Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme të radhës miratoi disa vendime në fushën ushtarake. Kështu u miratua vendimi: "Për kuotën e pranimit të studentëve në Universitetin Ushtarak"
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme të radhës miratoi disa vendime në fushën ushtarake. Kështu u miratua vendimi: "Për kuotën e pranimit të studentëve në Universitetin Ushtarak" Skënderbej", për vitin akademik 2004-2005".
Sipas këtij vendimi kuota kryesore e pranimit të studentëve në Universitetin Ushtarak "Skënderbej", për vitin akademik 2004-2005", të jetë 135 (njëqind e tridhjetë e pesë).
Përcaktimi i kuotave të pranimit për këtë vit bazohet në nevojat e strukturave të Forcave të Armatosuara dhe programit për ristrukturimin e tyre. Në përcaktimin e kuotës së studentëve janë mbajtur në konsideratë edhe kontigjentet që janë në procesin e përgatitjes në akademitë dhe shkollat ushtarake, brenda e jashtë vendit, si dhe kapacitetet e Universitetit Ushatark "Skënderbej".
Për këtë vit akademik 135 studentët që do të nisin studimet në Universitetin Ushtarak "Skënderbej", i cili fillon për herë të parë nga funksionimi me status të njëjtë si të gjithë universitetet e tjera të vendit. Ky kontigjent studentësh do të vazhdojë studimet për katër vjet në degën "Menaxhim". Në përfundim të studimeve do të bëhet titullimi "Oficer Aktiv" e gradimi "Nëntoger" dhe, më pas, do të vazhdojë kualifikimi në shkollat e trupës së Forcave për t'u aftësuar për detyrën e parë.
***
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për kriteret dhe masën e trajtimit financiar të ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura, kur lirohet nga shërbimi në këto forca për arsye shëndetësore".
Ky vendim ka për qëllim trajtimin financiarisht të ushtarakëve aktivë të cilët për arsye shëndetësore në detyrë ose për shkak të detyrës, lirohen nga shërbimi ushtarak në Forcat e Armatosuara. Ushtarakët e liruar do të trajtohen me pagën bazë për gradën sipas viteve të shërbimit, me pagën e funksionit më të ulët të ushtarakut.
Sipas këtij vendimi, ushtaraku aktiv i FA, kur sëmuret në detyrë ose për shkak të detyrës, gjë që vërtetohet me raport të Komisionit Qendror Ushtarak, lirohet nga shërbimi në FA dhe përfiton trajtimin finaciar deri në punësimin e tij ose në daljen në pension pleqërie.
Të drejtën e trajtimit, sipas këtij vendimi, e kanë ushtarakët që kanë vjetërsi shërbimi, jo më pak se 3 (tre) vjet në këto forca dhe trajtohen me pagën bazë për gradë:
- Oficerët trajtohen me pagën bazë për gradë të nëntogerit, me vite shërbimi, nën dy vjet.
- Nënoficerët trajtohen me pagën bazë për gradë të nëntetarit, me vite shërbimi, nën dy vjet.
- Ushtarët profesionistë trajtohen me pagën bazë për gradë të ushtarit, me vite shërbimi, nën dy vjet.
Ushtaraku përfiton këtë pagë deri në çastin e punësimit ose të plotësimit të kushteve për pension të përkohshëm për vjetërsi shërbimi apo pensioni pleqërie.
***
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për kriteret e dhënies së kredisë për strehim, ushtarakut të Forcave të Armatosuara të Republikës së Shqipërisë dhe masën e kësaj kredie".
Në zbatim të Statusit të Ushtarakut, nëpërmjet këtij vendimi, është bërë klasifikimi i ushtarakëve që do të trajtohen me kredi për strehim ose zgjerim. Gjithashtu në këtë vendim u përcaktua si kriter bazë që në radhën e plotësimit të kërkesave do të jenë ushtarakët aktiv dhe grada ushtarake.
Në vendim është përcaktuar masa e dhënies së kredisë për strehim e cila do të jetë 5 milion lekë me interes 3% dhe afat shlyerje deri në 25 vjet për ushtarakët që janë të pastrehë dhe për ushtarakët që kërkojnë zgjerim do të jetë 2.5 milion lekë me interes 3% dhe afat shlyerje deri në 15 vjet. Në këtë vendim janë përcaktuar edhe procedurat mbi bazën e të cilave do të realizohet marrja e kredisë siç janë ngritja e komisioneve dhe dokumentacioni që duhet të përgatitet dhe paraqitet nga personat e interesuar.
***
U miratua vendimi " Për transferimin në pronësi të Bashkësisë së Delvinës të mjediseve të Ish-Brigadës së Këmbësorisë në Delvinë, të cilat janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe për një ndryshim në Vendimin nr.515, datë 18.07. 2003, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes."
Bashkisë Delvinë, në kuadrin e kërkesave të shumta dhe gjithnjë në rritje të banorëve të qytetit Delvinë për strehim dhe troje, i kalon në pronësi ish brigada e këmbësorisw, në këtë qytet. Këto territore do të përdoren si shesh ndërtimi për nevoja strehimi dhe shërbimi të komunitetit.
***
U miratua Vendimi " Për transferimin në pronësi të Bashkësisë Laç të pronës të Ish-Reparti Ushtarak nr. 1022, në Laç e cila është në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe për një ndryshim në Vendimin nr.515, datë 18.07. 2003, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes."
Bashkisë Laç, në kuadrin e nevojave urgjente të arsimit dhe përmirësimit të kushteve të mësimdhënies, i kalon në pronësi ish Reparti Ushtarak në lagjen Sanxhak, Laç. Këto ambiente do të përdoren në shërbim të komunitetit të këtij qyteti për nevoja arsimimi, mjedise spitalore dhe zyra pune.