I kthehet lobimit, merr premtime për njohje
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka filluar një turne të ri lobimi në kontinentin e Afrikës, në kuadër të përgjegjësive të tij për afirmimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe shtimin e numrit të njohjeve.
“Zëvendëskryeministri i pare, z.Behgjet Pacolli me datë 11 (pasdite) dhe 12 gusht(në mëngjes) ka vizituar Republikën e Guinesë, ku është pritur me nderimet më të larta shtetërore që i rezervohen një udhëheqësi të lartë shtetëror”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Pacollit.
“Edhe gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka zhvilluar shumë takime, duke përfshirë edhe një takim të gjatë me Presidentin e Republikës së Guinesë, profesor Alpha Conde dhe një takim tjetër me ministrin e punëve të jashtme të këtij shteti Edouard Gnakoye Lama”.
Gjatë këtij takimi, Pacolli ka marrë garanci të fuqishme se njohja e Kosovës, tashmë pritet të ndodhë shumë shpejt. Sipas Pacolli rezultatet konkrete do të vijnë menjëherë pas kthimit të tij në Kosovë.
Pacolli ka qëndruar edhe në Tunis, ku ka takuar liderët e partive politike në këtë shtet, me të cilët ka diskutuar bashkëpunimin e mundshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Tunisisë.
“Në mesin e këtyre liderëve, zoti Pacolli ka takuar edhe zotin Rashid al-Ghannushi themeluesin e partisë “Ḥizb al‐Nahḍah”, e cila në Tunisi aktualisht është partia më e madhe dhe favoritja kryesore për t’i fituar zgjedhjet”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Pacollit.
Zëvendëskryeministri, gjatë këtyre ditëve, ka qëndruar edhe në Shtetin e Mali’i.