E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa; Gjykata, “arrest me burg” për 6 të akuzuar, lirohet kundrejt garancisë pasurore Gazmir Shehu

Grupi i të akuzuarve për vjedhje, në kuadër të operacionit “Feniks”, është shoqëruar dje në Gjykatën e Tiranës për t’iu caktuar masa e sigurisë për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Gjatë seancës së masës, prokurori kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për shtatë të akuzuarit për 25 vjedhje në disa qytete. Pasi ka dëgjuar provat e akuzës, pretendimet e palëve dhe kërkesat për masa më të buta, gjykata caktoi masën “arrest me burg” për gjashtë nga 7 të arrestuarit, dhe “detyrim paraqitje” për shtetasin Gazmir Shehu, i cili ofroi garanci pasurore 2 milionë lekë. Sipas burimeve nga akuza, këta persona prej tre muajsh ishin kthyer në makthin e banorëve dhe tregtarëve të periferisë së Tiranës, ndërsa pre e grabitjeve të tyre ishin edhe turistët kosovarë në Durrës. Policia ka identifikuar si kapo të grupit kuksianin Adnand Dauti. Këtij i është bllokuar njëra prej pistoletave dhe antitanku. Sipas burimeve, grabitësit vepronin në mënyrë mjaft profesioniste, duke mos lënë prova për policinë. I vetmi gabim i tyre duket se ishte sulmi me eksploziv në automjetin dhe banesën e biznesmenit Tonin Rama, në dalje të Kamzës, emrin e lokalit të të cilit, "Feniks", do e mbante operacioni i policisë për kapjen e grabitësve. Personat e arrestuar dhe të shoqëruar dje për masë kanë qenë Adnand Dauti, 22 vjeç, Pajtim Cahani, 24 vjeç, polici ushtarak Ismail Gjanaj, 24 vjeç, Behar Rexha, 18 vjeç, nga Tirana, Ermal Dida, 24 vjeç nga Durrësi; Gazmir Shehu, 23 vjeç nga Kavaja dhe Besmir Toçilla, 23 vjeç, nga Kukësi. Të arrestuarve mësohet se u janë dokumentuar të paktën 10 vjedhje e grabitje të kryera kryesisht me armë, nga muaji gusht i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti. Numri i grabitjeve të kryera nga të arrestuarit dyshohet të jetë më i madh, me mbi 25 ngjarje të tilla. Përfshirja gjeografike e aktivitetit të të arrestuarve kapte zonën e Kavajës, Durrësit dhe Tiranës. Grabitja e fundit e dokumentuar është ajo e familjes së Isuf Matraxhiut në Laknas, ku grabitësit lidhën dhe u bllokuan gojën me natriban pjesëtarëve të familjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›