E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lumtur për titullin

Nga Express më 27 maj 2011 në ora 10:06

Xherdan Shaqiri ndihet i lumtur që e fitoi titullin e kampionit të Zvicrës me Baselin. “I gjithë qyteti po e feston fitoren e Baselit. Tashmë kemi filluar festën”, ka thënë futbollisti kosovar për tabloidin zviceran, Blick.

Ai e shënoi golin e dytë për Baselin, të mërkurën mbrëma, në fitoren 3:0 ndaj Luzernit. Kjo fitore ia siguroi këtij ekipi titullin e kampionit, duke e lënë prapa Zurichun, i cili e përfundoi sezonin me një pikë më pak. “Goli im ishte një lehtësim për ne, ngase në pjesën e dytë do të luanim të qetë dhe të lirë”, tha 19-vjeçari.

Për Baselin, ky ishte titulli i dytë rresht në AXPO Super League. ‘Shaq’ e ka përshkruar me pak fjalë këtë ndjenjë.

“Pas sezonit të kaluar, ne e morëm seriozisht punën dhe e nisëm nga zeroja, aty ku e kishim lënë. Ky titull ishte i rëndësishëm për stafin teknik. Ne kemi një skuadër kualitative”, shtoi Shaqiri, për të cilin mediat zvicerane shkruajnë se ky ishte sezoni i fundit me Baselin.

Përpos tij, titullin e kampionit të Zvicrës e festuan edhe tre futbollistët e tjerë shqiptarë, Beg Ferati dhe vëllezërit Granit e Taulant Xhaka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›