E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Klosi: Ngrita grup pune për rrëmbimin e Remzi Hoxhës



Fatos Klosi iu përgjigj dje thirrjes së gjykatës për të dëshmuar lidhur me rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Por, sapo ka hyrë në sallën e gjyqit, ish-kreu i SHIK-ut ka kërkuar nga gjykata që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, nëse është thirrur të dëshmojë për shkak të pozicionit që ka pasur në krye të SHIK-ut. Ish-kryeagjenti Klosi e motivoi kërkesën e tij para trupës gjykuese me arsyetimin se nëse do të pyetej për çështje sekrete, ai do të rezervohej, nëse gjyqi do të bëhej me dyer të hapura. Edhe prokurori i çështjes i drejtoi trupit gjykues të njëjtën kërkesë, duke e zhvilluar për rreth 30 minuta seancën me dyer të mbyllura, ndonëse avokatët reaguan ndaj këtij vendimi, duke e quajtur të padrejtë. “Ju keni deklaruar mbi këtë çështje në publik dhe nuk ka arsye pse duhet bërë me dyer të mbyllura”, - është shprehur avokati i Sefgjinit, Zef Nikaj, lidhur me kërkesën e Klosit. Nga burime brenda kësaj seance mësohet se dëshmia ka zgjatur jo aq sa mendohej dhe përgjigjet nuk kanë qenë ato që priteshin. Klosi është shprehur se lidhur me rrëmbimin e Remzi Hoxhës ka ngritur një grup pune, detyra e të cilit ka qenë verifikimi i të dhënave lidhur me këtë çështje. “Sapo kam marrë detyrën dhe jam njohur me këtë ngjarje, kam ngritur një grup pune dhe angazhova një nga ekspertët më të mirë që kam pasur, por nuk na rezultoi gjë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Hoxhës. Gjatë kësaj kohe kemi bashkëpunuar me Prokurorinë për zbardhjen e kësaj çështjeje, por nuk na rezultoi gjë. Detyra jonë nuk ka qenë hetimi, por vetëm verifikimi i të dhënave”, - deklaroi ish-kreu i SHIK-ut, ndërkohë që shtoi se “një nga detyrat tona ishte të raportonim te Kryeministri për këtë çështje dhe ndonjëherë edhe të Presidenti. Por, për këtë ngjarje nuk na është kërkuar informacion nga këto dy institucione, përveç organit të akuzës”. Ndërsa, lidhur me pyetjen nëse gjatë kohës që drejtonte Shërbimin Informativ kishte gjetur ndonjë dokument që fliste për Remzi Hoxhën, Klosi është përgjigjur se për këtë ngjarje nuk ka gjetur asnjë dokument, madje edhe që të mund të implikonte të pandehurit e çështjes. Lidhur me dy personat e tjerë që rezultojnë të rrëmbyer dhe më pas të liruar, Ziso Kristopulli e Avdyl Loshaj, ish-kreu i SHIK-ut u shpreh se nuk i njihte dhe për ta është interesuar njëlloj si për çështjen e Remzi Hoxhës kur erdhi në kreu të kësaj strukture, por, për fat të keq, sipas tij, nuk gjeti asnjë dokument për ngjarjen. Fatos Klosi është shprehur se pasi mori detyrën, ka kryer një inspektim në ambientet e SHIK-ut, kryesisht aty ku shoqëroheshin persona dhe ka gjetur biruca pa dritare dhe mure që ishte të lyera me gjak. Ndërsa për Remziun, ai u shpreh se ka pasur edhe një takim me vëllanë e tij dhe një biznesmen tjetër nga Kroacia, Idriz Sulejmanin, në kohën kur ka marrë drejtimin e zyrës. Më pas, sipas burimeve, dëshmia e tij është kanalizuar në shpjegimet e funksionimit të strukturës së SHIK-ut, e cila u bë dhe shkak për zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura. Mësohet se në këtë fazë të dëshmisë Klosi të ketë dhënë informacione mbi mënyrën se si funksiononte struktura që drejtonte, si grumbullohej informacioni dhe të tjera veprime që kryheshin nga inspektorët e SHIK-ut deri në drejtuesit më të lartë. “Por, strukturat e SHIK-ut kishin të drejtë të survejonin, grumbullonin informacion, por jo të shoqëronin me forcë apo të ushtronin dhunë ndaj personave”, - mësohet të ketë deklaruar Klosi, lidhur me faktin nëse u lejohej si strukturë të shoqëronin persona të ndryshëm. Por ai ka shtuar se, sipas ligjit 91, në bazë të të cilit SHIK-u funksiononte, nuk mundet që agjentët e vëzhgimit të shoqërojnë shtetas apo t'i pyesin ata, pasi ata veprojnë në ilegalitet dhe ka struktura të tjera që i shoqërojnë. Por, sipas Klosit, çdo veprimtari që shërbimi sekret ndërmerr, drejtuesi i saj është në dijeni. Megjithatë, Klosi ka thënë se nëse shoqërimi ka ndodhur nga baza e vëzhgimit, ashtu sikurse Avni Koldashi ka pohuar, kjo gjë duhet të ketë qenë e urdhëruar, pasi kjo strukturë ka për detyrë vetëm survejimin, edhe kjo një procedurë që zbatohet nga agjentët pas urdhrave të eprorëve. Në përfundim të dëshmisë së tij, Klosi është pyetur nga avokatët se cilat ishin faktet që dispononte për klientët e tyre dhe të cilat i ka deklaruar në media, duke qenë se po i jepej mundësia të dëshmonte. Ish-kreu i SHIK-ut i është përgjigjur pyetjes së avokatëve me fjalët: “Janë keqinterpretime të gazetarëve, jo deklarata të miat”, duke vënë në gojë të gazetarëve gjithë deklarimet që ka bërë kohë më parë për këtë çështje në mediat vizive dhe të shkruara.

Dëshmia

Reçi: 15 mijë USD ja mora vëllait të Remzi Hoxhës për arsye familjare

Një nga dëshmitarët e thirrur dje nga organi i akuzës për të dhënë dëshminë e tij para togave të zeza ka qenë edhe Flamur Reçi. Ky shtetas është thirrur për të shpjeguar njohjet dhe lidhjen me vëllanë e Remzi Hoxhës, nëse i kishte premtuar se do e ndihmonte për gjetjen e të vëllait, si dhe mbi arsyen e marrjes së një shume prej disa mijë dollarësh. Biznesmeni Reçi u shpreh para togave të zeza se disa vite më parë kishte takuar një mikun e tij, Idriz Sulejmanin dhe Nexhmi Hoxhën, të cilët i kishin thënë se këtij të fundit i ishte zhdukur vëllai. Dëshmitari deklaroi se pyeti për Remziun, por nuk pati asnjë takim me persona që mund të kishin dijeni, pasi nuk kishte shumë shoqëri e njohje. Sipas dëshmitarit, Nexhmiu ka ndenjur në shtëpinë e tij kur vinte për të takuar persona të ndryshëm që kishin dijeni me fatin e të vëllait, por ai deklaroi se nuk kishte marrë pjesë në asnjë nga këto takime. Ndërsa lidhur me faktin nëse Nexhmiu e kishte paguar për të gjetur vëllanë, apo nëse dëshmitari i kishte kërkuar para, Reçi iu përgjigj prokurorit se i kishte borxh 15 mijë USD vëllait të Remziut, të cilin e kishte mik dhe ia kishte marrë për arsye familjare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›