E Diel, 1 Nëntor 2026

"I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, Të nderuar kolegë deputetë, Jam në këtë foltore të nderuar që të paraqes para jush në emër të qeverisë që unë drejtoj Projekt Buxhetin e viti

"I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë,

Jam në këtë foltore të nderuar që të paraqes para jush në emër të qeverisë që unë drejtoj Projekt Buxhetin e vitit 2005, këtë program financiar që ne vleresimet tona koherente garanton progresin ekonomik të vendit, mbeshtetur ne suksesin e thellimit të reformave të zhvillimit dhe të integrimit të vendit tonë në BE dhe në institucionet euroatlantike.

Ne vijmë në këtë seancë, pas një pune të madhe që është bërë, pas diskutimeve të thelluara të specialistëve, pas një pune të lavdërueshme të komisioneve parlamentare, pas pjesëmarrjes dhe diskutimeve të hapura të këtij Projekt Buxheti nga aktorët kryesorë të sipërmarrjes dhe shoqërisë shqiptare, si dhe pas konsultimeve të vyera me partnerët tanë ndërkombëtarë që na certifikojnë ecurine dhe arritjet e vendit. Transparenca me të cilën u punua për përgatitjen e këtij Projekti financiar, është garancia më e madhe e qeverisjes sonë, sepse realizon pjesmarrjen gjithnjë e më madhe të shoqërisë në sipërmarrje që lidhen drejtpërsëdrejti me administrimin me transparencë të financave publike.

Kemi hyre ne vitin e tetë radhazi, ku në sajë të hartimit dhe zbatimit të strategjive të qarta dhe efikase të zhvillimit, ekonomia shqiptare do vazhdojë të njohë rritje si në sektorin privat edhe në sektorin publik, si në sferën e prodhimit edhe në atë të shërbimeve, si në rritje të mirëqenies nëpërmjet punës edhe nëpërmjet ndihmës ekonomike që shteti jep për shtresat në nevojë. Në këtë mënyrë ne kemi garantuar një nga objektivat më të vështira që ka për detyrë të përmbushë një qeverisje e shëndetëshme: rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të ekonomisë së vendit, një kualitet që na bën më të guximshëm në parashikimet tona për zhvillim.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për vitin 2005, falë reformave dhe programeve financiare tashmë të konsoliduara që do vazhdojnë të thellohen, pritet të arrijë në mbi 9 miliardë dollarë, nga vetëm 3 miliardë dollarë që ishte në vitin '97 kur ne morëm mandatin për të qeverisur Shqipërinë. Ky realitet dhe ky transformim, përveç se flasin për një shëndoshje të gjendjes së vendit, janë njëherësh garancia më e madhe për karakterin vital dhe funksionues të ekonomisë shqiptare që gjeneron rritje të qëndrueshme, per shkak te vitalitetit te 300 mijë sipërmarrje fermere dhe rreth 60 mijë subjekte të industrisë, ndërtimit, financave, transportit dhe shërbimeve, janë garancia afatgjatë se koha dhe traumat e piramidave mashtruese financiare jane varrosur përfundimisht dhe janë zëvendësuar me institucione shtetërore dhe struktura ekonomike që e bëjnë të pakthyeshëm sistemin dhe regjimin e Sude - Alimucës. (Ps. Cdo përqasje e personazheve me persona real në këtë sallë (nuk) është e rastit).

Viti 2005 konsiderohet një vit elektoral për politikën dhe partitë që do konkurojnë. Ndërsa për ekonominë kombëtare dhe programin financiar buxhetor që mbështet dhe nxit zhvillimin e saj do të jetë një vit krejtësisht normal pune, investimesh dhe reformash strukturore. Pikërisht ndarja e emocioneve elektorale dhe politike nga zhvillimi i vendit është një tjetër arritje e qeverisjes sonë.

