Dida nuk bashkëpunoi në gjobëvënien ndaj baxhanakut të tij

26/02/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar akuzën e ngritur kundër ish-drejtorit të policisë së Beratit Ilirian Dida, për bashkëpunim në gjobëvënien e 100 mijë eurove kundër baxhanakut të tij, Fatos Hamzallari. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol“, nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithsme, të cilat thanë se nga hetimet e kryera rezultoi se Dida nuk ishte i përfshirë në këtë gjobëvënie. Sipas burimeve, hetuesit e Krimeve të Rënda kryen të gjitha verifikimet e nevojshme nga ku u konkludua se Dida ishte i pafajshëm për akuzën që i ishte ngritur. Burimet sqarojnë se Dida nuk kishte kryer asnjë thirrje në aparatet celularë të të arrestuarve të tjerë të akuzuar për këtë pengmarrje. Ky fakt mësohet se është bazuar në verifkimet e tabulateve të thirrjeve të telefonave të tyre. Kështu, burimet shprehen se nga këto verifikime është vërtetuar se të arrestuarit e tjerë kishin telefonuar Didën dhe jo ish-komisari ata. Mësohet se Dida u arrestua atëherë pas deklarimeve të dhëna nga një prej të akuzuarve si gjobëvënës i Hamzallarit. Burimet thonë se ka qenë pikërisht një prej të arrestuarve të tjerë që ka implikuar Didën në këtë ngjarje, duke pohuar se kishte qenë ai iniciatori dhe organizatori i gjobës ndaj baxhanakut. si bashkëpunëtorë të Didës, Policia prangosi në nëntor të vitit të kaluar edhe dy vëllezër beratas. Ata janë Erjon Qerja dhe Emiljano Tafa. Ky i fundit kishte ndryshuar mbiemrin për shkaqe emigrimi. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi atëherë për Didën Masën e sigurisë burg pa afat, të cilën e rrëzoi ajo e apelit disa ditë më vonë. Ndërsa ai u prangos dy ditë më parë, pas vendimit të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Apelit të Gjirokastrës që e dënoi me katër vjet burg për veprën penale të “marrjes së mitës“. Pas arrestimit ai është shoqëruar nga forcat e policisë kryeqytetase në qelitë e Burgut të Vaqarrit. Dida vetë ka deklaruar se do ta ndjekë këtë çështje në Gjykatën e Lartë, duke pohuar se dënimi i dhënë ndaj tij ishte i padrejtë.