E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në Varshavë me Kancelarin austriak Wolfgang Schuessel. Në fillim të këtij takimi, Kancelari Schuessel e ka garantuar Kryeministrin Fatos Nano se Austria do

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në Varshavë me Kancelarin austriak Wolfgang Schuessel.

Në fillim të këtij takimi, Kancelari Schuessel e ka garantuar Kryeministrin Fatos Nano se Austria do të jetë një nga avokatet e Shqipërisë në proçesin integrues drejt Bashkimit Europian. Për këtë qëllim, z. Schuessel e ka ftuar z.Nano së shpejti për një vizitë zyrtare në Austri për të biseduar konkretisht për çështjet e integrimit dhe krijimin e një lobingu në këtë drejtim.

Gjithashtu, Kancelari austriak ka përfshirë në ftesën e tij edhe përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare që në kuadrin e Dhomave të Tregtisë të dy vendeve të hedhin hapa konkretë për bashkëpunim.

Duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën ekonomike, Kancelari austriak dhe Kryeministri Nano kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm dhe janë shprehur për rritjen e pranisë austriake në sektorët e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Në veçanti, z. Schuessel është shprehur se Austria ka interes të marrë pjesë në proçesin e privatizimit të Bankës së Kursimeve.

Kryeministri Nano ka vlerësuar projektet në zbatim nga pala austriake në sektorët e energjitikës dhe të furnizimit me ujë. Ndërkohë, z.Nano shprehu interesin e palës shqiptare për pjesëmarrjen e firmave austriake në proçesin e privatizimit të sektorit energjitik shqiptar dhe në bashkëpunimin në ndërtimin e burimeve të reja energjitike.

Duke u nisur nga angazhimi i deritanishëm i palës austriake përsa i përket projekteve të furnizimit me ujë, z.Nano u shpreh për rritjen e numrit të projekteve austriake dhe në asistencën që mund t'i jepet Shqipërisë për përmirësimin e legjislacionit në këtë fushë.

Më tej, z.Nano vlerësoi angazhimin e Kompanisë austriake të kërkimit të naftës OMV, e cila vetëm në punimet në zonën e Gjirokastrës, gjatë këtij viti, ka investuar 5.7 milionë USD, ndërkohë që parashikon të investojë gjatë vitit 2004 edhe 20 milionë USD në kërkimin e naftës në zonën e Vlorës. Z. Nano ftoi firmat austriake të marrin pjesë në privatizimin e sektorit të naftës në Shqipëri dhe kërkoi institucionalizimin e marrëdhënieve midis instituteve kërkimore të dy vendeve.

Të dy personalitetet u ndalën edhe në rritjen e bashkëpunimit në fusha të tjera, të rëndësishme si turizmi, arsimit, shëndetësia, mbrojtja, kultura, etj.

Ndërkohë, në takim u vlerësua roli moderator i Shqipërisë në rajon dhe nxitja dhe intesifikimi i bashkëpunimit përmes nismave të përbashkëta rajonale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›