E Diel, 1 Nëntor 2026

E konsideroj të dobishme idenë e organizimit të kësaj konference kombëtare, e cila jep mundësinë për të diskutuar e debatuar me aktorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare mbi një strate

E konsideroj të dobishme idenë e organizimit të kësaj konference kombëtare, e cila jep mundësinë për të diskutuar e debatuar me aktorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare mbi një strategji të përpunuar për luftën kundër korrupsionit.

Pjesmarrja në këtë konferencë e përfaqësuesve të institucioneve, specialistëve të administratës, përfaqësuesve nga shoqëria civile, komunitetit të biznesit dhe të partive politike, është një mundësi më shumë për ta bërë debatin të dobishëm dhe vendimmarrjen reflektuese ndaj tij.

Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar e një rëndësie prioritare në programin e qeverisë; ajo është e pandarë nga reformat komplekse në të cilat ka hyrë vendi. Ne jemi shprehur se forcimi i shtetit ligjor, rritja e përpjekjeve për të siguruar e garantuar transparencë maksimale në administrimin e fondeve, rrudhja e vakuumeve ligjore që prodhojnë e nxisin korrupsion, ndëshkimi ligjor i mbarësve të tyre dhe tërheqja progresive e aktorëve të ndryshëm të shoqërisë shqiptare në këtë luftë, janë disa nga rrugët që mundësojnë krijimin e një klime dekurajuese e mbytëse për korrupsionin.

Qeveria shqiptare ka përcaktuar në axhendën e saj të punës inisiativa konkrete për përmirësime në kuadrin ligjor, për forcimin e kontrollit të pasurisë së funksionarëve publikë dhe njerëzve të politikës si dhe do të ratifikojë e zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista.

Qeveria shqiptare e ka bërë publike vendosmërinë e saj se do të vazhdojë të zbatojë Planin e Masave të Luftës kundër Korrupsionit, të harmonizuar me angazhimet e saj të shprehuara në kuadër të SAA-së, Paktit të Stabilitetit dhe Nismës Antikorrupsion.

Unë kam bindjen se objektivat që janë përcaktuar për ndëshkimin e korrupsionit nga organet e drejtësisë, për krijimin e mekanizmave që do të parandalonin sistemet që lehtësojnë praktikat korruptive dhe për monitorimin e vazhdueshëm të procesit, do të përkthehen në gjuhën e duhur teknike nga ana juaj dhe do të paqyrohen me realizëm në Planin e Veprimit, që më pas do të diskutohet dhe në Këshillin e Minitrave.

Megjithatë, besoj se po aq sa për bazën e nevojshme ligjore në luftën kundër korrupsionit, ne kemi nevojë për zbatimin dhe aplikimin e këtyre ligjeve në praktikë, atje ku shpesh shfaqen shmangie e keqinterpretime të tyre.

Të nderuar pjesmarrës,

Ne jemi të qartë se korrupsioni dhe shfaqja e dukurive korruptive minon stabilitetin politik, besimin e publikut në sistemin politik e atë gjyqësor, në shtetin e së drejtës, dëmton zhvillimin ekonomik, investimet e huaja dhe pengon përpjekjet tona për integrim në Evropë. Ndaj, bashkimi i energjive tona në këtë sfidë, është në vetvete një shans më shumë në zbatimin e angazhimeve që qeveria shqiptare, por dhe klasa politike në përgjithësi, kanë marrë përpara publikut.

Unë gjej rastin të nënvizoj si pozitiv praktikën e re të punës të Grupit të Monitorimit Antikorrupsion i cili rishikon dhe monitoron në mënyrë periodike realizimin dhe arritjet e kryera, që Njësia Antikorrupsion bashkëpunon me pikat e kontaktit të instaluara tashmë në çdo institucion dhe që së bashku, bëjnë përpjekje për të garantuar sa më shumë transparencë në veprimtarinë e tyre.

Megjithatë, përtej raporteve, ajo çka presim të gjithë është rezultati i prekshëm; pra nëse kemi të akuzuar mbas akuzave që formulohen në publik, nëse kemi dosje që përfundojmë në Prokurori dhe nëse i gjejmë korrupsionit emra të përveçëm.

Eshtë koha që aksioni ynë të fitojë koordinim edhe më efikas me strukturat e tjera shtetërore përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, të jetë konkret dhe transparent.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›