Protestë për pak groshë

Në Teatrin Kombëtar, të mërkurën, u mbajt një protestë një orësh nga aktorët dhe gjithë punonjësit e teatrit. Ata besojnë se kjo protestë do të ndikojë në instancat e larta dhe do punojnë më shumë në plotësimin e disa kushteve, të cilat, sipas tyre, janë të tmerrshme dhe pamundësojnë vazhdimin e punës.
Punonjësit e Teatrit Kombëtar kishin nënshkruar një peticion (deri në atë kohën kur mbahej protesta kishin nënshkruar 42 punonjës), për t’i shprehur në këtë mënyrë pakënaqësitë e tyre për pagat e ulëta, të cilat kishin marrë që nga paslufta.
Kryetari i sindikatës së pavarur të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Mehmet Breznica, flet para artistëve dhe para medieve, në emër të protestuesve, për kërkesat të cilat duhet të përmbushen.
“Ne të posa shënuarit ne këtë peticion të dalë në këtë protestë të organizuar në hollin e teatrit, kërkojmë nga kryeministri i republikës së Kosovës që të shfrytëzojë autoritetin e tij dhe të ketë mirëkuptim për çështjen tonë, për rritjen e pagave të këtij institucioni të rëndësisë së veçantë, në nivelin e universitetit. Shpresoj që kryeministri do t’i akceptojë drejt kërkesat tona pasi që shpesh aktorët quhen ambasador, dhe për të na quajtur ambasador duhet t’i kemi ato paga”, tha Mehmet Breznica.
Sipas Breznicës, ky është hapi i dytë të cilin e bëjnë punonjësit e teatrit shenjë revolte për paga të ulëta.
Sindikata e teatrit i është drejtuar përmes një letre zyrës së administratës së Kryeministrit, por s’kanë marrë përgjigje. Në mungesë të përgjegjës së kësaj letre hapi i dytë ka qenë organizimi i kësaj proteste një orësh. Peticion i nënshkruar nga aktorët dhe punonjësit e këtij teatri do t’i dërgohet prapë kryeministrit dhe do t’i kërkohet përmbushja e kërkesave.
Fjalëve të kryetarit të sindikatës iu bashkua edhe zëvendës kryetari i sindikatës së pavarur të Teatrit Kombëtar, Selman Jusufi.
“Puna e artit dhe e kulturës nuk është punë që bëhet me ndihma dhe asistencë sociale, puna e artit dhe e kulturës bahet me konstituimin e shtetit ekonomik dhe politik”, tha Jusufi.
Ai kthehet në të kaluarën, në vitin ’99, atëherë kur teatri ka pasur shumë vështirësi. “Por jemi kthyer dhe e kemi vazhduar punën në këtë teatër, ka qenë krejt normale që ditët e para të punojmë me asistenca sociale, vetëmohim me ndihma e voluntarizëm, u bënë 10 vjet që ne na vazhdon i njëjti status që është paradoksal”.
Jusufi vazhdon me një shembull konkret, duke retorizuar faktin se në emër të ligjeve, në emër të letrave, doajeni i këtij teatri ka rrogën ma të vogël se pastruesi i ministrisë së kulturës. Gjërat kanë ardhur ashtu thua se asistenca sociale dhe ndihma mjaftojnë për të punuar, krijuar.
I pranishëm në përkrahjen e kësaj proteste ishte edhe zëvendëskryetari i sindikatës së SBAHK-ut, Rashit Maliqi.
“Greva juaj është shumë e drejtë dhe legjitime, ju nuk jeni këtu që të kërkoni lëmoshë nga qeveria, por as sektorëve tjerë që veprojnë në Kosovë, por ju jeni të ktheni dinjitetin e një punëtori të artit. Një artist nuk mund të punojë diçka nëse dinjiteti i tij është thyer, pagat e punëtorëve të teatrit janë paga që janë shumë ma të vogla se të një sekretari apo të një asistenti të një ministrie respektivisht të një udhëheqësi në Kosovë”, tha ai.
Ai shprehet se është e tmerrshme që një Teatër Kombëtar të funksionojë dhe të punojë në kushte të tilla, rroga e një punëtori të teatrit është vetëm 120 euro, pavarësisht që shumë prej tyre shpesh punojnë nga 15 orë në ditë atëherë kur ka shfaqje apo prova gjenerale, asnjëherë nuk kompensohen për orarin e kaluar sikur do të duhej të ndodhte apo sikurse ndodh në gjithë traditat e teatrove ndërkombëtare, ku personeli i cili punon jashtë orarit paguhet dyfish.
Pak para mbylljes së kësaj proteste, Burbuqe Berisha, drejtoresh e Teatrit Kombëtar, flet rreth asaj se edhe ajo është pjesë e problemeve të tyre aq më pak që është vet krijuese dhe siç e thotë ajo “jua di hallin”.
Berisha qëndron shumë afër “hallit” të gjithë stafit punonjës të teatrit, edhe pse vetëm këtë vit e mori detyrën e drejtoreshës së Teatrit Kombëtar.
”Në momentin që e kam marr detyrën, ju kam thënë që detyra ime kryesore është që ta kthej dinjitetin e juaj. Kjo ndikon në ju dhe në atë moment kur ju nuk jeni të qetë shpirtërisht ju nuk jeni në gjendje të krijoni vepra të mira, teatri është mburrja e këtij shteti. Shpresoj që do të hasim në mirëkuptim dhe do të merren masa nga instancat e larta që të ndikojnë në pagat e juaja të cilat nuk janë paga por janë ndihma sociale. Dhe buxheti për kulturë jo të jetë një për qind i gjithë buxhetit të Kosovës, por të jetë të paktën sa e kanë shtetet në rajon”, tha ajo.