E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar miq e pjesmarrës, Kur u shembën muret e izolimit e barrierat ideologjike dhe ne shqiptarët kuptuam se përtej nesh ishte një botë tjetër nga e cila ishim vetëpërjashtuar tragji

Të nderuar miq e pjesmarrës,

Kur u shembën muret e izolimit e barrierat ideologjike dhe ne shqiptarët kuptuam se përtej nesh ishte një botë tjetër nga e cila ishim vetëpërjashtuar tragjikisht, kur ne shqiptarët kuptuam se nuk kishim qenë aspak qendra e botës, siç besonim në mënyrë naive, Evropa ishte më së shumti një ëndërr. Një ëndërr që përkthehej thjeshtë e në mënyrë pragmatiste për më shumë bukë, më shumë dritë, më shumë dinjitet njerëzor dhe më shumë mundësi për një jetë më të mirë.

Sot ne jetojmë sërish me të njëjtën ëndërr. Që ka të njëjtin emër. Që ka të njëjtën dëshirë për ta prekur. Që mbetet i njëjti udhëtim real me një kah të përcaktuar qartë – rikthim në Evropë, rikthim në atë hapësirë ekonomike, kulturore e historike e gjeografike të cilës i përkasim.

Shqipëria bën pjesë në atë areal historik të konsideruar si djepi i qytetërimit që do të derivonte në demokracinë evropiane. Durrësi, Shkodra, Berati, Gjirokastra kanë qenë po aq Evropë dhe në Evropë, sa dhe kryeqytetet e tjera të kontinentit; ndalja e hapit tonë të zhvillimit dhe divorci i detyruar me pjesën tjetër të kontinentit, besoj se tashmë i përkasin një kohe të kapërcyer.

Ja pse ne duhet të rikthehemi sërish në vendin tonë natyral, në Evropën e qytetëruar. Edhe për të fituar kohën e humbur.

Sot, kur mjetet e komunikimit masiv, kur ritmet e zhvillimit ekonomik dhe shenjtërimi i respektit për individin dhe lirinë e tij, janë në zenitin e tyre, Shqipëria ka një shans më shumë për rikthimin e pritur.

Qindra mijëra shqiptarë që gjenden prej vitesh në Perëndim janë integruar plotësisht dhe fitojnë me nder e dinjitet bukën e përditshme. Shqipëria realisht nuk është vendi që eksporton klandestinë e prostituta, dhunë dhe drogë, siç janë bërë përpjekje për ta identifikuar.

Shqipëria në këto vite të gjatë të tranzicionit ka transmetuar paprerë etjen tonë konstante për garantuar një jetë më të mirë. Gjatë kësaj periudhe dinamike e të shndërrimeve të pabesueshme gjeostrategjike, Shqipëria më se njëherë është dëshmuar si shembulli i partneritetit dhe luajalitetit, ka qenë një konstante e pandryshuar që gjeneronte e reflektonte stabilitet në rajon dhe ndikim pozitiv tek faktori shqiptar në rajon. Dhe e gjitha kjo është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e një energjie të jashtëzakonshme dhe vitaliteti të shoqërisë shqiptare. Por nga ana tjetër, kur kjo energji dhe vitalitet është devijuar, në rastin më të mirë nga politika dritëshkurtëra, atëherë dhe ne kemi dëshmuar atë pjesë barbarie që fle tek çdo popull, që del nga kontrolli i ligjit dhe të drejtës.

Ja pse ne duhet të rikthehemi sërish në vendin tonë natyral, në Evropën e qytetëruar. Edhe për të shmangur çdo aksident të rritjes dhe zhvillimit.

Të nderuar miq,

Qeveria shqiptare e ka përcaktuar procesin e integrimit evropian dhe përfshirjen në familjen e madhe euroatlantike si një nga prioritetet e saj strategjikë. Dhe kjo do të thotë se ne pranojmë dhe synojmë të arrijmë standartet demokratike evropiane, standartet në ekonomi, në dhënien e drejtësisë, në legjislacion, në infrastrukturë, arsim, kulturë, forcat e armatosura, synojmë të përqafojmë standartet demokratike evropiane që nga respektimi i institucionit të zgjedhjeve e deri tek respektimi i rregullave të ekonomisë së tregut.

Integrim do të thotë qarkullim i lirë i mallrave, kapitaleve, integrim i tregut të punës, do të thotë më shumë hapësirë dhe lëvizje dinjitoze për qytetarin shqiptar.

Kjo sipërmarrje strategjike nuk është megjithatë detyrë eskluzive e qeverisë shqiptare, por shumë më gjërë se kaq. Ai nuk është medalje që i përket një qeverisjeje të caktuar apo një spektri të caktuar politik.

Në emër të qeverisë shqiptare dëshiroj t'ju përcjell bindjen e thellë se procesi i integrimit evropian nuk konsiderohet si një pronë për t'u regjistruar në hipotekën e politikës së ditës, por thjesht si realizim i një detyrimi kushtetues për t'i siguruar qytetarit shqiptar një jetë më të mirë.

Pavarësisht ngjyrave në qeverisje, ky synim është përmbledhësi i një kërkese mbarëpopullore dhe orientim i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare. Me natyrën e saj të hapur ndaj të resë dhe prirjes për ta përqafuar atë, me aftësinë për të përballuar me dinjitet probleme dhe pjekurinë e saj, shoqëria shqiptare ka dëshmuar orientimin e saj të thellë europerëndimor.

Ky është një shkak i mjaftueshëm që këtij orientimi, t'i bashkëlidhet një pakt i qartë e i pakthyeshëm mirëkuptimi i politikës shqiptare, për rreshtimin në një krah e për t'i dhënë shtysë kësaj aspirate.