Maxhoranca që unë drejtoj nuk ka nevojë të rrisë artificialisht pasuritë e shtetasve siç bëri qeveria e Partisë Demokratike në vitet elektorale '96 dhe '97. Gjithshka që ne kemi programuar dhe premtuar si për shtetasit ashtu edhe për sipërmarrjen e lirë këto shtatë vjet në ekonomi, në mirëqënie dhe në çdo fushë tjetër, rezulton e përmbushur. Gjatë viteve të qeverisjes sonë ekonomia kombëtare është rritur mesatarisht 6 deri 7% në vit. Të ardhurat e buxhetit janë rritur nga 52 miliardë lekë në vitin '97 në 204 miliardë lekë të programuara në vitin 2005. Shpenzimet e buxhetit të shtetit për pagat, për pensionet, për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për arsimin dhe shëndetësinë, për bujqësinë, rendin, drejtësinë etj, kanë lëvizur nga 87 miliardë në vitin '96 në 241 miliardë në programin e vitit 2005.

Të nderuar deputetë,

Sikundër rikonfirmoi edhe Misioni i FMN-së, për herë të parë që nga fillimi i tranzicionit, projetbuxheti 2005 parashikon se Shqipëria do të jetë në gjendje t'i realizojë shpenzimet korrente me të ardhurat korrente dhe do të marrë hua vetëm për të realizuar investime shtesë. Kjo është arritja më e madhe e politikave ekonomike të ndjekura prej nesh vitet e fundit.

Në thelb Programi buxhetor i shtetit per vitin 2005 eshte ne funksion:

 te krijimit te nje ambjenti te qendrueshem makroekonomik,
 te konsolidimit te metejshem te rritjes ekonomike ne kufijte 6-7%,

 te ruajtjes se inflacionit ne kufijte 2-4%,

 te rritjes progresive dhe dinamike te te ardhurave te buxhetit te shtetit,

 të përmirësimeve të ndjeshme në menaxhimin e shpenzimeve publike,

 të mbajtjes nen kontroll efektiv të deficitit buxhetor,

 si dhe krijimit te nje klime sa me te pershatshme per sipermarrjen vendase duke synuar permbushjen e objektivit tone per t'u integruar ne proceset per integrim ne realitetet dhe tregjet e botes euro-atlantike.

Ky projektbuxhet reflekton gjithashtu permbushjen e te gjitha detyrimeve nderkombetare ne kuadrin e procesit te integrimit europian, marreveshjeve te tregtise se lire, anetaresimit ne Organizaten Boterore te Tregtise; si edhe ne raport me shlyerjen e borxheve te trasheguara, duke e perforcuar besueshmerine e Shqiperise si partnere serioze, e angazhuar ne arritjen e standarteve dhe per me teper ne nje ambient gjithnje e me atraktiv per investimet e huaja direkte.

Po sipas vlerësimeve të FMN dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që merren me asistencën dhe programimin ekonomik, Shqipëria është ndër të rrallat vende të ish Evropës Lindore që ka arritur dhe tejkaluar prej vitit 2000 në terma reale PBB të vitit 1989, kur vende të tjera ish komuniste nuk parashikohet ta arrijnë këtë tregues real as për vitin 2005.

Reformat dhe rritja ekonomike nuk janë një qëllim në vetvete i qeverisë dhe i maxhorancës për efekte raportimi para FMN apo partnerëve të tjerë. Në themel të politikave dhe strategjive tona të zhvillimit mbetet rritja e mirëqënies së shtetasve dhe reduktimi i varfërisë. Sot ne jemi të motivuar edhe më shumë në rrugën tonë drejt reformave transformuese të ekonomisë kombëtare, drejt hapjes dhe integrimit të saj në realitetet dhe tregjet globale, pasi efektet mbi shtetasit tanë, mbi jetën dhe sipërmarrjen e tyre janë afatgjata dhe shumë pozitive. Kështu të ardhurat vjetore për frymë popullsie kanë lëvizur nga 651 dollarë në vitin '96 në 2700 dollarë të programuara për vitin 2005, ose 4.2 herë më shumë. Ndërkohë duhet të nënvizoj se inflacioni dhe indeksimi i cmimeve të konsumit është rritur me një ritëm mesatar në 7 vitet e fundit prej vetëm 3% në vit.

