Problemi i Veriut, faji i UNMIK’ut
Për diplomatin austriak, ekziston vetëm një zgjidhje për situatën e fundit të krijuar në Kosovë: vendosja e veriut në kuadër të sistemit administrativ të Kosovës. Ai beson se kjo çështje do të duhej të diskutohej edhe në dialogun me Beogradin.
“Situata në veri është trashëgimi e administratës ndërkombëtare, e UNMIK-ut që nuk ka pasur sukses asnjëherë në vënien e autoritetit në veri”, ka thënë ai në një intervistë për "Radio Evropa e Lirë".
Rohan thotë se e vetmja zgjidhje mund të jetë vendosja graduale e drejtësisë në veri.
“Gjykatat do të duhej të hapeshin, do të duhej të kishte një regjim kufitar ku natyrisht do të ishin të përfshirë policët dhe doganierët kosovarë”.
Në planin e Ahitsaarit janë paraqitur të gjitha mundësitë që komunat serbe të kenë një shkallë të lartë të administrimit autonom. Ata mund t’i udhëheqin punët e tyre, por natyrisht në kuadër të sistemit legal të Kosovës.
“Në kuadër të kësaj duhet të diskutohen zgjidhjet”, ka thënë Rohan.
“Nuk shoh ndonjë gjë që mund t’u shtohej autonomive të gjera, të cilat i kanë komunat në veri - bazuar në pakon e Ahtisaarit”.
Autoritetet ndërkombëtare kanë theksuar nevojën për ta kushtëzuar marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE të Serbisë, me zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura që ka ky shtet me Kosovën. Rohan thotë se po shtohet numri i shteteve anëtare që kanë këtë qëndrim.
“Ndonëse njohja formale e Kosovës nuk figuron në radhët e parakushteve për anëtarësim në BE, çdokush ia ka thënë Beogradit haptazi që anëtarësimi në BE është i papërfytyrueshëm pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.
Ai ndihet keq se si dialogu Kosovë-Serbi po merr kaq shumë kohë. Por, ai beson që çështja e doganave do të mund të zgjidhet dhe se Serbia do të njoh doganat e Kosovës në përputhje me formën e propozuar.
“Kjo duhet të jetë e mundshme”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.