Thaçi: Nuk do të zmbrapsemi
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nesër do të bëhet vendosja e policëve dhe doganierëve në veri të Kosovës, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë maturinë.
Në një konferencë për media të enjten mbrëma, një ditë para vendosjes së policëve dhe doganierëve në veri, kreu i Qeverisë së vendit ka thënë se plani operacional është hartuar në koordinim me faktorët relevantë ndërkombëtarë.
“Nesër policët dhe doganierët e Republikës së Kosovës bashkërisht me EULEX-in dhe NATO-n do të fillojnë implementimin e planit operacional për funksionalizimin e plotë të pikave kufitare 1 dhe 31. Plani operacional është hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe në koordinim dhe mbështetje të plotë të SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe EULEX-it, dhe tashmë publikisht ka marrë mbështetjen e të gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.
Vendosja e policëve dhe doganierëve në pikat 1 dhe 31 në veri, sipas kryeministrit Thaçi nuk është i drejtuar kundër akujt, po kjo bëhet për të mirën e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetin serb.
“Unë ju ftoj të ruajmë qetësinë dhe maturinë. Veprimi i nesërm në veri nuk është i drejtuar kundër askujt, kundër asnjë grupi etnik. Në veri nuk është në konflikt qeveria me qytetarin, por e drejta me padrejtësinë, ligji me jo ligjshmërinë, e kaluara konfliktuoze me të ardhmen në paqe”, ka thënë Thaçi.
Ndonëse e ka pranuar se ka sfida për integrimin e veriut, kreu i Qeverisë së vendit është zotuar se nuk do të ketë zmbrapsjes nga ky drejtim.
“Si kryeministër i Qeverisës së Republikës së Kosovës, ju siguroj që ne nuk do të zmbrapsemi, ju lus për mirëkuptim dhe bashkëpunim në institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë me faktorin ndërkombëtarë”, ka theksuar ai.
Ndryshe, Prishtina zyrtare tashmë ka paralajmëruar dërgimin e doganierëve dhe policisë kufitare në veri, ndërkohë që strukturat paralele serbe kanë kërcënuar se të gjithë serbët në veri të Kosovës nesër në mëngjes do të dalin në rrugë, për të parandaluar vendosjen e policisë dhe doganave të Kosovës në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje.
Një ditë para se të dërgohen policët dhe doganierët në veri të Kosovës, për vizitë në vendin tonë ka qëndruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i cili ka bërë të qartë se nuk do të lejohet destabilizimi i situatës, duke mos përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes së KFOR-it në rast të eskalimit të dhunës.
Ndërkohë, EULEX-i ka bërë të ditur se operacionet doganore në portat kufitare do të kryhen nga doganierët e EULEX-it, në prezencë të doganierëve të Kosovës.
Shtetet e Quint’it: Shkoni në Veri
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u takuan me Kryeministrin Thaçi sot paradite për të biseduar lidhur me zbatimin e procedurave të reja doganore që fillojnë më 16 shtator.
“Ambasadorët shprehën mirënjohjen e tyre për mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR’in dhe EULEX’in gjatë përgatitjeve për këtë hap të rëndësishëm për Kosovën. Ambasadorët kanë nxitur qeverinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare”, thuhet në komunikatën e Shteteve anëtare të Quint’it.
“Po ashtu, ata kanë mirëpritur dhe mbështetur deklaratat e dhëna dje nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian, Fernando Gentilini dhe Shefi i misionit të EULEX’it, Xavier Bout de Marnhac dhe shprehën mbështetjen e tyre për pritjet se tash mund të hiqen embargot për tregti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke hapur shtegun për përparim të mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE”.
Më tutje, Quint shpreh mbështetjen e plot për Qeverinë e Kosovës që ta shtrijë autoritetin e saj në tërë vendin.
“Ambasadorët përsëritën mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, përfshirë edhe në veri, duke shtuar po ashtu se ne duhet të punojmë së bashku për të shpejtuar përpjekjet për të rivendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën tjetër të veriut. Ata shprehën mirënjohjen për përkushtimin e Kryeministrit për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës përfitojnë në mënyrë të barabartë nga sundimi i ligjit dhe mirëpritën regjimin e ri doganor si një hap pozitiv në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.