Këto rezultate nuk janë rastësi, por produkt i zbatimit me sukses dhe i rishikimit në progresion rritës i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social (SKZHES) të vendit i cili përmbledh dhe prioritizon programet sektoriale, axhendën e integrimit në BE dhe NATO, si dhe programet rajonale të zhvillimit.

Nëse do t'u dorëzoheshim emocioneve apo interesave politike të castit dhe të fokusoheshim në programe afatshkurtra, një orientim i tillë i menaxhimit të financimeve publike në sektorët më produktivë të ekonomisë do të jepte rezultate gjithashtu afatshkurtëra, sigurisht edhe vota për zgjedhjet e rradhës. Kurse ne zgjodhëm një rrugë tjetër, atë të financimit me përparësi të arsimit dhe të shëndetit public, te infrastruktures dhe drites, programeve financiare te integrimit te shtresave ne nevoje. Kjo politikë do vazhdojë me konseguencë edhe në vitin 2005, pasi ka dhënë dhe do japë rezultate edhe më të spikatura në të ardhmen.

Padyshim që së bashku me infrastrukturën dhe mbrojtjen sociale, arsimi dhe shëndetësia nën reforma të thella e të financuara me burime të brendëshme dhe të huaja garantojnë shanse dhe akses që të gjithë të rrisin mirëqenien, kualifikimin, asetet ekonomike apo kulturore dhe të zgjerojnë sipërmarrjet duke konsoliduar këtë qëndrueshmëri zhvillimi për të ardhmen me më shumë aftësi konkuruese dhe kapitale kombëtare.

Projekti që keni përpara për buxhetin e vitit 2005, pavarësisht diskutimeve që shkakton në mënyrë të natyrshme karakterizohet nga arritja e disa niveleve unikale për zhvillimin tonë kombëtar të deritashëm.

Të ardhurat e buxhetit 2005 pritet të arrijnë në 204.7 miliardë lekë, nga 185 miliardë që do të arkëtohen në thesar deri në fund të vitit 2004.

Shpenzimet për 2005 do të arrijnë në 241.7 miliardë lekë nga 226 miliardë lekë që realizohen deri në 31 dhjetor të këtij viti.

Duhet të theksoj para kontribuentëve taksapagues shqiptarë se administrimi i financave publike për vitin 2005 do të përfshijë burime të tjera që lidhen me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve strategjike si ARMO dhe Albtelecom, suksesi i të cilit do të na çojë në një buxhet suplementar si në rastin e shitjes së Bankës së Kursimeve. Pra projektbuxheti që paraqes sot reflekton vazhdimin e politikave të reduktimit të prezencës së shtetit në ekonomi, përmes thellimit të privatizimit të sektorëve stategjikë të ekonomisë apo shitjes së kapitalit shtetëror pjesëmarrës në bankat e nivelit të dytë, si mënyrë për të thithur edhe investime të reja private direkte.

Mbi këta tregues, ushtrimi buxhetor i vitit 2005 që ju kemi paraqitur dhe do miratojmë barazohet me buxhetin e vitit 2004 së bashku me financimet shtesë që siguruam nga shitja spektakolare e Bankës së Kursimeve të Shqipërisë.

Për t'u dhënë përgjigje debateve spekulative mbi strukturën e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit 2005 dua t'ju kujtoj se vetëm nga antarësimi në OBT, nga nënshkrimi i Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë me vendet fqinje e të rajonit dhe politikat zbutëse të taksave për biznesin e vogël e të mesëm, qeveria ka hequr dorë për periudhën 2000 – 2004 nga thithja e 16.5 miliarë lekëve, ose 170 milionë USD. Kjo ka ndodhur njëkohësisht me rritjen e të ardhurave fiskale mesatarisht prej 14-15% ne vit, ose dy herë më shpejt nga ritmi i rritjes mesatare vjetore të PBB plus inflacionin, si tregues i qartë i përmirësimit të administrimit fiskal dhe tkurrjes së ekonomisë informale.

