E Diel, 1 Nëntor 2026

I nderuar zoti Kryetar, Të nderuar zotërinj deputetë, Qysh në fillim të marrjes së kërkesës për këtë interpelancë, (që në thelb nuk është asgjë më shumë veçse një zgjatje e te

I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar zotërinj deputetë,

Qysh në fillim të marrjes së kërkesës për këtë interpelancë, (që në thelb nuk është asgjë më shumë veçse një zgjatje e tentakulave të thashethemnajës politike katërmbëdhjetëvjeçare), kam qënë në një dilemë të vazhdueshme. Thelbi i kësaj dileme konsiston nëse duhet të vija para kuvendit thjesht duke paraqitur vërtetimet dhe dokumentacionin ligjor përpara jush, apo të jepja një përgjigje shterruese për të gjitha akuzat dhe të bëja përmes fakteve një analizë të kësaj që po ndodh në lidhje me të ashtuquajturin korrupsion të pafund të Fatos Nanos. Rruga e parë është ajo që kam ndjekur me besnikëri gjatë gjithë jetës sime, ku mbi gjithçka qëndron ligji, vendimarrja ligjore dhe transparenca përpara ligjit dhe opinionit publik.

Bazuar në këtë logjikë që është edhe logjika normale e një shteti ligjor, kam menduar se pas raportit të Konkluzioneve të Inspektoriatit të Lartë për verifikimin mbi deklarimin e pasurisë sime të dorëzuar me datë 13 korrik 2004, grupi i deputetëve, që u ngjan një grumbulli burrash që sapo kanë dalë nga mejhanet me tym thashethemesh, duhet të kishte tërhequr kërkesën për këtë seancë dhe t'i kërkonte ndjesë publike Kryeministrit dhe bashkëshortes së tij. Por kjo nuk ndodhi. Kjo nuk mund të ndodhte. Sepse nuk mund ta bënte një gjë të tillë ai grupim politik i cili, i ngjashëm me një tufë korbash që jetojnë në këtë mënyrë, me shpifje montoi ndaj meje akuza për vjedhje miliardere 12 vjet më parë duke më privuar lirinë dhe jetën normale për 4 vjet. Sigurisht atëhere ata nuk kishin aspak parasysh dhe vetëm jetën time private, por siç kam pasur rastin ta analizoj shume herë, ata i druheshin konkurencës së hapur politike dhe aktivitetit tim politik sic i druhen edhe sot. Montimi i kësaj seance është pjesë e së njëjtës strategji që ka nisur, për koincidencë, sërish në korrik, por në korrikun e largët të vitit 1993. Megjithse ka rrjedhur shumë ujë, megjithse institucionet demokratike të shtetit të së drejtës janë forcuar, sërish Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk përpiqen aspak të fshehin dëshirën për ta futur sërish Nanon në burg dhe sërish me të njejtën teknologji shpifjesh dhe montazhesh, të na mbyllin në burg të gjithëve.
Nëse do të kisha zgjedhur rrugën e parë, pra në respekt të ligjit do të mjaftohesha të citoja konkluzionet e raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, raport të cilin Kuvendi e disponon dhe që shprehet si më poshtë:

"Nga verifikimi dhe kontrolli i ushtruar rezulton se të dhënat e paraqitura në deklaratën e subjekteve (Fatos dhe Xhoana Nano) gjejnë vërtetim në dokumentat e organeve përkatëse, dokumenta të cilat janë administruar në dosjen e kontrollit".

Këto konkluzione kanë ardhur pas një pune voluminoze, kontrolli të detajuar dhe të kryqëzuar që ligji ngarkon Inspektoriatin dhe të gjitha institucionet publike apo private që verifikojnë paratë, detyrimet finaciare apo pasuritë e shtetasve. Në dosjen e krijuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për shtetasit Fatos dhe Xhoana Nano janë 52 praktika administrative shkresore me 150 fletë, të cilat kanë përfshirë këto institucione:

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pronave dhe Pasurive,
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor,
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve,
Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve,
Zyrat noteriale,
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë,
KRRT Tiranë,
Banka e Shqipërisë,
16 Banka private të nivelit të dytë,

Besoj se tani është e qartë pse verefikimi kërkoi kohë dhe nuk mund të bëhej në pak ditë siç kërkonte Berisha dhe klani i tij.

