I merr ish-të dashurën, ish-gardiani i vë tritol makinës
ARRESTIMI/ Haxhi Brami i vuri tritolin automjetit të rivalit të tij. Në makinën e tij u gjetën pranga, stema policie, shkopinj gome, armë
KRUJË - Shpërthimi i një automjeti mesditën e së enjtes në qytetin e Krujës ka vënë në pranga një ish-polic në burgun e Zaharisë në Krujë, si dhe dy persona të tjerë të akuzuar si bashkëpunëtorë. Haxhi Brami është arrestuar, teksa akuzohet se është autori i vënies së një sasie tritoli në automjetin tip "Benz" me targa H8CJN, në pronësi të shtetasit Sh.Keqi. Shkak për këtë ngjarje dyshohet të jetë fakti se pronari i automjetit që shpërtheu ishte lidhur me ish-të dashurën e Bramit. Pas një kontrolli në mjetin e 25-vjeçarit ish-polic u gjetën një armë zjarri, 2 stema policie, një palë pranga, si dhe dy shkopinj gome. Si bashkëpunëtorë të tij kanë përfunduar në pranga shtetasit Erind Sadiku dhe Ëngjëll Vogli, edhe ata banorë të lagjes "Seseri", si dhe 25-vjeçari.
Sipas burimeve të policisë së Krujës bëhet e ditur se rreth orës 20:00 të së enjtes është arrestuar në flagrancë 25-vjeçari Haxhi Brami, banor i lagjes "Seseri", ish-polic në burgun e Zaharisë. Ai u arrestua pasi mëngjesin e po kësaj dite, në bashkëpunim me Erind Sadikun e Ëngjëll Voglin, dyshohet se kanë vendosur një sasi lënde eksplozive në autoveturën tip "Benz", pronë e shtetasit Sh.Keqi. Mes tij dhe Bramit mësohet se ka pasur konflikte të mëparshme dhe shkak për këtë ka qenë ish-e dashura e 25-vjeçarit. Fakti që ajo është lidhur me një tjetër ka bërë që Brami të reagojë në mënyrë të tillë kërcënuese. Mësohet se një konflikt i tillë ka çuar edhe në zbulimin e autorit të ngjarjes. Gjatë shpërthimit, është dëmtuar pjesa e përparme e automjetit. Por, teksa kanë arritur tek personi që ka vendosur eksplozivin, gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin e tij ata kanë gjetur një automatik si dhe pajisje të një punonjësi të policisë, duke filluar nga prangat, stemat e policisë e shkopinjtë e gomës. Në mjet u gjetën dhe dy krëhëra pistolete tip TT, të mbushura me nga shtatë copë fishekë, ndërkohë që nuk kanë gjetur armën. Para bluve Brami nuk ka pranuar se zotëronte ndonjë pistoletë.
Policia deklaroi se pas kryerjes së veprimeve proceduriale, ndaj Haxhi Bramit janë ngritur akuzat e "shkatërrimit të pronës me eksploziv", "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", "mbajtje pa të drejtë e uniformës". Gjithashtu, ndaj shtetasve Erind Sadiku e Ëngjëll Vogli, të dy 21-vjeçarë është ngritur akuza e "shkatërrimit të pronës me eksploziv". Ata do të hetohen në gjendje të lirë. M.Brunga