Siç e thashë më sipër, duke respektuar SKZHES, buxheti i vitit 2005 do vazhdojë të financojë me prioritet arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe përkrahjen sociale.

Për arsimin buxheti i vitit 2005 do të arrijë në 24,1 miliardë lekë, nga 23.4 miliardë që parashikohet të shpenzohet deri në fund të vitit 2004. Vetëm fondi i pagave për sistemin arsimor shqiptar universitar dhe paraunivarsitar për vitin 2005 do arrijë në 18,3 miliardë lekë (185 milionë USD), nga 16.9 miliardë që ishin gjatë këtij viti. Pra një shtesë prej 1.4 miliardë lekësh ekuivalente me 14 milionë USD.

Shpenzimet kapitale të arsimit do bëjnë të mundur që gjatë vitit 2005 të ndërtohen në të gjithë vendin 460 klasa të reja dhe të rehabilitohen 1100 të tilla në arsimin bazë. Për arsimin e mesëm të përgjithshëm do ndërtohen edhe 90 klasa të reja dhe do rehabilitohen 577 klasa ekzistuese. Ndërsa në arsimin e mesëm profesional do rehabilitohen 462 klasa gjithsej. Pra në arsimin bazë dhe atë të mesëm do ndërtohen gjithsej 550 klasa të reja, do rikonstruktohen 2140 klasa ekzistuese, të gjitha këto në përfitim të rreth 80 mijë nxënësve.

Në shëndetësi do të shpenzohen gjithsej për vitin 2005 18.1 miliardë lekë, nga 17.3 miliardë që arrijnë shpenzimet gjithsej për vitin 2004 apo 13.3 miliardë në vitin 2003.

Vetëm për zërin "paga" për vitin 2005 do jenë në dispozicion 8.1 miliardë lekë (pra 83 milionë USD), nga 7.2 miliardë që kërkojnë pagat për sivjet apo 6 miliardë që zinin në vitin 2003. Pra rreth 20 milionë USD më shumë në vitin ‘2005 krahasuar me vitin 2003.

Në zërin shpenzime kapitale ose sic thuhet në zhargonin e përditshëm "investime", shëndetësia përfiton për vitin 2005 rreth 3 miliardë lekë, nga 1.9 miliardë që përfitoi në vitin 2003.

Kjo vëmendje e qeverisë ndaj shëndetit publik në buxhetin 2005 përkthehet në ndërtimin dhe rikonstruksionin e 130 ambulancave dhe të 20 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin së bashku me investimet për ndërtimin apo modernizimin e spitaleve të Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, Librazhdit, Gramshit si dhe të QSUT Tiranë.

Dua të nënvizoj se si për sistemin e arsimit, ashtu edhe atë të shëndetësisë, qeveria është duke harmonizuar më mirë financimet që shkojnë për investime me ato për shpërblimin e punonjësve të këtyre sektorëve. Në dy vitet e fundit (2004 – 2005) rritja mesatare e pagave të këta dy sektorë është rreth 12%, ndërkohë kur cmimet për shkak të inflacionit janë rritur vetëm 4%.

Kjo politikë pagash bëhet në një kohë kur për herë të parë në 14 vjet tranzicion, çmimet e artikujve ushqimore dhe të nevojave të tjera të domosdoshme po shfaqin një tendencë rënie, duke u dhënë mundësi buxheteve familjare të shpenzojnë më shumë për arsimim, për sende te tjera dhe aktivitete sociale e kulturore.

