E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grumbullohet Kombëtarja

Kombëtarja shqiptare është grumbulluar të dielën në Durrës, në prag të ndeshjes miqësore me Slloveninë. Selektori Josip Kuze ka thënë se sfida e së mërkurës do të jetë test i mirë para ndeshjes kualifikuese për Euro 2012 me Bjellorusinë. Nga Express më 07 shkurt 2011 në ora 12:22

Të dielën në Durrës ka nisur grumbullimi i Kombëtares shqiptare për miqësoren e së mërkurës ndaj Sllovenisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë.

Të përzgjedhurit e selektorit Josip Kuze stërvitjet nga dita e hënë do t’i zhvillojnë dy herë në ditë. Kjo është miqësorja e parë e ekipit shqiptar për vitin 2011.

Sipas kroatit Kuze, miqësorja ndaj Sllovenisë do të jetë test i mirë para ndeshjes me Bjellorusinë, që luhet në mesin e muajit mars, në kuadër të eliminatorëve të Euro 2012.

“Ndaj Sllovenisë, do të jetë një test i mirë për ekipin tonë, për faktin se do të ballafaqohemi me një skuadër jo të lehtë. Pres një paraqitje të mirë të skuadrës sonë, në mënyrë që ta vazhdojmë serinë e rezultateve të mira në ndeshjet miqësore”, ka thënë trajneri Kuze.

Risi në listën e kroatit është mosthirrja e Ervin Skelës, i cili nuk është në formën më të mirë, pasi për një kohë të gjatë ishte pa ekip. Për ndeshjen me Slloveninë ekipit kuqezi i rikthehet portieri Arian Beqaj. Kuze ka ftuar sërish në ekip mesfushorin e Portogruaros, Ledion Memushajn, derisa jashtë ka lënë sulmuesin kosovar, Ahmed Januzi.

Lëndohet Kapllani

Edmond Kapllani nuk do të mund ta ndihmojë Kombëtaren shqiptare, në ndeshjen miqësore të 9 shkurtit kundër Sllovenisë.

Sulmuesi shqiptar ka pësuar një lëndim në gju, në ndeshjen e fundit të ekipit të tij Paderborn, në fitoren 3:0 ndaj Karlsruherit. “Do të më pëlqente që të luaj sërish për vendin tim, por lëndimi i fundit nuk ma lejon një gjë të tillë”, është shprehur sulmuesi shqiptar.

Të hënën do të dihet më saktësisht rreth lëndimit të Kapllanit, i cili u desh të largohej nga fusha në minutën e 41-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›