Në përfundim rezulton se është i vërtetë deklarimi ynë që Fatos Nano dhe bashkëshortja e tij jetojnë në një apartament prej 260 metra katror të blerë me paratë e burgut të Berishës, zotërojnë një autoveturë të tipit Mercedes Benz të dhuruar në vitin 2001 nga Autostar Albania me pronar zotin Basri Ruka, që nuk kemi në pronësi asnjë helikopter apo traget. Gjithashtu, me paratë e burgut të Berishës i kam dhuruar pjesën time të pronësisë në një shtëpi djalit tim Sokol Nano.

Për më shumë se kaq, verifikimet konkludojnë se bashkëshortja ime e ka nisur aktivitetin sipërmarrës në fushat e transportit dhe turizmit që në vitin '99, ose përpara se të ndryshonim statusin e saj të gjendjes civile. Ky aktivitet, siç edhe vërtetohet nga dosja e krijuar nga inspektoriati i larte i verifikimit te pasurive, është tërësisht ligjor dhe transparent përballë institucioneve, ligjeve dhe rregullave të shtetit dhe pra xhoikopter apo xhoitravel nuk ka në pronësi asnjë helikopter, por vetëm në përdorim me qera.

Gjithë zhurma e ndërtuar ndaj meje dhe familjes sime për mashtrime me apartamentin, autoveturën, me para të pastra apo të pista, të deklaruara dhe të padeklaruara, me helikopterë, avionë apo tragete është pjesë e një montature shpifjesh të cilat kanë nisur në vitin '91, që u zyrtarizuan në vitin '93 duke më dënuar me 12 vjet burg për të vazhduar pa ndërprerje deri më sot.

Përballë kësaj praktike bizantine që mban gjallë sherrnajën politike në Shqipëri prej 14 vjetësh, unë si Kryetar i kësaj maxhorance progresiste dhe si Kryeministër kam nxitur hartimin, miratimin dhe zbatimin e një korpusi ligjesh dhe institucionesh që përfundimisht garantojnë transparencë të cdo sipërmarrje që nga politika, qeverisja e deri në ekonomi, duke luftuar cdo ditë e me më efektivitet informalitetin, abuzimin me pronën apo detyrën publike, evazionin, korrupsionin, trafiqet, kontrabandën, krimin etj. Në këtë funksion, përveç ratifikimit të konventave që integrojnë Shqipërinë në sistemin euroatlantik të së drejtës dhe përgjegjësive, kemi kryer ndërhyrje të thella dhe substanciale në legjislacionin penal dhe atë administrativ.

Ndryshe nga rivalët tanë politikë, në vend që edhe unë të bija në grackën e kësaj teknologjie shpifjesh, - dhe për vetë pozicionin që kam, unë i kam pasur të shumta instrumentat për të pasur informacion të vërtetuar – unë zgjodha një rrugë tjetër. Për të mbyllur çdo shteg të pasurimit ilegjitim nëpërmjet abuzimit me pushtetin, me mandatin politik të përfaqësimit apo emërimin në detyrë, me iniciativën time personale dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë ndërtuam një ligj dhe institucion të ri për garantimin e transparencës, sic është Instektoriati i Larte i Deklarimit te Pasurive drejtuar nga zonja Fatmira Laska e propozuar në këtë detyrë nga Presidenti i Republikës dhe e votuar me konsensus nga Kuvendi i Shqiperise.

Ky transformim dhe kjo përvojë e transparencës së gjithkujt përballë ligjeve, institucioneve dhe shtetasve është pjesë e filozofisë sime mbi pronën, mbi paranë, mbi vlerat, mbi sipërmarrjen e lirë, mbi kontributet, mbi bamirësitë etj.

