E Diel, 1 Nëntor 2026

I nderuar zoti Kryetar, Të nderuar deputetë, Në interpelancën e sotme më është kërkuar të shpjegohem mbi masat e marra nga qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin në administ

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Në interpelancën e sotme më është kërkuar të shpjegohem mbi masat e marra nga qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin në administratën publike dhe institucionet e tjera të shtetit, objektivat që kemi caktuar, rezultatet e arritura dhe ballafaqimin e tyre me standartet e kërkuara nga institucionet ndërkombëtare.

Më lejoni që në krye të herës të konsideroj se qeveria shqiptare e ka trajtuar problemin e korrupsionit – edhe sipas përcaktimit në programin qeverisës – si një nga fenomenet më negative, me kosto të lartë politike, ekonomike e sociale, që bashkëshoqëron periudhën e tranzicionit në Shqipëri.

Në këtë tranzicion politik, ekonomik dhe social u krijuan kushtet dhe faktorët që bënë të mundur përhapjen e korrupsionit; institucione publikë të brishtë, kuadër ligjor i pakompletuar, sistem gjyqësor i dobët, nivel i ulët i zhvillimit të shoqërisë civile dhe paga të ulëta të zyrtarëve që menaxhonin shuma të konsiderueshme.

Lufta kundër korrupsionit është një proces i gjatë, i ndërlikuar; ajo kërkon një kompleksitet masash parandaluese dhe rritje të forcës goditëse përballë elementit të korruptuar dhe tkurrje të hapësirave që do të mund të gjenerojnë korrupsion.

Politikisht kemi kërkuar kombinimin efektiv të aksioneve permanente kundër rasteve konkrete të abuzimit me pushtetin nga ana e funksionarëve publikë me masa konkrete institucionale, që çmonopolizojnë pushtetin dhe vendimmarrjen, forcojnë përgjegjshmërinë ligjore të funksionarëve publikë dhe garantojnë transparencë maksimale për qytetarin shqiptar.

Në mënyrë të përmbledhur hapat institucionalë të ndërmarrë nga qeveritë socialiste që nga viti 1997 shënohen në këtë mënyrë;

Në shtator 1997 u inicuan diskutimet mbi një program të forcimit të institucioneve publike dhe për të adresuar çështjet e korrupsionit. Në janar të vitit 1998, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim i cili konsistonte në emërimin e një grupi drejtues të përbërë nga zyrtarë të lartë të qeverisë për koordinim ndërdigasterial, mbledhje e të dhënave dhe fakteve për korrupsionin e të tjerë.

Në gusht të vitit 1998 qeveria shqiptare miratoi planin e veprimeve në luftë kundër korrupsionit, që përfshinte një program të gjerë reformash, si reforma për menaxhimin e financave publike dhe prokurimet, reforma në administratën publike dhe shërbimin civil, reforma juridike dhe ligjore, si dhe tërheqjen e publikut në këtë proces.

Në vitin 1999, nga Komisioni Teknik Antikorrupsion dhe grupet e tij sektorialë filloi rishikimi i planit antikorrupsion, çka u bë me mbështetjen dhe konsulencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Në prill të vitit 2000 plan i rishikuar u miratua nga qeveria, gjë që u ndodhi në të njëjtën kohë me inagurimin e inisiativës antikorrupsion të Paktit të Stabilitetit dhe paraqitjen nga qeveria shqiptare të status raportit për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

Gjatë vitit 2001 qeveria shqiptare, në përputhje me Planin e Veprimit të Inisiativës Antikorrupsion të Paktit të Stabilitetit përmbushi të gjitha veprimet e menjëhershme të këtij plani, si përcaktimi i pikës së kontaktit, propagandimi publik i inisiativës antikorrupsion, transparenca në prokurimet qeveritare, hapat fillestare kundër korrupsionit në asistencën e zhvillimit, aksesi në informacionin e qeverisë, pjesmarrja e publikut në këtë nismë dhe sigurimi i të dhënave të referencës.

Programi antikorrupsion i qeverisë shqiptare parashikon dhe vendos relacione të shumëfishta me struktura të tjera të pavarura si prokuroria, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit, shoqëria civile dhe biznesi. Ai synon harmonizimin e përpjekjeve në arritjen e objektivit të përbashkët si dhe për të bërë të mundur që stabilizimi ekonomik dhe financiar të zhvillohet paralelisht me stabilitetin politik, reformën në pushtetin gjyqësor e administratën publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe me përmbushjen e detyrimeve tona në kuadër të procesit të integrimit euroatlantik të vendit.

Plani i Rishikuar Antikorrupsion përmban një sërë masash komplekse të cilat konsistojnë në:

Miratimi dhe zbatimi i instrumentave ligjorë, rregullatorë dhe metodikë evropiane dhe ndërkombëtarë,

Promovimi i mirëqeverisjes dhe një administrate publike të besueshme në të gjitha fushat dhe veçanërisht në sektorët më të ekspozuar ndaj korrupsionit si administrata fiskale dhe doganore, prokurimet publike, strukturat e rendit publik, sektorët e shërbimeve publike e të tjerë,

Forcimi e zbatimi i legjislacionit dhe promovimi i shtetit të së drejtës,

Garantimi i transparencës dhe integritetit në operacionet e biznesit,

Ndërgjegjësimi i publikut e shoqërisë civile dhe përfshirja e tyre në luftën kundër korrupsionit.

