E Shtunë, 31 Tetor 2026

I liroi Apeli, rinis procesi ndaj dy gardistëve

TIRANË- Gjykata e Lartë ka shtyrë sot seancën në ngarkim të dy gardistëve të akuzuar për ngjarjet e 21 janarit, të liruar pak kohë më parë nga Gjykata e Apelit. Procesi ka nisur pas kërkesës së Prokurorisë për rekurs të vendimit të marrë nga Apeli.

Gardistët Mark Nikolli dhe Gazmend Ahmetaj u lanë të lërë, pasi Apeli vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme që fajësonin këta të dy për ngjarjet e 21 janarit.

Ditën e sotme, Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë seancën për një tjetër datë, për shkak të mungesës së avokatëve.

Organi i akuzës bëri rekurs mbi vendimin e Gjykatës së Apelit të kryeqytetit në 3 mars, që i liroi gardistët Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli nga masa e sigurisë arrest me burg, me afat 30 ditor, për shkak të mungesës së provave. Për të kundërshtuar këtë vendim, Prokuroria i është drejtuar togave të zeza të Gjykatës së Lartë, para të cilave do të kërkojë ricaktimin e masës shtrënguese të arrestit me burg për punonjësit e gardës. Prokuroria regjistroi paditë ndaj gardistëve, Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli.

Të trija paditë janë regjistruar në të njëjtën ditë, pak ditë më parë në sekretarinë e Gjykatës së Lartë. Ato kanë të njëjtin objekt: caktim mase sigurimi arrest me burg, respektivisht për gardistët Ahmetaj, Çela dhe Nikolli.

Gardistët Ahmetaj, Çela dhe Nikolli u arrestuan për llogari të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës mbi vrasjet e ndodhura në demonstratën e dhunshme të 21 janarit në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Hetimet kanë vërtetuar që nga armët e tyre janë bërë qitje ditën e ngjarjes. Bashkë me ta u arrestua edhe gardisti, Agron Malaj.

Më parë, ndaj tyre ishte caktuar në mungesë masa e sigurisë arrest me burg për akuzën e vrasjes në rrethana të cilësuara, në bashkëpunim. Në paraqitjen e tyre para Gjykatës së Tiranës, në 14 shkurt, për vleftësimin e kësaj mase sigurie, Gjykata ndryshoi qëndrim vetëm për gardistin Malaj.

Për të Gjykata caktoi detyrim paraqitje, ndërsa për tri të tjerët caktoi arrest me burg, me afat 30 ditor. Pasi e apeluan këtë vendim, gardistët Ahmetaj, Çela dhe Nikolli arritën të fitonin lirinë nga një vendim i Apelit të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›