E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platforma “Shqipëria, superfuqi energjetike”, zemra e programit ekonomik të Aleancës për Qytetarin

28-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton në Mirditë, Kukës dhe Krumë platformën “Shqipëria superfuqi energjetike”, duke ftuar qytetarët që në 8 maj të votojnë alternativën e koalicionit që mendon për qytetin dhe qytetarin, pasi siç tha kryeministri, platforma e “Aleancës për Qytetarin”, është një larmi e vërtetë projektesh dhe vizionesh për shndërrimin e Shqipërisë në vend të zhvilluar

Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje kandidatët e Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në bashkitë Kukës, Rrëshen, Rubik dhe Krumë. Në Kukës, kreu i qeverisë qeverisë shprehu mbështetjen e tij për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie z. Hasan Halili, duke vlerësuar kandidaturën e tij si profilin e njeriut që punon me përkushtim për qytetin dhe qytetarin. Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Kukës, në mënyrë që ata në 8 maj të votojnë z.Halimi, për të përfunduar projektet dhe ëndrrën e nisur së bashku me të për një Kukës Europian. Kryeministri premtoi se do të shtohen investimet në qytetin dhe qarkun e Kukësit, si në infrastrukturë ashtu edhe në ujësjellës, kanalizime dhe sistemin vaditës. “Do të përulem me nderimin më të madh para jush, me mirënjohjen më të thellë, respektin më të palëkundur për mbështetjen tuaj të palëkundur, që i keni dhënë Partisë Demokratike nga dita e themelimit të saj gjer më sot. Dua t’ju siguroj se kjo mirënjohje, ky nderim dhe respekt, me përkushtimin më të madh, do të përpiqem t’jua shpërblej siç e meritoni, unë dhe qeveria shqiptare. Jam sot tek ju, për të paraqitur kandidat për qytetar të parë të qytetit të Kukësit, kryetarin aktual të bashkisë z. Hasan Halili. Por jam këto gjithashtu për t’ju dhënë ju fjalën e nderit se suksesin e Hasan Halilit dhe të kryetarëve të tjerë të komunave të këtij rrethi, datën 8 maj së bashku me ta, së bashku me të gjithë ju, do ta shndërrojmë në një sukses të vërtetë për secilin prej jush, për një mirësi të vërtetë për secilin prej jush, për Kukësin, komunat e tij dhe mbarë Shqipërinë. Vij këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë, investimet në rrugët e këtij qyteti, komunave dhe fshatrave, në ujësjellësin e këtij qyteti në komunat dhe fshatrat tuaj, do të shumëfishohen.  Pas katër vitesh çdo qytetar dhe banor i këtij  rrethi, do të udhëtojë në rrugë të asfaltuara si të gjithë qytetarët e Europës. Pas katër vitesh, çdo familje e Kukësit dhe e mbarë Shqipërisë do të furnizohet me ujë të pijshëm njëlloj si qytetarët e Europës”- tha Berisha. Shefi i ekzekutivit vuri në dukje se shumë shpejt përfundojnë punimet për rrugën Kukës-Peshkopi, Kukës-Krumë, Kukës –Shishtavec. “Të gjitha rrugët dhe rrugicat e Kukësit  do ti asfaltojmë, të gjitha rrugët e komunave dhe fshatrave do ti lidhim me akset kombëtare. Në Kukës, fshatra dhe komuna, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, në mënyrë që fëmijët tuaj të shkollohen njëlloj si fëmijët e mbarë Europës. Do të ndërtojmë kudo sistemin e kanalizimeve sistemin  e vaditjes, do të mbështesim fuqishëm prodhimin industrial. Kukësi turistik do të jetë një nga objektivat tona”- u shpreh kryeministri Berisha. Ai do të deklaronte më tej se falë investimeve të qeverisë Shqipëria do të kthehet në një superfuqi energjetike. Për këtë kryeministri solli në vëmendje potencialet e rrethit të Kukësit, të cilat do shfrytëzohen maksimalisht. “Kukësi është rrethi i potencialeve të jashtëzakonshme. Në këtë rreth potencialet  energjetike janë ndër më të mëdhatë, degët e Drinit, krahas Vjosës, janë burimet më të mëdha energjetike për tu shfrytëzuar në Shqipëri. 