E Diel, 1 Nëntor 2026

I moshuari pranon krimin. Familja e autorit: Nuk e dinim. Hasmëritë u mbyllën në ‘44 Vret për gjakmarrje pas 66 vjetësh Mirditë, 80-vjeçari pritë bashkëfshatarit 46 vjeç

Një 80-vjeçar ekzekutoi dje në mes të ditës bashkëfshatarin e tij, duke rikthyer historinë e gjakmarrjes së mbyllur 66 vjet më parë.

Ndue Deda, 46 vjeç, u ekzekutua me 4 plumba pistolete, në afërsi të fshatit Gëziq të Rrëshenit nga Ndue Cupi. I moshuari ka pranuar para familjarëve pas vrasjes se nuk e kishte harruar krimin e ndodhur në vitin 1944, kur ende pa lindur viktima e djeshme, dy familjet ishin futur në hasmëri mes tyre.
Policia e Mirditës zbardhi ekzekutimin e Dedës pak kohë pas marrjes së njoftimit për një krim shumë pranë rrugës nacionale, në nënkalimin e fshatit Gëziq. Aty, Ndue Gjin Cupi i kishte zënë pritë Dedës me armë në dorë. Në momentin kur i është afruar e ka qëlluar me armë zjarri, plumbat e së cilës i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Lajmi i vrasjes ka marrë dhenë, por autori i ngjarjes mbeti mister. Burime të policisë thanë se i moshuari ka shkuar në shtëpinë e tij, ku u ka treguar djemve për ngjarjen e ndodhur. “E kam vrarë për të marrë një gjak të vjetër. Po të mos e bëja këtë, nuk do më kalbtte toka”, - mësohet të jetë rrëfyer ai në familje. Vetë të afërmit njoftuan policinë, duke i kërkuar asaj të arrestonte autorin e krimit të Ndue Dedës. Forcat e policisë i kanë vënë prangat plakut, pasi kanë dëgjuar fillimisht nga goja e tij se kishte qëlluar për vdekje Dedën, në emër të gjakut të rreth 7 dekadave më parë. Sipas dëshmisë së dhënë prej tij dhe familjarëve në polici, mes dy fiseve hasmëria nisi në vitin 1944, atëherë kur një pjesëtar i familjes çupi kishte vrarë stërgjyshin e Ndue Dedës. Brenda një kohe të shkurtër ishte zbuluar autori dhe gjaku ishte marrë, duke u vrarë pas rreth 1 muaji një person i fisit, i cili kreu i pari krimin. Në atë kohë gjaku u quajt i marrë dhe mes familjeve nuk ka pasur probleme gjatë viteve të mëtejshme. Djemtë e autorit të djeshëm nuk e kishin pikasur, siç kanë pohuar vetë ata, se çfarë bluante në kokë babai i tyre, 80- vjeç tashmë. Për ta ka qenë tepër tronditës fakti se i moshuari kishte kryer vrasjen e 46-vjeçarit. Ata janë shprehur para grupit hetimor, se nëse do e dinin këtë më parë, nuk do e kishin lënë të atin që t’u linte në shpinë një histori gjakmarrjeje. Policia po heton të gjitha shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë dhe ka marrë në pyetje autorin si dhe pjesëtarë të tjerë të familjes çupi. Ajo ka sekuestruar armën e krimit dhe gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, ndërsa ka mësuar dhe itinerarin që plaku ka ndjekur deri tek kryerja e vrasjes. Ndue Deda është parë në orët e para të mëngjesit në një lokal të Rrëshenit duke blerë disa gjëra për shtëpinë e tij, për të hipur më pas në furgonin e fshatit Gëziq për të shkuar në shtëpi. Sapo ka kaluar nënkalimin e autostradës është gjendur nën breshërinë e plumbave. Babai i 2 fëmijëve ka punuar për disa vjet si furrtar në Rrëshen, ndërsa prej kohësh ishte i papunë. Policia po heton tërë shkaqet e kësaj vrasje, ndërkohë që ka marrë masa duke larguar familjen çupi në një vend tjetër dhe po e mban nën mbikëqyrje situatën. Deri tani është konfirmuar nga policia se ngjarja e rëndë ndodhi për motive gjakmarrjeje, ndonëse vetë familjarët kanë qenë ata që kanë rrëfyer historinë mes dy familjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›