Prioriteti i tretë i SKZHES mbetet infrastruktura dhe kryesisht ajo rrugore. Për vitin 2005 janë programuar 12.5 miliardë lekë të cilat do financojnë ndërtimin e 120 km rrugë të reja në 24 objekte. Duhet të raportoj para Kuvendit se gjatë viteve 2002 – 2004 janë vënë në shfrytëzim 230 km rrugë të reja dhe moderne, 150 km rrugë të rikonstruktuara dhe është ndërhyrë në 700 km mirëmbajtje rrugore.

Në vitin 2005 do të fillojë edhe ndërtimi i terminalit të ri të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit me një vlerë investimi prej 80 milionë euro si dhe ndërtimi i portit të ri të Vlorës me një financim të qeverisë italiane prej 13.5 milionë euro.

Lidhur me rolin social të shtetit bëj me dije se pensionet mbeten prioriteti ynë kryesor së bashku me financimin e politikave të punësimit. Për 560 mijë pensionistë për vitin 2005 është programuar dhe pranuar nga qeveria një rritje e të ardhurave të tyre prej 10%, me një efekt prej 930 milionë lekësh. Jemi duke përfunduar llogaritjet për mbylljen e bilancit të pensioneve për vitin 2004, në dobi të të gjithë përfituesve. Në total Ministria e Punës do menaxhojë për vitin 2005 një fond prej 28.5 miliardë lekë (295 milionë dollarë), nga 21.9 miliardë që kishte në vitin 2003, ose 6.6 miliardë lekë (67 milionë USD) më shumë në harkun e dy viteve.

Vetëm shpenzimet sociale për vitin 2005 do të arrijnë në 10.8 miliardë lekë (110 milionë USD) ose 8.7% më shumë se fakti i vitit 2004. Gjithashtu të përndjekurit politikë do përfitojnë gjatë vitit 2005 rreth 260 milionë lekë (2.8 milionë USD).

Natyrisht që gjithë programi financiar synon një reduktim të mëtejshëm të papunësisë e cila parashikohet që për vitin 2005 të zbresë nën 11%, me gjithë fluksin e fuqisë së lirë punëtore që po lëviz nga fshati drejt qytetit për shkak të rritjes së mekanizimit në bujqësi apo për shkak të tendencës së urbanizimit.

Të nderuar kolegë,

Për 110 mijë punonjës të sektorit publik ku përfshihen arsimtarë dhe pedagogë, mjekë e infermierë, policë dhe ushtarakë etj, si dhe 560 mijë pensionistë, 120 mijë familje në nevojë (500 mijë persona) dhe rreth 28 mijë invalidë përfitimet direkte për vitin 2005 nga shtesat që qeveria u bën të ardhurave personale që ata marrin, do të rriten me një mesatare 8%, ose dy herë më shumë se rritja e programuar e inflacionit. Fondet e nevojshme të sipërpërmendura për të kryer këto politika të drejta sociale qeveria nuk po i realizon duke prerë para, as duke toleruar inflacion dhe as duke zhbalancuar buxhetin e shtetit dhe futur financat publike në kolaps, siç bënë opozitarët e sotëm në vitet e fundit të regjimit të tyre aventuresk.

Unë ju garantoj se rritja e pagave dhe investimet publike do të kishin qënë edhe më të mëdha nëse pas 8 vjetësh që pseudodemokratët janë larguar nga pushteti, nuk do të vazhdonim të paguanim ende borxhet që ata na lanë trashëgim. Në vitin '97 gjetëm një deficit prej 13 % të PBB ose në çdo 100 lekë vlerë të re që krijohej, 13 lekë i kishim borxh nga regjimi i z.Berisha. Sot ky borxh ka zbritur në 5% të PBB me tendencën për të arritur në nivelet e vendeve të zonës monetare Euro. Lidhur me borxhin e jashtëm vendi ynë është në nivelin e 27% të PBB, kur vende të tjera si Kroacia apo Bullgaria e Rumania janë në nivelet e 50 – 70% të PBB.

