacion, AKKP ka miratuar procedurën dhe ka vendosur kthimin e pronës, ndërkohë që Hipoteka e ka regjistruar atë, ndërsa topografët kanë bërë verifikim të rremë në terren, duke zhvendosur tokën në dokumente, nga Mali i Robit tek Gjiri i Gjeneralit. Sipas burimeve nga akuza, në emër të ish-pronarëve të familjes Shijaku, është aplikuar duke falsifikuar firmat e anëtarëve të familjes dhe avokatëve të tyre në "testament". Nënshkrimet janë falsifikuar jo vetëm në kërkesën e aplikimit për kthimin e pronës (qershor 2008), por edhe në dokumentet e vjetra, mbi të cilat pretendohej njohja e titullit të pronësisë në emër të familjes Shijaku, e cila nuk kishte dijeni fare për këtë proces.