E Diel, 1 Nëntor 2026

3 qershor 2002 "Kam kënaqësinë të përshëndes Konferencën e Parë Kombëtare mbi mjedisin, mbrojtjen e tij dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shpresoj në kontributin e pritshëm të s

3 qershor 2002

"Kam kënaqësinë të përshëndes Konferencën e Parë Kombëtare mbi mjedisin, mbrojtjen e tij dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shpresoj në kontributin e pritshëm të saj në identifikimin edhe më të qartë ideve dhe synimeve tona në këtë fushë veçanërisht të rëndësishme. Kjo konferencë është dhe një shenjë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe ndjeshmërisë së politikës shqiptare, por dhe të komunitetit për mjedisin.

Në këto vitet e fundit, zhvillimi ekonomik, social, vakuumet ligjore, fenomenet e imigrimit të brendshëm, braktisja e zonave rurale dhe mbi të gjitha politikat indiferente në këtë drejtim, kanë shkaktuar një dëmtim të dukshëm të mjedisit në përgjithësi, shpesh dhe në mënyrë të pakthyeshme.

Qeveria shqiptare i ka konsideruar masat që duhet të hidhen për frenimin e një situate të tillë të një rëndësie të veçantë, shprehje e të cilës është dhe ngritja e Agjensisë së Mjedisit në nivel ministrie, prej gati një viti. Një nga detyrat themelore të saj është zhvillimi i politikave mjedisore që synojnë garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm, që në një perspektivë afatgjatë do të sigurojë standarte të përshtatshme mjedisore në përputhje me standartet evropiane e me angazhimet e vendit në procesin e asociimit me BE-në.

Mbrojtja e mjedisit, për vetë natyrën komplekse të tij, ndërthurjen reciproke të marrëdhënieve të tij me individin, burimet potenciale që afron për mirëqënie dhe cilësi të lartë jetese, konsiderohet nga komuniteti si një çështje, vëmendja ndaj të cilës ka njohur rritje të madhe.

Në programin e qeverisë shqiptare është përcaktuar se fillimisht synohet frenimi i procesit të degradimit mjedisor e më pas, reabilitimi i zonave të ndotura dhe rritja e qnëdrueshmërisë së përdorimit të burimeve mjedisore.

Për këtë është siguruar mbështetje e plotë buxhetore për vitin 2002, është miratuar Plani Kombëtar i Veprimit për Mjedisin, ndërsa një dimension i theksuar mjedisor përshkon gjithë përmbajtjen e dokumentit të strategjisë sonë kombëtare për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit. Dhe veçanërisht, trajtimi më vete i mbrotjes së mjedisit në këtë dokument, ka përcaktuar elementët e një strategjie të zhvillimit të qëndrueshëm, që dëshmon se tashmë mbrojtja e mjedisit përbën një prioritet kombëtar. Qeveria shqiptare do te bashkepunoje me te gjithe faktoret e interesuar, perfshire dhe sindikatat e ndryshme, per mbrojtjen e mjedisit, krijimin e kushteve te pershtatshme te punes per punetoret etj.

Në këtë proces emancipimi dhe ndërgjegjësimi të politikës, një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe bashkëpunimi me BE-në në kuadër të përpjekjeve tona për integrim.

Në programin e qeverisë është parashikuar miratimi i disa ekotaksave për ndotjen e mjedisit, duke kontribubuar drejtpërsëdrejti në nxitjen e përdorimit të instrumentave ekonomikë mjedisorë, të njohur gjerësisht në përvojën evropiane, të cilat synojnë të zëvendësojnë gradualisht mjetet e komandës dhe kontrollit mbi këtë fushë.

Po bëhen përpjekje për plotësimin e vakuumeve ligjore të cilat do të parashikojnë vëmendje të veçantë e veprime konkrete mbi mjedisin, në mënyrë që të krijohen kushtet për një mbrojtje të integruar të mjedisit nga ndotja dhe dëmtimi, integrim të mbrojtjes së mjedisit në politikat e zhvillimit sektorial, përmirësim i tij në zonat veçanërisht të ndotura e komunikim intesiv dhe partneritet në vendimmarrje me publikun.

Po kështu, në të gjitha projektet e financuara nga buxheti i shtetit apo donatorë të ndryshëm, mbrotja e mjedisit, do të jetë e do të konsiderohet një element i rëndëishëm.

Ne jemi të vonuar në këtë drejtim, humbja e kohës sonë ka rrjedhur për shkak të emergjencës në të cilën jemi ndodhur shumë shpesh dhe përpilimit të politikave emergjente në këtë periudhë tranzicioni. Por besoj se tashmë është momenti që të gjykohet seriozisht e të njihen përfundimisht detyrimet që politika shqiptare dhe komuniteti ka ndaj të ardhmes mjedisore të vendit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›