E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vendosur për Zymerin

Pavarësisht se prokurorët e Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë veprojnë në kushte të vështira, ata besojnë se janë në rrugë të mirë për arrestimin e personave të dyshuar në vrasjen e policit Enver Zymeri. Gjashtë serbët e dyshuar po kërkohen edhe me fletarrest vendor. Nga Jeton Musliu më 16 shtator 2011 në ora 09:01

Secili nga punëtorët e Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë ka në dispozicion nga një metër katror hapësirë në zyrë për të punuar. Kaq!

24 punëtorët e këtij institucioni, të cilët kanë më shumë se tre vjet që janë “refugjatë” në ndërtesën e Gjykatës Komunale në Vushtrri, shfrytëzojnë një zyrë prej 24 metrash katrorë.

Në këtë zyrë asnjë qoshe nuk lihet pa u shfrytëzuar, madje edhe pas derës janë të vendosur pako me dosje.

“Jemi në kushte shumë të vështira. Për këtë arsye shumë lëndë mbesin në polici sepse nuk kemi mundësi të merremi me to. I shqyrtojmë vetëm ato me urgjencë”, thotë Shyqyri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë.

Ai së bashku me Neeta Amin, udhëheqëse e prokurorëve të EULEX-it në Mitrovicë, mbajtën të enjten një konferencë për media për të folur në lidhje me dy rastet e fundit.

Në këtë zyrë, e cila edhe ajo ishte e kryetarit të Gjykatës Komunale në Vushtrri, para se të tregonte të arriturat, kryeprokurori Syla falënderoi kolegun.

“Po të mos e lëshonte zyrën ai, ne nuk do të kishim ku të mbanin këtë konferencë”, u shpreh Syla, sipas të cilit edhe pse në këto kushte, kanë të arritura.

Ai tha se për vrasjen e Enver Zymerit, pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës nga njësiti ROSU, janë identifikuar gjashtë persona të dyshuar.

Kryeprokurori Syla tha se Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë bashkë me atë të EULEX’it tashmë kanë filluar kërkimet dhe hetimet në drejtim të këtyre personave.

“Të gjithë të dyshuarit janë shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb, ndaj të cilëve është lëshuar fletarrest vendor”, tha kryeprokurori Syla për Express.

Sipas kreut të akuzës, në hetimin e këtij rasti janë përfshirë të tre komponentët e sistemit të drejtësisë, si Drejtoria për Krime të Rënda, Policia e EULEX’it dhe ajo Rajonale e Kosovës në Mitrovicë.

Përveç tyre, lidhur me këtë rast, kryeprokurori Syla tha se janë marrë në pyetje edhe dy persona të tjerë, njëri serb dhe tjetri shqiptar.

“Katër veturat e tyre, prezent në bllokimin e rrugëve, janë konfiskuar dhe po ekzaminohen”, tha Syla, duke shtuar se policia ka bërë disa herë përpjekje për arrestimin e të dyshuarve.

Madje në këtë pikë, Neeta Amin nga EULEX-i sqaroi se janë duke shqyrtuar mundësinë edhe të publikimit të video-materialeve nga aksionet e policisë, në përpjekje të arrestimit të këtyre të dyshuarve.

“Mund të themi se për rastin e 25 korrikut janë identifikuar personat e dyshuar brenda disa ditësh dhe kjo është e arritur e mirë”, thotë Amin e cila sqaron se përveç fletarresteve vendore, për ta është duke u shqyrtuare dhe mundësia e lëshimit të fletarresteve ndërkombëtare.

E pyetur nëse EULEX-i ka vënë kontakte edhe me autoritetet e Serbisë në përpjekje për të arrestuar këta gjashtë të kërkuar, Amin nuk preferoi të japë përgjigje direkt.

“Policia e EULEX-it është duke bashkëpunuar me të gjitha burimet e mundshme në lidhje me këtë rast. Por, siç e keni parë, autoritetet serbe dëshirojnë të bashkëpunojnë që të ndihmojnë në hetimin kësaj vrasjeje”, tha zyrtarja e EULEX-it.

Rasti Mehana
Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla tha se pas hetimeve të bëra, është bërë e mundur arrestimi i katër personave të dyshuar për shtytje në vetëvrasje të tre vëllezërve Mehana nga Mitrovica. Ai tha se arrestimi i tyre është një sukses i madh për këtë prokurori dhe policinë, ndonëse shprehu keqardhje për vetëvrasjen e dy vëllezërve Mehana, Muratit (31) dhe Petritit (29) dhe tentim vetëvrasjen e vëllait të tyre të tretë. Jozyrtarisht dyshohet se katër të arrestuarit u kanë bërë presion atyre duke u marrë para në formë haraçi dhe fajdesh, që në gjuhën juridike përkthehet si fitim joproporcional.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›