Barça e madhe, falë Messit

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola e ka lavdëruar yllin Lionel Messi, i cili shënoi tre gola, në fitoren ndaj Atletico Madridit, të shtunën mbrëma. Sulmuesi argjentinas e udhëhoqi gjigantin katalunas drejt fitores së 16-të rresht në La Liga këtë sezon.
Fitorja ia mundësoi Barcelonës që ta thyejë rekordin e 15 fitoresh radhazi, të cilin e mbante Real Madrid, në sezonin 1960-1961. “Ne nuk do të ishim këta që jemi, pa Messin”, ka thënë Guardiola.
- “Pa të, ne do të ishim ekip i mirë, por ai e bën diferencën. Të gjitha klubet e mëdha në histori të tyre kanë lojtarë që janë ndryshe dhe Messi është njëri nga ta – ai e vendos vetë lojën”, vazhdoi trajneri spanjoll.
Messi ishte modest tipik pas ndeshjes, përkundër faktit se ky hat-trick e ngre atë në pozitën e parë të listës së golashënuesve, përpara Cristiano Ronaldos. Tash, Messi ka 24 gola.
“Kjo pak më intereson mua. Gjë më interesante është që ta vazhdojmë rrugën tonë dhe të punojmë fort, sepse Real Madrid do të jetë gjithmonë gati, për t’i shfrytëzuar gabimet tona”, deklaroi Messi.
Derisa Messi nuk foli shumë për veten, për këtë punë u përkujdes trajneri i Atletico Madridit, Quique Sanchez Flores, i cili nuk ka dyshim se cili është lojtari më i mirë në Spanjë për momentin.
“Ai është numër 1. Ai luan ashtu siç dëshiron dhe shkon aty ku dëshiron. Nuk kam parë ndonjëherë lojtar si ai, Messi është Di Stefano i shekullit XXI. Ai i ka të gjitha gjërat që i nevojiten një lojtari”, deklaroi Flores, i cili lavdëroi edhe ekipin e Barcelonës, e cila e mposhti ekipin e tij 3:0.
“Kjo është një Barcelonë universale, numër 1, ekip i madh. Ky ekip ka aftësi ta hipnotizojë kundërshtarin”, tha në fund Quique Sanchez Flores.
Edhe portieri i Atleticos, David De Gea, i cili e nxori tri herë topin nga rrjeta, ka thënë se ndaj një ekipi siç është Barcelona, aq më tepër në stadiumin Nou Camp, nuk mund të bësh asgjë më tepër.