I rendita këto tregues shtesë për të kuptuar të gjithë ata që duan të kuptojnë se projekti i paraqitur për miratim i buxhetit 2005 karakteristikë të parë ka ndershmërinë dhe përgjegjshmërinë para shtetasve dhe para kombit për sot dhe për brezat e ardhshëm. Në një vit elektoral, vetëm një qeveri dhe një maxhorancë e përgjegjshme si kjo e jona, e vendosur të forcojë edhe më tej institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës, nuk toleron për asnjë qindarkë devijimin e zbatimit të SKZHES dhe programeve të tjera të zhvillimit e integrimit të zbatuara në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Është një fatkeqësi që përsëritet ritmikisht cdo vit diskutimi abuziv i projekteve tona financiare nga ana e opozitës së vjetër, e cila tenton t'i paraqesë ata të deformuar, duke bërë sofizma e krahasime pa lidhje. Minimalisht këto sofizma do t'i konsideroja të pandershme, për të mos thënë keqdashëse.

Nuk jam vetëm unë që konstatoj se opozita e sotme në 7 vjet nuk i ka njohur vendit asnjë progres dhe asnjë transformim. Ekonomia nuk ka më asnjë krahasim me atë c'ka pësoi nga piramidat e '96-ës dhe kolapsi i '97-ës.

Qytetet nuk ngjajnë më si fshatra të mëdhenj apo grumbuj kioskash pa leje. Ato me shpejtësi kanë marrë jetë në thelbin, formën dhe ngjyrat e simotrave të tyre evropiane. Autostradat kombëtare dhe sistemet e modernizuara të përcjelljes së energjisë elektrike, parku Rinia dhe Lana në Tiranë, Amfiteatri apo plazhi i Durrësit, bulevardi i Fierit, ujësjellësi i Korcës, lungomare e Vlorës etj, janë realitete që jua sheh syri opozitarëve tanë dhe nuk ua nxë goja, në keto realitete jetojnë dhe punojnë qindra mijëra qytetarë socialistë e demokratë, të krishterë e muhamedanë, burra e gra, të rinj e pleq.

Fermerët në të gjithë vendin po përdorin mekanika te reja, duke paguar karburantin me gjysmën e cmimit dhe po i investojnë fitimet e ligjshme në agroindustri, duke zëvendësuar prodhimet e importit me atë vendas dhe duke dalë pas një asfiksie 15 vjecare me dinjitet dhe kompetivitet në eksport.

Endrra e shqiptarëve për të shfrytëzuar në dobi të mirëqenies individuale dhe zhvillimit kombëtar resurset që Zoti dhe natyra i kanë falur vendit tone, nëpërmjet zhvillimit të turizmit, po bëhet realitet.

Gjatë regjimit të para '97-ës, njerëzit dilnin shëtitje me makinë në 5 kilometrat e vetme rrugë që arritët të ndërtonit, ndërsa sot qindra kilometra rrugë moderne përshkruajnë vendin nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.

Sot 1.2 milion shqiptarë flasin me celular, ndërsa në rregjimin e vjetër iu hoqën telefonat edhe atyre që i kishin, sepse mbizoteronte paaftesia per te shtuar numra e centrale të rinj.

Në kohën tuaj, zotërinj opozitarë, zonat informale etiketoheshin bidonvile apo Ceceni, sepse barraka dërrase dhe plasmase shërbenin për të penguar erën dhe shiun. Në këto 7 vjet më shumë se 200 mijë apartamente dhe shtëpi banimi janë ndërtuar në të gjithë Shqipërinë, duke i dhënë zgjidhje strehimit për rreth 1 milion njerëz, midis tyre edhe të shpërngulurit nga veriu apo jugu drejt metropoleve.

Ju zotërinj opozitarë e njihni fort mirë këtë realitet se fluturoni me avion mbi Bathore sa herë shkoni jashtë për të nxirë vendin tuaj, apo sa herë ktheheni me kërcënimin e radhës në emër të nuk e di se kujt dhe që nuk do të realizohen kurrë. Bathorja dhe të gjitha zonat e tjera informale të Shqipërisë sot ndërtojnë shtëpi dhe vila me tulla e tjegulla, me cimento dhe hekur, ecin në rrugë dhe jo në shtigje balte, vizitohen në ambulanca e qendra shëndetësore, shkojnë në shkolla e Universitete. Natyrisht që ka edhe më mirë, për ata dhe gjithë shqiptarët. Por vetëm tek ne socialistët dhe progresistët kanë shpresat e tyre, pasi kemi dhënë prova që punojmë për ta njelloj.

