E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mehmeti, Ibrahimovici i ri

Shkëlqimi në Novara ka bërë që Agon Mehmeti të krahasohet nga mediat italiane me yllin suedez Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi kosovar realizoi tri gola në debutim me Novaran, duke i mahnitur të gjithë, pasi kishte qëndruar gjashtë muaj nën hije në Palermo, ku ishte transferuar nga Malmo.

Për të luajtur rregullisht, ai sakrifikoi duke zbritur në një kategori më të ulët garash, ku iu bashkua ish ekipit të Samir Ujkanit dhe Rijat Shalës. “Krahasimi me Ibrahimovic? Mos të bëjmë shaka. Krahasimi im me të është i ekzagjeruar. E njoh dhe është një lojtar i madh”, është shprehur 22 vjeçari për mediat italiane.

Mehmeti e ka falënderuar bashkëkombësin e tij, Samir Ujkanin, i cili e kishte këshilluar që të shkonte në Novara, ku ndihet mjaft mirë. “Jam në Novara dhe jam entuziast, ky është klubi im ideal. Këtu klima ma kujton shumë atë të Suedisë”, shtoi ai.

Futbollisti kosovar nuk dëshiron ta thërrasin super zëvendësues, siç e thërrisnin në Suedi kur ishte më i ri. Ai planifikon të jetë i rëndësishëm dhe ta ndihmojë Novarën t’i arrijë objektivat e veta. Ai po mendon vetëm të punojë dhe ta tregojë veten këtë sezon, e më pas të vendosë se çka do të bëjë sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›