Mbi këtë filozofi standarte euroatlantike dhe pa asnjë detyrim ligjor, që në vitin '98, megjithëse isha Kryeministër, i ktheva shtëpinë ku isha lindur dhe isha rritur ish pronarëve. Kjo praktikë kujtoj se është bllokuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese për ish pronarët e kësaj kategorie.

Mbi këtë filozofi standarte euroatlantike përmirësuam dhe konsoliduam shtetin ligjor duke zvogëluar me shpejtësi informalitetin, korrupsionin, kontrabandën etj, për të shtuar kontributet financiare në dobi të rritjes së mirëqënies së shtetasve, të përmirësimit të shpejtë të infrastrukturave, të sistemeve arsimore e shëndetësore, të qetësisë dhe rendit publik etj. Sivjet buxheti shpenzon 2 miliardë dollarë, nga të cilat 500 milion USD shkojnë direkt për realizimin e funksioneve sociale të shtetit si pensione, ndihmë dhe asistencë ekonomike, përkrahje sociale etj, ndërsa 520 milion USD shkojnë direkt për investime publike.
Duke pasur parasysh se në këta 14 vjet mbi emrin tim dhe mbi familjen time makina propogandistike e partisë të ashtuquajtur Demokratike, e ushqyer me naftën e pistë të informalitetit, në kushtet e paaftësisë për politika vërtet konkuruese përmes zgjedhjeve të lira, vetëm ka hedhur baltë pa fund, gjykoj se debati i sotëm është një rast i mirë për t'i dhënë fund një herë e përgjithmonë kësaj fushate të ndyrë dhe për të shvleftësuar kështu morinë e pafund të akuzave që janë hedhur mbi mua, për të njëjtat arsye politike për të cilat rregjimi i Berishës më burgosi. Këtë e bëj me vetdijen qytetare, me përgjegjësinë politike të pandryshuar që më karakterizon n në vite dhe në emër të transptarencës para opinionit të gjerë publik, të atij publiku që na ka besuar dhe vazhdon të më besojë votën e vet.

Kur kam thënë dikur: "Unë e kam bërë burgun tim", kam pasur parasysh pikërisht dhënien fund për të gjithë të gjuetisë populiste të shtrigave që majmen mbi nëpërkëmbjen e ligjit. Kjo mund të realizohet vetëm me vënien në funksionim të një kuadri ligjesh dhe institucionesh që garantojnë transparencë dhe verifikim të të dhënave mbi pasuritë që vetëdeklarojnë zyrtarët më të lartë të shtetit. Janë këta institucione që lënë përfundimisht pa punë keqbërës dhe shpifës si Berisha apo disa nga pasuesit e tij, kudo që mund të jenë shpërndarë.

Për të kuptuar këtë seancë, origjinën dhe arkitektët e saj, këtë opozitë, këtë maxhorancë, këtë ligj për transparencë, këtë qëndrim të pakorrigjueshëm që do mbajë edhe sot opozita e vjetër, pra me pak fjalë gjithë këtë realitet që ne po e transformojmë, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj paratë dhe pasuritë që "më kanë bërë borxh" Berisha dhe klani i tij.

Regjimi i Berishës më arrestoi në korrik të vitit '93 me akuzën e shpërdorimit të ndihmave italiane në bashkëpunim me Kompaninë Levante&Co dhe për llogari të qeveritarëve të atëhershëm italianë, apo marrëzira të tjera. Tani historia e të ashtuquajturës vjedhje është e njohur nga të gjithë dhe unë nuk kam asnjë dëshirë t'i rikthehem. E vërteta është se, megjithëse u konsiderova thjesht një i burgosur politik nga gjithkush, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duhej të hapeshin burgjet nga vetë Berisha me qëllim përbaltjen e revoltës popullore dhe nxitjen e kaosit, vrasjeve dhe grabitjeve, pastaj të dekretohej lirimi i Fatos Nanos.