8 hidrocentrale janë në ndërtim e sipër, shumë të tjerë presin fillimin e punimeve. Kukësi do të ketë parkun e vetë  industrial, Kukësi do të ketë stadiumin e tij për sportin dhe rininë”- premtoi kryeministri.
Berisha i kërkoi banorëve të Kukësit, që të gjithë zonën ta veshin me pemë frutorë. “Ju garantoj, dhe ju jap fjalën se do të financojmë çdo rrënjë arre, lajthie, molle, vresht  që ju do të mbillni në mënyrë që ne të qindrafishojmë prodhimin e frutave në këtë vend të bekuar”- tha kryeministri Berisha. Por, nga ky takim me qytetarët e Kukësit, kryeministri Sali Berisha s’do linte pa atakuar edhe alternativën tjetër që vjen vërdallë nëpër Shqipëri me akuza, trillime dhe shpifje. Sipas kryeministri Berisha ajo është platforma e diktatorit mizor Enver Hoxha, dhe se po e përshtat Edi Rama. “Doli së fundi nga veprat e diktatorit mizor, alternativa e rrugës së vetme, të cilën po e qarkullon nëpër Shqipëri kryetari i Partisë Socialiste. Pavarësisht se e ka marrë nga veprat e babës të tij shpirtëror Enver Hoxhës, dua ti them këtu se kurrë ndonjëherë më ato kohëra nuk kthehen, mirë po ajo alternativë për veç anës së të shkuarës  së zezë ka rikthyer anën tjetër të medaljes të sharjes  të shpifjeve të trillimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin e qytetarëve të lirë, me moralin e qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe e ftoj zotin Rama, si drejtues i një force politike të rëndësishme, t’ju paraqesë shqiptarëve alternativën e tij, sepse sharjet, shpifjet, trillimet, shqiptarët si çdo komb tjetër i qytetëruar kanë për to kazanin, kazanin dhe vetëm kazanin. Në këtë alternativë të rrugës së vetme, rruga e kombit u quajt rruga e asgjëkundit, rrugët, ndërtimet shkollat, interneti, quhen të pa qenë në këtë alternativë, përbaltet lumi i sakrificave, djersës mundit tuaj për të ndërtuar një Kukës tjetër, një Shqipëri tjetër. Por ju garantoj se çfarëdo që të shpifë, të trillojë dhe të shajë nuk kam ndërmend të merrem as edhe një sekondë me të.  Do të merremi vetëm me ju, me njëri-tjetrin, me hallet tona, me dertet tona me përkushtimin e vizionin tonë, me projektet tona, me Kukësin qytet i zhvilluar me Shqipërinë vend i zhvilluar, me Kukësin kopsht i bukur, në veriun e Shqipërisë. Shqipërinë kopshti më i bukur me madhështor në Europë.  Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Kukësi është i pari, Shqipëria është e para. Ndaj dhe ju ftoj me 8 maj të votoni Hasan Halilin, të votoni kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”, të votoni si qytetarë Europiane, të vendosim të gjithë së bashku në  ndërtesën e bukur që ndërtojmë, një tullë te re për ta bërë atë më të bukur më të fortë me Europiane, për të lartësuar gjithnjë e më shumë idealin tonë të lirisë”- tha Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se në 8 maj qytetarët do vendosin për integrimin dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar në kopshtin më madhështor dhe më te bukur të Europës siç e ka bërë zoti.