“Ambasadorët theksuan se çelësi i suksesit i të gjitha këtyre përpjekjeve ishte këshillimi dhe marrëveshja në mes të qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë”, përfundon komunikata.
EULEX, nga e premtja në veri të Kosovës
EULEX do të kryejë punët policore dhe doganore në portat 1 dhe 31 (Jarinje dhe Bërnjak). Kjo do të bëhet në përputhje me mandatin ekzekutiv që ka misioni, thuhet në një komunikatë për shtyp të dërguar nga EULEX në orët e mbrëmjes.
“Në fakt, kjo do të thotë që EULEX-i do të ndihmojë implementimin e marrëveshjes për vula doganore të arritur më 2 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja për vulat doganore ishte pjesa e fundit që mungonte për të lansuar një sistem të mirëfilltë doganorë, të cilin ne edhe e synojmë. Kosova, nën administrim të UNMIK-ut, që nga viti 2000 është bërë një zonë doganore, dhe është trajtuar nga BE-ja gjithmonë si e tillë”, thotë zyra e EULEX-it.
Marrëveshja ,e cila nuk ka asgjë të bëjë me statusin, është për të ndërmarrë një hap të madh përpara në sundimin e ligjit në Kosovë, e që është në interes të gjithë qytetarëve.
“Mungesa e funksionimit të sistemit doganorë në të gjithë territorin e Kosovës ka lejuar që aktivitetet ilegale të zhvillohet lirshëm, veçanërisht por jo ekskluzivisht në veri të Kosovës. Tani do të kemi mundësi të merremi shumë më mirë me këtë çështje. Ky është një hap i rëndësishëm dhe të gjithë do jenë përfitues. Operacionet doganore në porta do të kryhen nga doganierët e EULEX-it, në prezencë të doganierëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
EULEX-i ka ftuar të gjithë ë qytetarët të përkrahin këto masa për të përmirësuar sundimin e ligjit për të gjithë.
Masat dhe detajet e para përfshijnë:
“Pikë kalimi në Bërnjak do të jetë e hapur për trafik komercial dhe personal, si dhe për mallra komerciale dhe jo-komerciale. Importet e mallrave komerciale nëpërmjet pikës në Bërnjak duhet të zhdoganohen në Terminalin Doganorë në jug të Mitrovicës”;
“Deri sa të instalohet infrastruktura e duhur në Jarinjë, ky pike kalim do të jetë i hapur vetëm për mallra jo-komerciale dhe trafik personal”, dhe;
“Të gjitha mallrat komerciale që i nënshtrohen akcizës (si alkooli, cigaret dhe karburantet) duhet të zhdoganohen nëpër pike kalimin e Merdares ose në ndonjë pikë tjetër të autorizuar për trafik tregtar”.
Gjendje e qetë, por në tension
Gazetarja e Express-it, e cila gjendet në Mitrovicë ka thënë se gjendje në qytetin verior të Kosovës deri në orët e pasdites ka qenë e qetë, përderisa edhe lëvizjet e njerëzve kanë qenë normale.
Serbët që në orët e mëngjesit kishin vënë barrikada me rërë dhe gjësende të tjera në urën mbi Ibër përderisa kanë prishur edhe kamerat e sigurisë që kanë qenë të vëna në këtë urë.
Express ka kaluar edhe në anën veriore të Mitrovicës dhe ka marrë opinionin e qytetarëve të thjesht të cilët kanë thënë se ata nuk dëshirojnë që situata të eskalojë dhe se dëshirojnë “që më shumë të merren me hallet e tyre ekonomike sesa me politikë”.
Megjithatë, gjendja edhe pse e qetë deri në momentet kur është raportuar, duket në tension, përderisa mbi urën e Ibrit janë parë policë të Kosovës por edhe të karabinierë italianë, të cilët edhe janë duke e mbikëqyrur situatën.