Pa arritur të çmallem me njerëzit e mi të dashur dhe varrin e nënës, lexoj në gazetën RD të Berishës:

Rikthehet vjedhja e Nanos
Ortaku i Nanos, Xhani de Mikelis, sërish nën akuzë, vetëm për transportin e ndihmave janë vjedhur 90 mijë dollarë.
RD 17 qershor 1997

Kjo vazhdoi në mënyrë të pandërprerë me akuza trafiqesh droge, vila luksoze në të katër anët e botës, madje dhe ishuj, rryshfete të majme, privatizime të pafund miliondollarëshe e kështu me radhë derisa, përmbledhtazi, vetëm nga bilancet e viteve '98 – '99 del që sipas Berishës unë të kem përvetësuar:(citoj Berishen)
100 milion USD të vjedhura nga paratë e piramidave në BKT,
1.2 miliard USD që paskam mashtruar shqiptarët në piramida për të marrë pushtetin nga qelitë e Bënçës.
100 milion USD i paskam marrë shpërblim nga Gëzim Bleta për emërimin si drejtor dogane.
550 mijë USD i paskam marrë nga familja Hoxha se nuk kisha lekë të bëja fushatën për të mundur Majkon në Kongresin e tretë të PSSH.
120 milion USD i paskam marrë nga piramidat, jashtë BKT.
Gjithë po sipas Berishes qënkam pronar i:
3 vilave luksoze, respektivisht: Tiranë, Greqi dhe Francë,
1 hoteli në një ishull të Greqisë,
1 pallati shumëkatësh tek ish blloku në Tiranë.
Paskam privatizuar KESH, të cilin do e privatizokam edhe një herë në 2004 me Andi Kesh-in.
Konkluzioni i shpifjeve të Berishës: përfitimet e mia direkte në monedhën amerikane për vitet '98 – '99 na qënkan 2 miliard e 70 milion USD, pa llogaritur vlerën e pasurisë së patundëshme. Kujtoj se për vitin '97 e kisha bilancin berishian të vjedhjes 510 milion dollarë, pra nga viti ‘97 deri në ‘99 Berisha më faturoi edhe 2.58 miliardë dollarë të vjedhur.

Udhëtojmë më tej nëpër lumin e pistë të akuzave:

Viti 2000 rezulton me një bilanc akoma më qesharak:Këtë vit e paskesha filluar mbarë duke vjedhur 1 milion dollarë, pastaj paskesha privatizuar 100 ha pronë e VEFA, pastaj paskesha shijuar vilën time të Selanikut, por dhe më qënka dashur të paguaj ca para. Sipas PD-RD të janarit 2000 fëmijët më kushtokeshin 120 mijë USD në vit, ndërsa sipas PD - RD të marsit 2000 më kushtokeshin 228 mijë USD në vit.

Vazhdon komedia në kohë:

Për vitin 2003 del sipas PD – RD del se e bëkam privatizimin e INSIG pa vlerë, ndërtokam me kunatin një pallat në qendër të Tiranës duke shkatërruar të ardhmen e kryeqytetit, rrëmbekam hotel 15 katëshin për 2 milion euro, por edhe klubin e futbollit Vlaznia për 200 mijë dollarë të tjerë.

Për vitin 2004, vit i cili është ende vetëm në mesin e vet, bilanci Berisha për të ashtuquajturat vjedhje të Fatos Nanos rezulton:
600 milion USD nga taksat
10 milion USD nga telekomi sipasakuzës së 10 shkurtit;
80 milion USD nga Telekomi sipas akuzës të 24 shkurtit
108 milion USD nga Telekomi sipas akuzëst të 20 majit 2004.
13 milion USD nga tenderi i naftës dhe
15 milion EURO nga KESH.
Duke eleminiar efektin kaskadë të përfitimeve nga Telekomi dhe duke marrë vlerën më të lartë që më atribuon Berisha, për vitin 2004 (deri tani) dilkam me një përfitim prej rreth 750 milion USD.
Në aspektin pasurorpaskërkam privatizuar Pallatin e Kulturës, por edhe paskesha detyruar studion francese që projektoi qendrën e Tiranës të vihet në shërbim të grupit kriminal "Hakmarrja për Drejtësi".