Kontributi i askujt nuk është i tepërt, pozita dhe opozita e përgjegjshme shqiptare ndajnë të njëjtat përgjegjësi dhe detyrime. Ato janë pjesë e suksesit apo dhe e ndonjë vonese tjetër të mundshme të procesit, që nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të shtojë faturën e vonesave të trishtuara që kemi pasur gjatë historisë sonë dhe këtë faturë do ta paguajmë të gjithë. Ajo nuk është dhe nuk ka si të jetë haraç për t'u paguar vetëm nga politika dhe aktorët e saj, por do të paguhet nga gjithë shoqëria shqiptare e madje dhe e gjithë faktori shqiptar në rajon e më gjerë.

Të nderuar miq,

Tashmë janë hedhur hapa të rëndësishëm në rivlerësimin e faktorit shqiptar në rajon, i cili gjithashtu është përfshirë në rrjedhat e demokratizimit të rajonit dhe integrimit të tij në Evropë. Shqipëria dhe politika shqiptare është orientuar drejt një bashkëpunimi më të gjerë e pa paragjykime me fqinjët, gjë që ka sjellë rindërtimin marrëdhënieve me ta, në frymën e respektit dhe përfitimit reciprok, duke qenë pjestare aktive e një vargu marrëveshjesh e nismash dy dhe shumëpalëshe.

Shqipëria gjithashtu ka konsoliduar rolin e saj prej moderatori dhe është vlerësuar si një faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon. E gjitha kjo është komplement dhe një proces që ecën paralelisht me procesin e integrimit të Shqipërisë në Evropë.

Ja pse ne duhet të rikthemi sërish në vendin tonë natyral, në Evropën demokratike. Edhe pse kjo është rruga e vetme për bashkëjetesë me qytetërimin.

Të nderuar miq,

Plani strategjik i qeverisë për integrimin evropian synon të përcaktojë një vizion të qartë dhe objektiva funksionale e detyra për secilin nga aktorët e përfshirë drejpërdrejt në proces dhe rreket të realizojë një konsensus sa më të gjerë dhe bashkimin e kontributeve të të gjithë aktorëve të shoqërisë sonë, të politikës, të shoqërisë civile, biznesit e më gjerë.

Ky plan nuk prezantohet si tabu, por është gykuar të shërbejë si një shtysë që gjeneron debat, por dhe kundërshti, tentativë për përmirësim, por dhe bashkëautorësi.

Eshtë pikërisht kjo arsyeja përse kjo konferencë është konceptuar si një aktivitet i gjerë e i gjithanshëm, me debat, tavolina të rrumbullakta, promovime librash, emisionesh televizive e kështu me rradhë. Pjesmarrja e një numri gjithnjë e më të madh institucionesh dhe personalitetesh, shpresoj t'i japë konferencës dimension më të gjerë dhe të shërbejë për të zgjeruar debatet dhe kontributin e gjithkujt.

Ne i njohim problemet tona, ne i njohim vështirësitë e rrugën e gjatë që duhet të ndjekim bashkarisht. Kjo konferencë besoj se do të shërbejë dhe si një kontribut në identifikim më të mirë të tyre e për t'i siguruar publikut transparencë të plotë për atë çka është bërë dhe pritet të bëhet.

Në përfundim, më lejoni të ndaj me ju dhe publikun se ne të gjithë do të dëshmojmë më shumë dashuri dhe shpirt në zgjidhjen e problematikave tona dhe rikthimin e pakthyeshëm në Evropë.

* * *

Perpara mbylljes se Konferences u zhvilluan ne seance plenare edhe konkluzionet e saj. Drejtuesit e tri tavolinave te vecanta, ne te cilat vazhdoi debati per "Integrimin Evropian – Udhetim drejt Vetvetes", ben konkluzionet respektive per ceshtje te Demoikracise dhe Politikes, Ekonomise dhe Biznesit dhe Drejtesise e Rendit.

Ne fund te ketyre perfundimeve e morri fjalen edhe Kryeministri Pandeli Majko. Pasi falenderoi te gjithe ata qe morren pjese ne organizimin e kesaj Konference dhe ata qe kontribuan me mendime dhe ide ne ngritjen e nivelit te saj, Kryeministri Majko e quajti Konferen "Integrimi Evropian – Udhetim drejt Vetvetes" nje surprize te kendshme dhe nje kontribut konkret ne politikat integruese te Shqiperise drejt familjes se perbashket evropiane. Cdo "Task Force" do ta kish zili organizimin dhe permbajtjen e kesaj Konference, tha Kryeministri Majko. Konferenca e sotme per politika integruese ne Evrope deshmoi vullnetin dhe synimin qe ka jo vetem Qeveria shqiptare, por edhe opozita, shoqeria civile etj. per te pershpejtuar politikat e integrimit, tha ne vijim Kryeministri Majko. Na takon te gjithe neve, si aktore te te gjithe shoqerise shqiptare, qe te ecim ne rrugen e reformave, te ndryshimeve, te zhvillimeve te gjithanshme, qe te jemi me afer proceseve integruse te Evropes, por edhe qe Evropa te na ndjeje me prane. Organizimi I kesaj Konference, me nje tematike kaq te gjere e qe I pergjigjet edhe nje objektivi kryesor te Qeverise shqiptare, perkon, tha Kryeministri Majko, edhe me 100 diteshin e Qeverisjes se re. Nuk kish me mire se sa me nje Konference te tille te benim nje permbledhje te realizimit te detyrave te kesaj Qeverie ne 100 ditet e para te veprimtarise se saj, perfundoi Kryeministri Majko.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›