E Shtunë, 31 Tetor 2026

I presin me gurë

Urën mbi Ibër serbët e kanë bllokuar me zhavorr e gurë. Në këtë mënyrë, ata po përgatiten të kundërshtojnë edhe njëherë zbatimin e planit të Prishtinës për Veriun. Banorët shqiptarë gjithçka kanë lënë në dorë të autoriteteve, ndërkaq për serbët është raportuar se po përgatiten edhe për konfrontim me ata që “duan ta marrin Veriun”. Nga Nexhmije Ahmeti më 16 shtator 2011 në ora 08:53

Së paku katër rimorkio me zhavorr dhe gurë i kanë zbrazur serbët në hyrje të urës, në veri të Mitrovicës. Këtë veprim ata e kanë bërë natën, në shenjë kundërshtimi me planin që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të nisë së zbatuari nga e premtja në mesnatë. Përveç zhavorrit, serbët kanë thyer edhe disa nga kamerat e sigurisë që janë të vendosura afër urës kryesore. Ashtu të thyera dhe të rrëzuara përtokë qëndronin edhe të enjten, derisa karabinierë italianë dhe policë të Kosovës përkujdesen për sigurinë nga ana e pjesës jugore të saj.

Qytetarët shqiptarë vetëm afrohen deri afër urës dhe kthehen. Nuk bëjnë asgjë, por thonë se këtë punë ia kanë lënë në dorë shtetit. Por, kështu nuk mendojnë shqiptarët e lagjes “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, të cilët nuk kanë lejuar fqinjët e tyre që ta bllokojnë rrugën. Por, ky veprim nuk ka pasur sukses në “Lagjen e Boshnjakëve”. Atje serbët kanë bllokuar rrugën.

Bozidar Stankovic, një serb nga Mitrovica, thotë se krejt kjo është bërë për ta kundërshtuar kthimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31. Edhe pse mohon të jetë pjesëmarrës në vendosjen e barrikadave, ky serb nuk do të pranonte që policët shqiptarë ta kontrollojnë veriun.

“Ne jemi të interesuar që të jetojmë të qetë, por mos këqyrni të na bindni me dhunë. Dhuna nuk sjell asgjë”, thotë Stankovic për Express. Megjithatë, ai dhe një fqinj i tij nuk dëshirojnë të bëjnë incidente. “Unë kam fqinjët shqiptarë dhe ia kalojmë mirë, por nuk duam që të na ndërhyjë askush në jetën tonë”, thotë Mirko Djurkovic. Ky serb krejt fajin ia lë bashkësisë ndërkombëtare që, sipas tij, po përzihet në punët e një shteti tjetër. Duke konsideruar se Kosova është ende pjesë e Serbisë, Djurkovic thotë se fuqitë perëndimore me qëllim e kanë shkaktuar krizën në Kosovë, në mënyrë që të përfitojnë për vete. “Ata kanë ndërhyrë në Serbi, me qëllim që serbët dhe shqiptarët të kenë probleme ndërmjet vete. Më mirë do të ishte sikur ju dhe ne të merremi vesh pa ata”, thotë ai.

Por, shumë të tjerë duket se i ka kapur paniku. Burime të gazetës tregojnë se nga Mitrovica kanë ikur të gjithë studentët e “Universitetit të Prishtinës”, me seli në Mitrovicë. Përveç kësaj, banorët serbë u kanë sugjeruar fqinjëve të tyre shqiptarë që të largohen për disa ditë nga shtëpitë e tyre, për shkak të frikës nga eskalimi i situatës.
Ndërkohë, të enjten, në veri të Mitrovicës është mbledhur i ashtuquajturi shtab i krizës, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues politikë, policorë dhe ushtarakë serbë, dhe sipas burimeve të agjencisë së lajmeve Kosovapress, kanë caktuar për koordinator të veprimeve mes faktorit politik dhe atyre që janë nën armë kryeshefin e Qarkut në veri të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic.

Sipas këtyre burimeve, serbët kanë kërkuar që KFOR-i dhe EULEX-i të mos bëjnë bartjen e policëve dhe doganierëve shqiptarë për në veri, ndryshe ata nuk do të marrin përgjegjësi për incidente të mundshme dhe eskalimin e situatës. Në anën tjetër, bëhet e ditur se KFOR-i ka marrë qëndrim të prerë për të mos lejuar Policinë e Kosovës të depërtojë në Veri, për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë dhe mundësisë së tensionimit të gjendjes. Ndërkaq, mediat kanë raportuar të enjten se strukturat paralele në veri, të mbështetura nga Beogradi, po përgatiten për luftë. Sipas të njëjtave burime, shtabi i krizave në veri ka emëruar gjeneralin serb Bozidar Delic për komandant të operacioneve luftarake.

“Në Kosovë gjatë 48 orëve kanë hyrë rreth 1 mijë pjesëtarë rezervë të xhandarmerisë dhe ushtrisë serbe, në mesin e të cilëve edhe shumë oficerë si dhe armë kundër neutralizimit të automjeteve të blinduara”, kanë thënë këto burime. Në tërë këtë luftë nervash, shqiptarët në lagjen “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre, ndërsa për shkak të pamundësisë së shkuarjes së arsimtarëve dhe mjekëve në vendet e punës, të enjten nuk kanë punuar as shkolla, as ambulanca. Ndërkaq, banorët e tri fshatrave shqiptare të komunës së Leposaviqit kanë arritur në Mitrovicë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës të stacionit të Zveçanit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›