Për secilin objektiv të kësaj pakete masash janë parashikuar në mënyrë të detajuar institucionet përgjegjëse për zbatim, efektet e pritshme nga realizimi i objektivave, pengesat e mundshme, treguesit konkretë të suksesit dhe afatet kohore të realizimit të tyre.

Pjesa më e madhe e këtyre objektivave tashmë rezultojnë të realizuar, ndaj tashmë po punohet për intesifikimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të tyre si dhe përfshirjen në to të prioriteteve të qeverisë. Eshtë realizuar drafti përkatës që pritet gjithashtu të miratohet nga Qeveria shqiptare.

Të nderuar deputetë,

Qeveria shqiptare ka formuluar në mënyrë të qartë e të pakthyeshme vendosmërinë e saj politike për zbatimin e planit të masave të luftës kundër korrupsionit, të harmonizuar me angazhimet e saj të shprehura në kuadër të SAA-së, Paktit të Stabilitetit dhe Nismës Antikorrupsion. Ne jemi shprehur gjithashtu nevojën e thellë të zbatimit dhe aplikimit në praktikë të ligjeve dhe nismave të ndryshme, ku janë vërejtur shpesh shmangie dhe deformime të tyre.

Si kryeministër kam shprehur angazhimin tim politik në luftën kundër korrupsionit duke kërkuar që raportimet periodike të Komisionit Qeveritar të Luftës kundër Korrupsionit t'i adresohen në të njëjtën kohë dhe institucioneve të specializuara për luftën kundër krimit ekonomik, në strukturat e tjera përkatëse shtetërore si dhe në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Tashme eshte bere e ditur se bazuar ne rezultatet qe qeveria shqiptare ka arritur ne luften kunder korrupsionit, Departamenti i Shtetit i SHBA e kaloi Shqiperine nga grupi i III ne vendet e grupit te II. Po keshtu, edhe Bashkimi Europian i ka vleresuar perpjekjet e Qeverise Shqiptare ne lufte kunder korrupsonit dhe trafiqeve ilegale, cka reflektohet edhe ne politiken e BE-se per hapjen e bisedimeve per marrevshjen e Stabilizim-Asociimit me Shqiperine.

Si kryeministër, gjithashtu e kam konsideruar të papranueshme situatën aktuale dhe politikisht e kam cilësuar si një njollë në qeverisje faktin që politika, organi i akuzës, por dhe opinioni publik përgjithësisht ka prodhuar akuza pa të akuzuar zyrtarisht, që janë identifikuar mëkate pa ndëshkuar mëkatarët dhe janë regjistruar humbje financiare pa siguruar rikthimin e tyre në buxhetin e shtetit.

Të nderuar deputetë,

Plani Antikorrupsion i qeverisë shqiptare përfshin një numër të madh masash të shtrira pothuaj në të gjitha fushat e administratës shtetërore; qeveria shqiptare ka përcaktuar gjithashtu përparësitë e saj në disa fusha konkrete duke vlerësuar se përqëndrimi mbi to do të mund të japë rezultate më të mira dhe të shpejta.

Si të tilla do të përmendja:

Reforma institucionale dhe veçanërisht reforma në Shërbimin Civil.

Rritja e transparencës në procesin e privatizimit,

Reforma në prokurimet publike,

Reforma në policinë e shtetit,

Reforma në legjislacion,

Menaxhimi i financave publike,

Konsolidimi i njësive të specializuara në ministritë dhe institucionet qëndrore më të ekspozuara ndaj korrupsionit,

Tërheqja në mënyrë progresive e opozitës në këtë proces,

Informimi i publikut dhe garantimi i transparencës maksimale për të,

Bashkëpunimi me shoqërinë civile duke e konsideruar atë si partner në luftën kundër korrupsionit,

Të nderuar deputetë

Finalizimi i luftës kundër korrupsionit dhe ndëshkimi ligjor i mbartësve të tij, emërtimi konkret i mëkatarëve, vërtetimi i akuzave dhe rikuperimi i humbjeve të shënuara nga veprimtaritë korruptive bëhet nga sistemi gjyqësor. Efikasiteti i këtij sistemi dhe shërimi i tij nga të njëjtat simptoma korruptive që njohin dhe struktura të tjera të shoqërisë shqiptare është një kusht i domosdoshëm për suksesin e pritshëm në këtë luftë që nuk njeh ngjyra në qeverisje, që nuk është rrjedhojë e një qeverisjeje të caktuar dhe është një proces që nuk fillon e mbaron me një qeverisje të caktuar.

Për këtë, vazhdimësia dhe thellimi i reformave në fushën e drejtësisë do të përbëjnë një nga drejtimet më të rëndësishme të reformave ligjore dhe institucionale, duke synuar konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Si kryeministër dëshiroj edhe njëherë që t'ju garantoj për vullnetin e fortë politik të qeverisë që drejtoj për të mos e konsideruar këtë luftë një fushatë të rradhës kundër gangrenave bashkëshoqëruese të tranzicionit, por si një sfidë në vazhdimësi.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›