Në Mirditë, Berisha: Ky vend do jetë një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të energjisë 

Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve të prezantimit të alternativës për qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, zhvilloi dje në mesditë një takim me qytetarë të Rrëshenit, Mirditë. Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për kandidatët për kryetar bashkie në Rrëshen Gjon Deda dhe Mark Ruci, në Rubik, si dhe garantoi qytetarët e Mirditës se qeveria do të shumëfishojë investimet për këtë rreth dhe do të financojë çdo projekt për zhvillimin e tij. “Mirdita, - tha kryeministri  - është një vend me pasuri të jashtëzakonshme, në ujëra dhe minerale dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve, si dhe do të ndërtohen dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend”. “Shpreh kënaqësinë që paraqes sot, për kandidat për kryetar bashkie në Rrëshen e Rubik kryetarët tuaj aktualë, dy nga qeveritarët vendorë më të talentuar të Shqipërisë, të cilët i bëjnë nder qeverisë, Partisë Demokratike, i bëjnë nder çdo qytetari të Mirditës dhe me të cilët Sali Berisha krenohet me punën, moralin dhe aftësitë e tyre. Unë jam sot, këtu, për t’u dhënë juve fjalën e nderit se këto katër vjet, çdo projekt që ju, me mençurinë e punën tuaj, do të hartoni e bëni me kryetarët tuaj të ardhshëm, me kryetarët e komunave, për një Rrëshen modern, Rubik modern dhe Mirditë të zhvilluar, qeveria shqiptare do ta financojë në mënyrë që këto katër vite të jenë vitet, në të cilat ne të kemi vendosur Shqipërinë, të kemi vendosur Mirditën në vendet e zhvilluara”- tha Berisha duke iu drejtuar qytetarëve të Rrëshenit. Sipas tij, qeveria ka arritur rezultate spektakolare në reforma, teksa tashmë Shqipëria është anëtare e NATO-s, qytetarët udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian si dhe rritja ekonomike e cila bëri të mundur edhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Një vëmendje të veçantë tha kryeministri, qeveria i kushtoi rrjetit rrugor, për shndërrimin e tij në një prej më modernëve në Evropë. “Në këto vite, ne, që kishim infrastrukturën më të prapambetur të Europës e një nga më të prapambeturat në botë, po ndërtojmë së bashku infrastrukturën më moderne dhe në tre vjet, Shqipëria do të ketë infrastrukturën më të mirë në Europën Juglindore dhe një nga infrastrukturat rrugore më të mirat në Europë. Në territorin tuaj lëshoi shtat madhërishëm një ëndërr kombëtare, madhështore dhe e pavdekshme, korridori i kombit, vepra më e madhe që shqiptarët kanë ndërtuar në të gjitha kohërat”- tha Berisha. Duke u fokusuar te projektet madhore të qeverisë në energjetikë, kryeministri deklaroi se Mirdita është një vend me resurse ujore, por jo vetëm. Në këtë aspekt, Berisha tha se në katër anët e këtij rrethi do ndërtohen dhjetëra HEC-e. “Mirdita është një vend me pasuri të jashtëzakonshme. Malet e Mirditës mbajnë në zemrën e vet rezerva kolosale të mineraleve nga floriri tek bakri e minerale të tjera. Unë jam i bindur se ajo që është shfrytëzuar është vetëm maja e ajsbergut dhe vitet që vijnë do ta faktojnë Mirditën një nga trevat më të rëndësishme të prodhimit të këtyre mineraleve. Mirditën, e cila është vend i pasur në ujëra, ju garantoj se në të katër anët e këtij rrethi do të ndërtojmë dhjetëra hidrocentrale, për ta bërë Mirditën një prodhues të rëndësishëm të energjisë në këtë vend. Ne po zhvillojmë një revolucion të vërtetë industrial, ne po bëjmë gjithçka për një Shqipëri superfuqi energjetike në rajon, për Shqipërinë, një prodhuese e rëndësishme e prodhimit industrial. Vitin që kaloi, ky vend, kjo tokë ishte e vetmja në Europë që pati rritje 63 përqind të eksporteve. Por ne të gjithë së bashku mund të bëjmë shumë më tepër e duhet të bëjmë, në shenjë dashurie e respekti për Mirditën. Çdo pëllëmbë toke të këtij vendi të bekuar, duhet të vendosim ta qëndisim me pemë, ta shndërrojmë Mirditën, ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të bukur, më madhështor të kontinentit europian”- deklaroi kryeministri. Po ashtu dhe turizmi s’do ngelet pas. Për zhvillimin e tij, Berisha premtoi investime në infrastrukturë rrugore. “Mirdita ka vende mahnitëse turistike. Gjatë këtyre katër viteve do të çojmë infrastrukturën rrugore dhe do të ndërtojmë së bashku Mirditën turistike. Ne po ndërtojmë infrastrukturën moderne.

Krumë: Të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar
 
Kryeministri Berisha ka vijuar turin elektoral në qarkun e Kukësit. Fillimisht, Kryeministri u ndal në Krumë dhe në një takim me banorë të kësaj bashkie shprehu vlerësim e mbështetje për z. Bardhyl Peka, kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të kësaj bashkie. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë që gjatë katër viteve që vijnë do të investojnë çdo projekt për të pasur në këtë bashki shërbime të standardeve evropiane. “Sot unë kam një lutje për ju, banorë të Hasit dhe për çdo shqiptar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë vendin më të zhvilluar, të punojmë këto vite për të bërë Shqipërinë kopshtin më të bukur e më madhështor të Evropës”, u shpreh kryeministri, duke vijuar se “vij këtu tek ju për t’ju dhënë fjalën time se në katër vitet që vijnë në këtë qytet dhe në këtë rreth do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë, do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë dhe kopsht, në mënyrë që ju të udhëtoni në rrugë të standardeve evropiane dhe fëmijët tuaj të mësojnë në shkolla e kopshte të standardeve evropiane”. “Në këtë qytet dhe në këtë rreth do të investojmë për furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe kanalizime në të katër anët e Hasit, në mënyrë që ju, aty ku jetoni, të keni infrastrukturë të njëjtë me qytetin dhe që fshatrat tuaja t’i keni të zhvilluara njëlloj si fshatrat evropiane”- tha Berisha.

Berisha viziton linjën e re të prodhimit të këpucëve dhe veshjeve “Bertoni” në qytetin e Kukësit
 
Kryeministri Berisha, i cili dje ndodhej në Kukës, u ndal për të vizituar filialin e ri të fabrikës së prodhimit të këpucëve dhe veshjeve “Bertoni”, në këtë qytet. Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi me punonjëset e kësaj fabrike, si dhe me menaxherin e kompanisë “Bertoni”, zotin Paulin Radovani, të cilin e përgëzoi për këtë linjë të re prodhimi që mundëson punësimin e shumë grave dhe vajzave, nga ky qytet dhe zonat përreth. Duke uruar që prodhimet e dala nga duart e tyre të shkojnë në tregjet e mbarë botës, kryeministri premtoi se qeveria do të ndërmarrë në vazhdimësi çdo masë lehtësuese në ndihmë të biznesit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›