E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu i provave

Bardhyl Kaçiu ka provuar tash e disa vjet të transferohet në ndonjë klub të huaj, mirëpo asnjëherë nuk ia doli të gjejë angazhim jashtë kufijve të shtetit. Ai thotë se nuk ka pasur fat, por as kohë të mjaftueshme për t’i treguar kualitetet e tij gjatë provave nëpër skuadra të huaja. Megjithatë, mesfushori kosovar ka ende shpresë që do ta realizojë dëshirën e tij të madhe. Nga Valon Konushevci më 07 shkurt 2011 në ora 12:24

Bardhyl Kaçiu është njëri prej futbollistëve kosovarë, emri i të cilit më së shumti është përmendur në këto vitet e fundit për t’u transferuar nga Superliga e Kosovës në ndonjë ligë më të fortë evropiane.

Mirëpo, mesfushori i Trepçës ndonëse është munduar të kalojë në ndonjë klub të huaj, asnjëherë nuk ia ka arritur qëllimit që të gjejë angazhim jashtë kufijve të shtetit.

Në çdo afat kalimtar, gjatë këtyre tri-katër viteve të fundit, Kaçiu ka udhëtuar jashtë Kosovës për t’u provuar nëpër skuadra të huaja, por assesi nuk gjente askund vend dhe sërish i dëshpëruar kthehej në futbollin kosovar.

Së fundmi, brenda një kohe shumë të shkurtë, ai u provua në dy klube. Kaçiu, fillimisht u testua në skuadrën e Bundesligës 2, Karlsruhe dhe më pas edhe në ekipin e Azerbajxhanit, Olimpik Baku.

Por, ish-futbollisti i Prishtinës, në mungesë të fatit nuk gjeti angazhim në asnjërin prej këtyre dy skuadrave dhe u detyrua t’i rikthehet përsëri Trepçës.

Megjithatë, ai thotë se nuk ka dështuar në tentativat e shumta të tij për t’u transferuar në ndonjë skuadër evropiane.

“Është e vërtetë se mediat kanë shkruar shumë herë se Bardhyli po testohet në këtë skuadër, në atë skuadër, dhe në fund shkruanin se nuk ka gjetur ekip dhe është kthyer. Andaj me të drejtë dikush mund të vlerësojë se unë kam dështuar”, tha Kaçiu për Express, kualitetet e të cilit vlerësohen lart nga njohësit e futbollit në Kosovë.

“Por, nëse analizohet mirë dhe me kujdes aventura ime, pra tentimet e mia për të dalë jashtë, del se unë nuk kam dështuar. Nuk kam dështuar sepse nuk shkuar në shumë prova. Unë nuk e numëroj provë, testimin tim në një ekip për vetëm një ditë. Provë quhet kur testohesh një javë, por jo një ditë”, theksoi ai.

Kështu, ai pohon se në provë njëditore, për çdo futbollist është e pamundur t’i tregojë vlerat e vërteta të tij.

“Vetëm nëse je sikur Ronaldinho apo Messi ndoshta mund ta bindësh ndonjë ekip për të mbajtur me një provë njëditore. Të gjitha ato provat e mia kanë qenë njëditore, apo ndoshta e kam luajtur vetëm një pjesë të një loje dhe normalisht se për një kohë kaq të shkurt është e pamundur t’i tregosh cilësitë”, vazhdoi Kaçiu.

Deri më tani, ai kujton se vetëm prova e fundit në Olimpik Baku ishte ashtu siç duhet të jetë.

Madje, në mungesë të fatit ai nuk mundi të mbetet në skuadrën nga Azerbajxhani.

“Në Olimpik Baku ka qenë e paraparë për t’u provuar një javë, ashtu siç duhet. Por, më mungoi fati. Vetëm pas dy stërvitjeve, u lëndova dhe u desh të kthehem në Kosovë”, tha ai.

“Në fakt, lëndimin e kisha pësuar sa isha në Karlsruhe. Por, ashtu i lënduar shkova në prova edhe në Olimpik Baku. E zhvillonim një ndeshje kontrolluese, dhe në pjesën e dytë lëndimi mu riaftësua dhe nuk kishte opsion tjetër veç se të kthehem në Kosovë”, pohoi Kaçiu.

Ai theksoi se një rol të rëndësishëm për t’u siguruar siç duhet prova lojtarëve e luajnë edhe menaxherët e tyre.

“Varet shumë nga menaxheri. Menaxheri duhet të ketë lidhje të forta nëpër klube. Duhet të ketë lidhje të mira me zyrtarë dhe trajnerë të skuadrave të huaja”, përfundoi Kaçiu.

Ai mbetet me shpresë që në afatin e ardhshëm kalimtar t’i prijë paksa edhe fati dhe ta realizojë dëshirën për t’u transferuar në ndonjë skuadër të njohur evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›