E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në Split të Kroacisë me Kryeministrin kroat Ivo Sanader. Dy homologët vlerësuan hapat që janë hedhur në zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe ekonom

Kryeministri Fatos Nano u takua sot në Split të Kroacisë me Kryeministrin kroat Ivo Sanader.

Dy homologët vlerësuan hapat që janë hedhur në zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis dy vendeve dhe shprehën vullnetin dhe angazhimin reciprok për të rritur më tej bashkëpunimin dypalësh. Të dy kryeministrat theksuan vazhdimin e vullnetit të tyre pë të kontribuar për stabilitetin, paqen dhe progresin në rajonin e Ballkanit.

Duke u ndalur në proceset integruese, ku janë përfshirë dy vendet, ata u shprehën për vazhdimin dhe përpjekjet e përbashkëta për anëtarësim në strukturat euroatlantike.

Dy autoritete e larta diskutuan për hapat e mëtejshëm në kuadër të procesit të Kartës së Adriatikut sëbashku me Maqedoninë, me synimin e përshpejtimit të reformave për të realizuar anëtarësimin e afërt të tyre në Aleancën Atlantike. Po ashtu ata nënvizuan të vlefshëm edhe shkëmbimin e eksperiencës midis dy vendeve në procesin e integrimit në strukturat europiane, gjë që do të konkretizohet me nënshkrimin e Protokollit të përbashkët të Bashkëpunimit në Proceset e Integrimit.

Duke u ndalur në zhvillimet në kuadër të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, ata vlerësuan mundësinë e zgjerimit të shkëmbimeve mes dy vendeve në sektorin e infrastrukturës, energjitikës, naftës etj. Gjithashtu me interes për dy vendet, u theksua në takim, është realizimi i pojektit të rrugës adriatiko-joniane, rivendosja e lidhjeve detare dhe asaj ajrore mes dy vende.

Duke ndarë të njëjtin mendim për përshpejtimin e çështjeve të cilat u trajtuan në takim, ata theksuan se ka ardhur koha për të ndërmarrë hapa konkretë në liberalizimin e regjimit të vizave, gjë që do të kontribuonte drejtpërdrejtë në nxitjen e lëvizjes dhe të shkëmbimeve të njerëzve, mallrave etj.

Në përfundim të takimit, dy kryeministrat kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›