I mposhtur, por krenar

Wolverhampton e ka mbyllur të shtunën mbrëma serinë e ndeshjeve pa humbje, plor 29 sosh, të Manchester United, të cilin e mposhti me rezultat 2:1.
Wolves reagoi mirë, pasi e pa veten në disavantazh qysh në minutën e tretë, kur shënonte Nani, për ta përmbysur rezultatin me golat e George Elokobit e Kevin Doyles. Kjo ishte një fitore për mbamendje për Wolvesin, i cili megjithatë mbetet në pozitën e fundit të Premierligës angleze.
Menaxheri i ‘Djajve të Kuq’, Sir Alex Ferguson thotë se ishte i zhgënjyer kur i pa lojtarët e tij duke e pësuar humbjen e parë këtë sezon, por ai ndihet krenar me mënyrën se si po luan ekipi i tij.
“Jam i zhgënjyer, natyrisht, pasi që ishte një rrugë e gjatë për ne”, theksoi skocezi për ESPN-në.
– “Lojtarët na bënë të gjithëve krenarë. Duhet të jemi të kënaqur me këtë periudhë, por sot në pjesën e dytë nuk luajtëm mirë. Forma të cilën e kemi shfaqur në dy muajt e fundit, ishte e jashtëzakonshme, kështu që sot ishte një hidhërim i madh”, deklaroi Ferguson, i cili e pranoi se kishte frikë edhe para lojës për lojën nga ndërprerjet, e cila ishte fatale për ekipin e tij. Përkundër humbjes, Manchester United mbetet në pozitën e parë në tabelë.