Gerrardi, optimist

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard ka pranuar se është optimist për sezonin e ri, sidomos nëse klubi sjell përforcime kualitative.
Liverpool e filloi sezonin në formë jashtëzakonisht të dobët dhe në një periudhë gjendeshin afër zonës së rrezikuar.
Seria e rezultateve të dobëta u përcoll me shkarkimin e Roy Hodgsonit nga posti i menaxherit, por me emërimin e legjendës së klubit, Kenny Dalglish, rezultatet u përmirësuan dhe ekipi përfundoi në pozitën e gjashtë në Premierligë.
Par sezonit të ri, Gerrard beson se Liverpool është afër të kthehet sërish si fuqi dominuese dhe beson se me disa përforcime do të shkojnë në drejtimin e duhur.
“Jam shumë entuziast për sezonin e ardhshëm”, tha Gerrard për të përditshmen angleze, Daily Mirror.
“Nëse mund të ruajmë formën që shfaqëm në periudhën e fundit të sezonit të kaluar, të rikuperojmë futbollistët e lënduar dhe të sjellim disa përforcime kualitative, kurrë nuk i dihet se çka mund të ndodhë. Me besimin që kemi dhe futbollistët e jashtëzakonshëm që tashmë kemi në ekip, ne e dimë se mund t’i qasemi çdo ndeshjeje me mundësi të mirë për të dalë në krye”, shtoi ai.
Megjithatë, Gerrard ua përkujtoi bashkëlojtarëve dhe tifozëve të mos e teprojmë me optimizëm meqë i pret ende punë e madhe për të bërë.
“Kur luani futboll të mirë, kjo ju jep besim se edhe kur humbni topin, do ta merrni sërish dhe ky ka qenë çelësi për ne. Rreziku, sigurisht është të mos vetëkënaqemi. Ne nuk duhet të besojmë se menjëherë jemi bërë fantastik, sepse edhe pse jemi përmirësuar na pret punë e madhe për të qenë në konkurrencë me rivalët për kreun e tabelës”, vazhdoi ylli anglez.
Por, Gerrard beson se me disa përforcime të mëdha, klubi do të hynte në garë për titullin e kampionit në Premierligë. “Me disa përforcime kualitative, ne e dimë se çka mund të bëjmë”, përfundoi ai.
Përveç përforcimeve të reja, Liverpool shpreson që rikthimi i Gerrardit në ekip do t’i përmirësojë edhe më tepër paraqitjet e tyre meqë kapiteni mungoi pjesën më të gjatë të sezonit për shkak të lëndimeve.