Së gjendje deri në orën 14:00 është e qetë ka lajmëruar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veri, Besim Hoti. Ai ka thënë se deri me tani nuk është shënuar ndonjë incident edhe pse policia është në gjendje gatishmërie.
Gjendjen tensionuese e përshkruajnë edhe agjencitë e huaja të lajmeve të cilat janë akredituar në Kosovë. Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për vizitën e sekretarit gjeneral të NATO, Anders Fogh Rasmussen, përderisa ka thënë se gjendja mund të eskalojë më të filluar dita e premte, kur edhe do të filloj zbatimi i marrëveshjes së arritur me datën dy shtator në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Kosova e ka akuzuar Serbinë se po planifikon dhunë në veri të Kosovës sepse nuk po lejon që në dy pikat kufitare në veri të këtë doganier të Policisë së Kosovës”, shkruan Zëri i Amerikës.
Ndërkohë për një eskalim të mundshëm të situatës kanë reaguar edhe mediat ruse, të cilat kanë cituar ambasadorin e Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin.
“Konflikti në veri ka shumë mundësi që të eskalojë”, citohet të këtë thënë Churkin për Zërin e Rusisë.
Sipas tij, fajin për këtë e ka Prishtina pasi që, sipas Churkin, po dëshirojnë që t’i marrin me dhunë pikat kufitare në Veri të Kosovës.
Zëri i Rusisë flet po ashtu edhe për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që pritet të mbahet sonte, ku Serbia do të tentoi që të ndaloj vendosjen e doganierëve në veri të Kosovës.
Strukturat paralele po përgatiten për luftë në veri
Burime të Kosovapress-it kanë bërë të ditur se strukturat paralele në veri të vendit të mbështetura nga Beogradi po përgatiten për luftë në veri.
Sipas të njëjtave burime, shtabi i krizave në veri ka emëruar gjeneralin serb Bozhidar Deliq për komandant të operacioneve luftarake.
“Në Kosovë gjatë 48 orëve kanë hyrë rreth 1 mijë pjesëtarë rezervë të xhandarmerisë dhe ushtrisë serbe, në mesin e të cilëve edhe shumë oficerë, si dhe armë kundër neutralizimit të automjeteve të blinduara”, kanë thënë burimet.
Shqiptarët e “Kodrës së Minatorëve” të ngujuar në veri
Shqiptarët në lagjen “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre, ndërsa për shkak të pamundësisë së shkuarjes së arsimtarëve dhe mjekëve të enjten nuk kanë punuar as shkolla dhe as ambulanta.
Ndërkaq, banorët e tri fshatrave shqiptare të komunës së Leposaviqit kanë arritur në Mitrovicë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës të stacionit Zveqan. (KP)
Serbët bllokojnë urën mbi Ibër
Serbët lokalë kanë bllokuar urën e Lumit Ibër, duke zbrazur së paku katër maune zhavorr mbi të.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
"Ajo çfarë e karakterizon natën e mbrëmshme në Mitrovicë është zbrazja e së paku katër maunave zhavorr mbi urën e Lumit Ibër në Mitrovicë dhe dëmtimi i një kamere të sigurisë në veri të Mitrovicës".
"Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i do të koordinohen për veprimet e mëtejshme. E rëndësishme është se nuk ka persona fizikë të tubuar në afërsi të urës kryesore mbi Lumin Ibër, ndërsa pengesa fizike është prezente. Policia e Kosovës ka rritur masat e sigurisë në zonat e banuara me popullatë të përzier në veri", tha Hoti.
Në veri janë rishfaqur tensionet pas paralajmërimeve të Qeverisë se Kosovës se nga e premtja do të hapen vendkalimet kufitare 1 dhe 31.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, do të qëndrojë sot në Kosovë.
Rasmusen pritet të takojë komandantin e ri të KFOR-it, gjeneral-majorin, Erhard Drevz, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Zëdhënësja e NATO-s, Karmen Romero, tha se Aleanca synon uljen e tensioneve kufitare në veri të Kosovës.
"Shefi i NATO-s do të kërkojë që të gjitha palët të bashkëpunojnë, të mbajnë dialog konstruktiv dhe të shmangin dhunën", tha Romero. (REL)