Në këtë vështrim të shkurtër vetëm të akuzave që ka bërë Berisha përmes organit zyrtar të Partisë së vet, del se sot disponokam të paktën nj'a 4 miliardë dollarë amerikanë. Në këtë përllogaritje të shpejtë nuk kam përfshirë të dhënat e të njëjtit sistem të shpifjes që është shpërndarë nëpër media apo segmente të tjera të politikës përmes teknologjisë Berishiane.

Zonja e Zotërnj,

Po e deklaroj sërish: Pasuria ime më e madhe dhe më e çmuar dhe e hipotekuar në sytë e të gjithëve është Sali Berisha, ky i disekuilibruar amoral që pasi më futi 4 vjet në burg sepse ishte dhe ngelet i paaftë të konkuronte ndershmërisht, me shpifje më faturon edhe miliardat e dollarëve qe permenda me siper. Por kjo sigurisht është e vetmja pasuri që na dëmton të gjithëve: dëmton atmosferën tonë politike, ligjet dhe institucionet, dëmton imazhin e Shqipërisë dhe të ardhmen tonë euroatlantike, por mbi të gjitha dëmton së pari opozitën dhe fatet e kompromentuara të saj. Dhe kjo sepse zoti Berisha nuk mund ta kuptojë praktikën e botës moderne të vetdeklarimit pasi e konsideron veten e vet me delir, pasuri dhe pastërti, efendi dhe kadi, jeniçer dhe pasha, polic dhe hetues, prokuror dhe gjykatës, gardian burgu, rruspë dhe kryetar shteti.

Unë asnjëherë nuk i kam lejuar vetës të abuzoj me terenin që më ka krijuar vetë Berisha me shpifjet e tij për të përdorur të njëjtën strategji, - dhe ju e kuptoni se i kam pasur të gjitha mundësitë – sepse unë besoj te ligji, unë besoj te konkurenca e ideve dhe e programeve, sepse unë vërtet besoj në morinë e fakteve se Shqipëria po ecën përpara dhe se fale këtij përkushtimi të të gjithëve që nuk mendojnë si Berisha, për vitin 2003 vendi ynë i dashur në klasifikimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhvillimin njerëzor u ngjit nga vendi i 95-të në të 65-in, duke lënë pas vende si Rumania, Turqia etj. Ky zhvillimi ndjeshëm ekonomik dhe njerëzor i vendit, bënë që edhe shashkat spekulative të Berishës të mos i dëgjojë më askush në opinionin publik vendas dhe në atë ndërkombëtar. Konceptet dhe veprimet populisto-komuniste të Berishës kanë mbetur përfundimisht të ngrira në një kohë tjetër kur ai bëri karrierë dhe kur propoganda mashtronte se drejtuesit e shtetit flinin nëpër stola lulishtesh, se ata i arnonin çorapet vetë, se shkruanin fjalime revolucionare si të Berishës nën dritën qorruese të bishtukut, etj, etj.

Jetojmë në një kohë tjetër doktor! Këtë demagogji, jo vetëm që s'e ha askush, por s'e beson as ti vetë!

Pikërisht për të ndërprerë një herë e përgjithmonë këtë lojë të pistë shpifjesh ku hajduti thërret: "Kapeni hajdutin!" ne zgjodhëm rrugën e transparencës ligjore, të vetëdeklarimit, të monitorimit, të verifikimit të çdo individi që merr përsipër një funksion publik. Së fundmi qeveria ka miratuar edhe paketën ligjore ‘antimafia" e cila detyron zotëruesit e pasurive të dyshimta të deklarojnë deri në qindarka burimin e të ardhurave, ose u sekuestrohet prona.

