I kthehen bashkëpunimit
Porositë janë bërë dhe kamionët me mallra nga Serbia po presin nga çasti në çast të mësyjnë Kosovën. Biznesmenët kosovarë po u kthehen lidhjeve afariste me kompanitë serbe që i ndërprenë nga 25 korriku, kur u vendosën masat reciproke. Edhe ai që njihet si importuesi më i madh i këtyre mallrave për Kosovë, pronari i kompanisë “Elkos”, Ramiz Kelmendi thotë se do ta vazhdojë bashkëpunimin me afaristët në shtetin fqinj.
Por, sipas tij, tash e tutje situata do të jetë më ndryshe. Periudha sa zgjatën këto masa reciproke duket se ka ndikuar që të bie kërkesa e qytetarëve për produkte nga Serbia.
“Ne nuk do të importojmë më asnjë produkt nëse ndonjë prodhues vendor ka potencial ta mbulojë tregun me produkte të njëjta. Kompania jonë është e gatshme ta flijojë atë pjesë të tregut për të përkrahur prodhimin vendor”, thotë Kelmendi.
Ai tregon se në dyqanet e ETC-së është rritur në masë të madhe konsumi i prodhimeve vendore. Nga 35 milionë euro sa ishte qarkullimi për këto produkte vjet në këtë periudhë, sivjet Kelmendi tregon se ka pasur qarkullim 50 milionë euro.
Por, ai kërkon nga institucionet e vendit që të ndihmojnë afaristët kosovarë me politika fiskale që të mos kenë nevojë të importojnë nga vendet e ndryshme pa nevojë.
Përfaqësuesit e biznesit pranojnë se me heqjen e masave reciproke do të ketë invazion të prodhimeve serbe, por nuk besojnë se ato do të konsumohen pasi qytetarët kanë arritur një nivel të lartë për konsum të prodhimeve vendëse.
Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se do të jenë disa produkte që qytetarët edhe më tutje do t’i kenë nëpër shtëpitë e tyre, por pohon se kanë diskutuar me bizneset anëtare sa më shumë t’i shmangen importit të këtyre produkteve.
Sipas Shahinit, është në dorën e qytetarëve të vendosin çfarë të konsumojnë, por nga e enjtja ai do të dalë në terren bashkë me përfaqësues të institucioneve arsimore për të vlerësuar cilësinë e prodhimeve vendëse. Kështu thotë se do të ngritë edhe më tej vetëdijen e konsumatorëve për këto mallra.
Thirrje për të braktisur mallrat nga Serbia u ka bërë bizneseve dhe qytetarëve edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu.
“Duke respektuar parimet e ekonomisë së tregut dhe interesat e bizneset e Kosovës, OEK fton të gjithë qytetarët dhe bizneset të angazhohen fuqishëm në forcimin e biznesit vendës”, thotë Geqrgjaliu.
Madje ai kërkon që ndaj Serbisë të aplikohen masa në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s par paralajmërimit për subvencionim të produkteve që vinë për Kosovë nga ky vend.
Ndërkaq, kryetari i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit, Selatin Kaçaniku vlerëson se kompanitë serbe të stimuluara nga shteti po e shkatërrojnë tregun e Kosovës dhe për këtë Qeveria e Kosovës duhet të aplikojë masat anti-damping. Ndërkaq, arsyetimin e bizneseve se po importojnë nga ky vend për shkak të çmimeve të lira dhe mungesës së këtyre produkteve në treg e sheh si ta pa arsyeshëm.
“Kam kërku nga bizneset që mos të na sjellin produkte serbe dhe të mos na i imponojnë konsumin e tyre. Tregtarët mos të japin këso arsyetimi se Serbia është e përgatitur ta shkatërrojë tregun tonë”, pohon Kaçaniku. Tregtarët thonë se biznesi zakonisht kërkon tregje të reja dhe mundësi më të mira përfitimi.