E vlerësoj këtë takim të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit, si një mundësi të mirë për të diskutuar, njohur dhe institucionalizuar debatin mes jush. Unë p
E vlerësoj këtë takim të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë së Ballkanit, si një mundësi të mirë për të diskutuar, njohur dhe institucionalizuar debatin mes jush. Unë përshëndes faktin që ju keni zgjedhur Tiranën, për të realizuar këtë takim dhe dëshiroj të theksoj se Tirana zyrtare e mbështet këtë inisiativë dhe do të bëjë përpjekje serioze për të afruar kontribut në suksesin e saj.
Qeveria shqiptare ka përcaktuar si objektiv madhor garantimin e rritjes ekonomike me ritme të larta, të qëndrueshme, objektiv i cili mbështetet në rezultatet e deritanishme të reformave të shumanshme, me të cilat përballet shoqëria shqiptare, në forcimin e mëtejshëm të institucioneve dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ky objektiv ka për bazë strategjinë e zhvillimit ekonomik e social dhe programin afatmesëm të rritjes ekonomike dhe reduktimit të varfërisë, programin buxhetor afatmesëm e dokumentat e tjerë strategjikë të fushave të ndryshme të ekonomisë.
Tashmë, vendi ka hyrë përfundimisht në rrugën e garantimit të stabilitetit makroekonomik, ruajtja e të cilit është një synim themelor në programin e qeverisë shqiptare, çka përbën dhe një kusht të domosdoshëm për harmonizimin e objektivave afatmesëm të qeverisë, por dhe ato afatgjatë të zhvillimit dhe të integrimit evropian të Shqipërisë.
Në këto koncept, dhe bashkëpunimi dhe përpjekjet për institucionalizimin e marrëdhënieve të shtetit shqiptar me Dhomën e Tregtisë kanë shënuar një progres të dukshëm që shkon deri në përpunimin e tërheqjen e ideve dhe oponencës së biznesit në procesin e vendimmarrjes. Shembulli i fundit i bashkimit të përpjekjeve për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës, që përfundon në Prishtinë, është një dëshmi e faktit për ndërgjegjësimin e palëve, për respektimin e partneritetit dhe të drejtave e detyrimeve reciproke.
Unë dua të shënoj gjithashtu, se dhe bashkëpunimi midis Dhomave të Tregtisë së Ballkanit dhe biznesit të rajonit në përgjithësi, krijon një mundësi më tepër për garantimin e marrëdhënieve më të ngushta mes qeverive të vendeve të rajonit. Dhe më tej, është një shans më shumë për ruajtjen e paqes, sigurisë, bashkëjetesës dhe stabilitetit në rajon nga njëra anë, por dhe kusht i domosdoshëm për t'i dhënë impuls tentativave integruese evropiane të tyre nga ana tjetër.
Në këtë kuadër, unë do të nënvizoja se anëtarësimi i Shqipërisë në OBT dhe respektimi i detyrimeve që rrjedhin prej saj, pjesëmarrja aktive në nismat rajonale, si procesi i Kooperimit të Evropës Juglindore (SEECP), bashkëpunimi dhe bashkërendimi i projekteve të rëndësishme në kuadër të Paktit të Stabilitetit, SECI-t e të tjerë dhe në mënyrë të veçantë, përpjekja për harmonizimin e tyre me procesin e stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, mbeten sfida të hapura që kanë vëmendjen tonë të vazhdueshme.
Zbatimi i tyre shpesh nuk është i lidhur me avantazhe të menjëhershme, përkundrazi, ai kërkon sakrifica dhe ka një kosto të caktuar socialekonomike, të cilën ne jemi të vendosur ta paguajmë në emër të bashkëpunimit dhe aspiratës për integrim.
Shqipëria ka dëshmuar në mënyrë të përsëritur vullnetin e saj të fortë për ecjen me shpejtësi në negocimin e marrëveshjeve për tregti të lirë me disa nga fqinjët e rajonit tonë. Gatishmëria jonë për t'i zbatuar ato, besojmë se është pjesë e kontributit që gjithashtu, ne afrojmë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ne gjykojmë se qeveritë e vendeve të rajonit kanë një rol të padiskutueshëm në krijimin e klimës së pranueshme për biznesin dhe investimet. Implementimi i shpejtë i masave të identifikuara në Kompaktin e Investimeve të Paktit të Stabilitetit, do të ishte një provë e vullnetit tonë të përbashkët në këtë drejtim.
Së fundi, dëshiroj të përshëndes inisiativën për zgjerimin e forumit tuaj edhe me dhomat e tregtisë së Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë e Bosnje Hercegovinës, për të përftuar kështu, një hartë më të plotë të përfaqësimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Ju faleminderit