E Diel, 1 Nëntor 2026

156 milionë, s’kthehen kurrë

Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të arrijë marrëveshje të re me Qeverinë e Kosovës vetëm pas muajit shkurt të vitit 2012. Por, 156 milionët e humbur, si shkak i ndërprerjes së marrëveshjes SBA, nuk do të kthehen kurrë. Kjo, pasi që marrëveshja SBA përfundon në fund të këtij viti. Mësohet se institucionet vendëse janë duke iu përmbajtur me përpikëri rekomandimeve të FMN’së për projeksionet e reja buxhetore për vitin 2012. Nga Albulena Maloku më 16 shtator 2011 në ora 09:03

Edhe nëse Qeveria e Kosovës arrin të nënshkruajë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, nuk do të mund t’i kthejë asnjëherë 156 milionë eurot e humbura nga programi i vitit të kaluar me këtë institucion.

Krejt kjo pasi që ndërprerja e marrëveshjes 18 mujore Stand By Arrangment përfundon në fund të këtij viti. Dhe pas kësaj, Qeveria e Kosovës në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm mund të nënshkruajë një marrëveshje të re, por që nuk do të nënkuptojë kthimin e mjeteve të humbura si shkak i ndërprerjes së marrëveshjes SBA.

Përderisa pritjet e Qeverisë ishin që në fund të këtij viti të arrinte t’i zhbllokonte një pjesë të fondeve të ngrira. Kështu patën thënë në një prononcim për Express zyrtarë të Ministrisë së Financave.

“... gjatë vizitës brenda muajit nëntor, kur do të bëhet vlerësimi për pjesën e parë të marrëveshjes, gjegjësisht për të arriturat deri më 30 shtator 2011, ku ne si qeveri presim që të marrim një vlerësim pozitiv nga ana e FMN-së, gjë që do të mundësonte lirimin e një pjesë të ndihmës direkte buxhetore të premtuar për këtë viti”, pati thënë zyrtarja për informim në Ministrinë e Financave, Fatime Lumi.

Përveç se nuk do të arrijë t’i kthej këto fonde, Qeveria do të vazhdojë të jetë në programin “e monitoruar nga stafi”, duke qenë në një disiplinë maksimale financiare dhe ruajtje të stabilitetit makrofiskal. E respektimi i plotë i kësaj marrëveshjeje ua hap rrugën marrëveshjeve të reja me Fondin.

Më saktësisht, nëse shikohet me kujdes në detajet e marrëveshjes për program të monitoruar nga stafi, në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të jepet vlerësimi përfundimtar për stabilitetin fiskal nga stafi i FMN-së për Kosovë.

“Për të diskutuar performancën buxhetore të vitit 2011, stafi i FMN’së do të vijë sërish në javën e parë të shkurtit, ku më pastaj këtu edhe do të jepen vlerësimet për të vazhduar apo jo më tutje me një marrëveshje të re me Qeverinë e Kosovës”, është një detaj tjetër i marrëveshjes “monitor nga stafi”.

Mësohet se institucionet vendëse janë duke iu përmbajtur me përpikëri rekomandimeve të FMN-së për projeksionet e reja buxhetore për vitin 2012. Nëse vazhdohet kështu, sipas marrëveshjes që ka Qeveria e Kosovës tani për tani me këtë institucion, delegacioni nga FMN-ja që do të vij në nëntor do të jap rekomandime pozitive.

Ndërkaq, delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar që përfundoj vizitën në Kosovë të mërkurën, kishte për objektivë informimin për performancën financiare të vendit dhe më pastaj, të gjitha këto diskutime do të vazhdohen në takimet që ministri i Financave, Bedri Hamza do t’i ketë në takimin vjetor të FMN’së, në Uashington.

Fondi Monetar Ndërkombëtar deri në vitin tjetër, do ta monitorojë performancën financiare të Kosovës sa i përket ekzekutimin e buxhetit, ruajtjen e bilancit tregtar, stabilitetin e sektorit bankar dhe iniciativat e tjera që kanë të bëjnë me ligjet që kanë kosto të lartë financiare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›