Në këtë terren, dua të kujtoj se jam i pari zyrtar i lartë që iu nënshtrua provës së deklarimit dhe të verifikimit dhe tani pres konkluzionet edhe për më shumë se 4000 të tjerë, përfshirë edhe Sali Berishën. Unë e krijova dhe e testova modelin i cili është një gërshetim i pashmangshëm ligjesh, institucionesh, dokumentash, dëshmish për të nxjerrë me cdo kusht të vërtetën. Në këtë proces do të kalojnë të gjithë të tjerët.

Mbi këtë kuadër ligjor dhe institucional e ftoj Sali Berishën të vetëdeklarojë sa ka përfituar vetë dhe sa ka përfituar klani i tij në 5 vjet privatizime abuzive kur kishit pushtetin. Kujtoj se me vendim të regjimit të z.Berisha dosjet dokumentare të këtyre privatizimeve janë asgjësuar në mënyrë periodike vit pas viti.

Sali Berisha duhet të përgjigjet për fatet e 1 miliard dollarëve ndihma e kredi që morri nga vendet partnere kur regjimi i tij qeveriste Shqipërinë pasi trashëgim na la vetëm 5 km rrugë.

Sali Berisha duhet të përgjigjet për kontrabandën e naftës dhe cigareve në favor të regjimit të Milloshevicit duke thyer embargon e NATO-s dhe aleatëve strategjikë te Shqiperise në favor të kriminelëve të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Ai duhet të tregojë se sa para të pista dhe të përgjakura shkuan në xhepat e tij dhe sa në xhepat e klanit të tij kriminal.

Sali Berisha duhet të tregojë se sa para ka marrë nga bosët e piramidave që nuk i arrestoi dhe nuk u bllokonte pasuritë për një vlerë prej 1.2 miliardë dollarë që i kishin grabitur qytetarëve shqiptarë.

Nderkaq inspektoriati i deklarimit të pasurive duhet t'u japi përgjigje disa pyetjeve: A ka lidhje Sali Berisha me një autoveturë Mercedes Benz të blinduar që ka qenë pronë e Arben Grorit (të dënuar me burg të përjetshëm për vrasje) dhe Elvis Gjetës (të dënuar me 7 vjet burg për drogë në Itali).

A është e ligjëshme dhe morale që Pjetër Arbnori ka hipotekuar në emër të të birit 13 vjecar 3 apartamente në plazhin e Kavajës në zonën kadastrale 2291 dhe me vlera respektive prej 950 mijë, 1 milion dhe 1.5 milion lekë? Pse këto pasuri nuk janë në emër të vetë z.Arbnori sic janë deklaruar 3 autoveturat e tij kur ky i fundit ka përfituar të ardhura nga burgu dhe shitja e librave?

Pse zotit Arbnori dhe shumë zyrtarëve apo deputetëve të PD u lejohet t'i falin autovetura, ndërsa zotit Nano jo?

A është korrekte në deklarimin e saj zonja Topalli? Kush është statusi i saj i pronësisë mbi:
• Dhomën e Tregëtisë Shkodër, ndërtuar nga shteti dhe privatizuar prej saj në kohën kur PD ishte në pushtet,
• Ish kinemaja verore,
• Shtypshkronjën Migjeni.
Për t'a ndihmuar zonjën Topalli (Çoba) dhe Inspektoriatin e deklarimit të pasurive letë kontrollohen regjistrat e pasurive në Shkodër për:
• Truall 1007 m katror përfituar me vendim gjykate,
• Ndërtesë 604 m katror përfituar me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave,
• Ndërtesë 48 m katror përfituar nga AKP,
• Truall 436 metra katror përfituar me vendim gjykate.
• Shtëpi banimi 2 copë me sipërfaqe trualli 910 metra katror dhe sipërfaqë ndërtese 474 metra këtrorë me numër hipoteke 231, datë 17.10 2003.

Kërkoj të verifikohet nëse apatamenti i zonjës Topalli i deklaruar në formular është legal apo ndërtim pa leje, pasi nuk figuron i regjistruar në hipotekë.

