E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtar unik në letrat tona



Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet jo si prozatori më i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit, por si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja.

“SOS” është një trazim i së vërtetës me përrallën, e surreales me të prekshmen, e fantazisë me të përditshmen, çka krijon te lexuesi një kompleksitet ndjesish, që shilarsojnë mes dhembjes e qeshjes, mes habisë mosbesuese dhe identifikimit me karakteret, mes kureshtjes e libërimit katarsiastik. Këto lloj ndjesish të një peizazhi me kaq variacione e kaq larg monotonisë, lexuesi me fat arrin t'i përftojë veç nga veprat më cilësore. Dhe si çdo letërsi e nivelit të lartë, romani ka një humor të jashtëzakonshëm, që vjen sa në mënyrë të natyrshme, aq dhe të papritur. Ky libër ka gjithashtu dritë, një dritë që depërton ngado përmes hijeve dhe është përplot përfytyrime njerëzore. Falja e buzëqeshjeve është një gjetje e kalibrit të letërsisë së madhe, asaj që duke lindur nga një pendë e vend i caktuar, mbart shpirt dhe vlera universale.

“SOS” është një roman që i çon më tej librat e Zija Çelës. Për ku? Te letërsia që mbetet letërsi. Tek ajo letërsi që i lëshon ca SOS-e, alarme sekrete, shpirtit njerëzor. Është shpërblimi i atyre shkrimtarëve, të cilët janë të preokupuar që të mbesin vetëm shkrimtarë e asgjë më shumë. Por dhe asgjë më pak se kaq.

Romani i tij paraardhës, “Las Varrezas”, thellësisht shqiptar e po aq universal, është një kryevepër e groteskut dhe e tragji-komizmit letrar. Një roman krejt i veçantë nga gjithë çfarë kemi lexuar deri më sot në letërsinë shqipe. Një shkrepje e rrallë, fort e rrallë, një nga ato gjetjet me të cilat edhe autori më fatlum mund të ndeshet një herë në njëqind vjet.

Romani “SOS, një buzëqeshje” është libri më i mirë që ka shkruar autori. Në letërsinë shqipe është romani më origjinal që njoh; është më i guximshmi; është romani më modern. Në krahasim me “Las Varrezas”, është edhe më i sofistikuar. Këtu arrihen kufijtë më sipërorë të Erosit, duke kaluar nga dashuria në çift te dashuria njerëzore në përgjithësi. Ai është i populluar me karaktere të kohës, është piktura më besnike e Tiranës dhe e qyteteve shqiptare. Asnjë shkrimtar shqiptar nuk ka arritur ta japë, madje as të guxojë që t'i afrohet këtij realiteti deri më sot.

(fragment nga parathënia)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›