I mbijeton “Portokallisë”

I njohur për karakteret e tij interesante, sidomos në imitimin e politikanëve, aktori kosovar Kreshnik Ibrahimi vazhdon që të jetë njëri prej humoristëve që ka qëndruar më së shumti me skeçet e tij humoristike në shoun e njohur të televizionit Top Channel, “Portokalli”.
Ish-humoristi i “Përrallë me tupan”, me sukses është duke vazhduar edhe studimet për aktrim në Tiranë.
Ishte shatori i vitit 2008 kur ai la “Përrallën...” dhe shkoi në Portokalli, përderisa tani ai është futur në sezonin e katër që bën humor, duke imituar kryesisht në skeçet e tij kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kreshniku ka treguar vetë për Express Rozë se do të vazhdojë edhe në sezonin e katërt në “Portokalli”.
Më parë, në cikle të këtyre emisioneve, kanë marrë pjesë edhe humoristi Vedat Osmani, i njohur në Kosovë si njëri nga “Stupcat”, pastaj humoristi Sevdai Radogoshi – Qumili.
Për një sezon në emisionin “Portokalli”, ka marrë pjesë edhe aktorja Edona Reshitaj, e cila tani luan në serialin “Spitali-Ks”.
Por, të gjithë këta humoristë nuk kanë arritur që të jenë më shumë se një sezonë në “Portokalli”.