Gjithashtu zonja Topalli duhet të deklarojë nëse ka përfitime financiare nga trajtimi ndihmave humanitare me të cilat merret familja e saj, apo nga qeratë që përfitojnë prej fondacioneve bamirëse (ish kinemaja verore)?

Zoti Besnik Mustafaj rezulton pronar i 984 metra katror apartamente në 4 banesa dhe i 6 mijë metra katrorë truall, nga të cilat vetëm 2 mijë metra katror janë kthim prone në fshatrat e Tiranës! – Ju kujtoj se ai është nga Tropoja - Kërkoj të verifikohet saktësia e deklarimit të tij të pasurisë dhe e burimit të përfitimit, pasi prona që ai pretendon në deklaratë (apartament prej 108 metra katror i blerë dhe i zgjeruar pa leje ndërtimi) nuk figuron e regjistruar në hipotekë.

Edhe kërkuesi tjetër i kësaj seance, z.Ukperaj nuk e ka të regjistruar banesën e deklaruar prej 110 m katror në rrugën Komuna e Parisit, të cilën e ka përfituar me kredi nga shteti. Gjithashtu zoti Ukperaj zotëron një autoveturë Mercedes Benz të rregjistruar si të falur por te deklaruar si të blerë.

Ka edhe deputetë të tjerë, kryesisht ish funksionarë të lartë të regjimit të Berishës apo dhe të kësaj maxhorance që kanë probleme serioze me deklaratat e pasurisë dhe statusin e tyre ligjor ne institucionet perkatese.

Më lejoni ta mbyll me këtë konkluzion:
nga të gjitha derklarat e pasurisë të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të bëra publike më rezulton se Fatos Nano Kryetar Partie prej 13 vjetësh, disa herë Kryeministër, deputet në të gjitha legjislaturat ka një shtëpi si çdo qytetar dhe një makinë nag 245 mijë të tilla që janë rregjistruar në Republikën e Shqipërisë. Por do keni rastin të mësoni për shkak të verifikimit të deklarimeve se disa deputetë dhe ish funksionarë të lartë të regjimit të z.Berisha apo të shtetit janë pasuruar shumë shpejt dhe me burime të paqarta financimi.

Pa u zgjatur në detaje, pasi jam i sigurt që Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive dhe institucionet e tjera të shtetit të së drejtës do kryejnë në kohën e duhur funksionin e tyre, dua të nënvizoj se në këtë listë që duhet hetuar përmblidhen individët që kanë sulmuar më ashpër Fatos Nanon dhe modelin tonë ligjor të transparencës dhe luftës kundër fenomeneve negative që krijojnë pasurim abuziv.

Si kryetar i Partisë Socialiste dhe si Kryeministër, i qetë në ndërgjegje dhe krenar për shndërrimin e gjithë klasës politike shqiptare në një kategori e cila detyrohet me ligj të raportojë përballë qytetarëve dhe shtetasve tanë, deklaroj vullnetin tim dhe angazhimin e pandërprerë për thellimin e luftës kundër informalitetit edhe në politikë.

Përvoja jonë shtatë vjeçare në qeverisje ka dëshmuar se praktikat e vetdeklarimit kanë sjellë suksese të ndjeshme kundër informalitetit, kundër korrupsionit dhe trafiqeve, kundër pasurimit të paligjshëm, etj. Ky progres nuk mund të lerë jashtë përfitimit edhe klasën politike e cila po mësohet tashmë të bëjë edhe transparencën e vetevetes.

Gjej rastin t'i jap edhe një shans tjetër zotit Berisha për t'u korrigjuar duke bashkëpunuar institucionalisht në dobi të arritjes së transparencës maksimale mbi deklarimet, paratë dhe pasuritë e politikanëve apo funksionarave të lartë të të gjitha ngjyrave dhe brezave në këto 14 vite.

Në të kundërt, ju siguroj se më shumë nga sa keni shpifur në 14 vjet dhe që ua kujtova, nuk keni për të qënë në gjendje të shpifni sonte.

Ju faleminderit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›