Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime në fushën arsimore: - Vendimi: "Për miratimin e tarifave të shkollave pasuniversitare (SHPU) të Universitetit Politeknik t
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime në fushën arsimore:
- Vendimi: "Për miratimin e tarifave të shkollave pasuniversitare (SHPU) të Universitetit Politeknik të Tiranës".
Tarifat e shkollimit në Shkollat Pasuniversitare (SHPU, pranë Fakultetit të Inxhinjerisë së Ndërtimit, në degët Inxhinjeri Ndërtimi e Përgjithshme, Inxhinjeri Mjedisi, Inxhinjeri Hidroteknikë, Inxhinjeri Gjeodezi dhe pranë fakulteteve të tjera të Universitetit Politeknik të Tiranës, sipas këtij vendimi, janë:
•Për studentët nga personeli akademik i brendëshëm dhe i jashtëm i shkollave të larta publike 75 000 lekë
•Për studentët e tjerë 100 000 lekë
Qëllimi i këtij vendimi është mbulimi i kostos së realizimit të studimeve pasuniversitare. Universiteti Politeknik mbi bazën e të ardhurave financiare edhe nga tarifat e shkollimit, siguron kushtet e duhura materiale dhe të stafit akademik për realizimin cilësor të studimeve pasuniversitare.
- Vendimi:"Për një ndryshim në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.601, datë 17/11/2000, "Për një shtesë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për dhënien e pagës së shpërblimit punonjësve mësimorë të sistemit të Arsimit Parauniversitarë".
Sipas këtij vendimi, bëhet ndryshimi i emërtimit i pagës së 13-të në shpërblim vjetor, të cilin e përfitojnë të gjithë punonjësit mësimorë të sistemit parauniversitar të barabartë me një pagë mujore neto. Ky shpërblim jepet 50% në fund të vitit shkollor, duke e llogaritur mbi pagën mesatare të 6-mujorit të parë të secilit punonjës mësimor dhe 50% në fund të vitit kalendarik, duke e llogaritur mbi pagën mesatare të 6-mujorit të dytë të secilit punonjës mësimor. Ky ndryshim bëhet që kjo pagë të mos i nënshtrohet detyrimeve për derdhjen e sigurimeve shoqërore, kontribut i cili do të paguhet me fondet e Ministrisë së Arsimit.