Zotërinj deputetë,

Sot ekonomia kombëtare dhe sipërmarrësit e saj kreditohen me qindra milion dollarë në vit nga një sistem i fuqishëm bankash private, ndërsa në regjimin tuaj, zotërinj opozitarë, kreditë i morëm shërbëtorët e rregjimit dhe nuk i kthyen më kurrë, duke shkaktuar një dëm të disafishtë.

Informaliteti në ekonomi vetëm për 30 muajt e fundit është përgjysmuar, ndërsa paraja dhe transaksionet bankare po shtohen me shpejtësi.

Ju nuk mund të prodhonit këtë lloj progresi sepse e kishit mendjen të godisnit në protesta liderët e opozitës së atëherëshme, apo më keq t'i burgosnit të gjithë ata që nuk pranonin të shtypeshin.

Ka ikur koha kur zyrtarë të lartë të perëndimit liheshin pas dyerve të shtetit apo minoritarë burgoseshin në emër të patriotizmit folklorik.

Sot shtetasit shqiptarë, pavarësisht nga kombësia apo gjendja sociale, protestojnë paqësisht, apo qoftë edhe më shumë se kaq, njëlloj si të ngjashmit e tyre në botën moderne, sepse nuk kanë përballë agresivitetin dhe dhunën e nje regjimi te vjeter represiv.

Vërejtjet dhe sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë në kohën e Berishës digjeshin në furrat e presidencës, ndërsa sot janë instrumenta transparente pune dhe reflektimi publik.

Vetëm pas vitit '97 shqiptarët kuptuan se shijen e vërtetë të lirisë dhe sipërmarrjes ua kishin privuar për 55 vjet regjimi komunist i Hoxhës dhe regjimi antidemokratik i z.Berisha.

Z.Berisha dhe ca më të vegjël se ai në opozitë, përvec qëndrimeve të paralajmëruara për buxhetin 2005, i bashkon edhe ëndrra për të cuar Shqipërinë në skenarë të ish republikave sovjetike të Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

Para dy netësh u përshëndeta në Tiranë me këngëtaren ukrainase që fitoi festivalin e fundit evropian. Besoj se kam edhe autorizimin e saj për të ftuar zotërinjtë ulëritës të kërcejnë në ritmin evropian të botës reale dhe të braktisin ëndrrat me skenarë që nuk mbërrijnë kurre në Shqipëri.

Të nderuar kolegë deputet,

Unë ju siguroj se ky projekt buxhet është një provë e faktit se asnjë shmangie nuk ka ndodhur në prioritetet e integrimit, rritjes së qëndrueshme ekonomike, mbrojtjes sociale dhe luftës kundër varfërisë, për të cilat është votuar dhe prandaj mbështetet nga shumica e shqiptarëve Qeveria që unë drejtoj. Përkundrazi, janë shtuar prioritetet që gjithashtu duhen financuar. Dokumenti i Partneritetit me BE nuk është një radhë ligjesh që thjesht dhe vetëm duhen miratuar dhe lënë në letër. Për t'u integruar në BE duhen reforma të cilat kanë edhe kosto, pra jo vetëm kosto sociale dhe politike, por edhe që duhen financuar.

Kësaj maxhorance i ra barra për të nisur apo plotësuar edhe korrigjimin e disa padrejtësive historike për kategori sociale siç janë të përndjekurit politikë apo ish pronarët. Këtë mision me të vërtetë historik që do të përfundonte ciklin e pajtimit dhe integrimit kombëtar dhe që do të garantonte një treg përfundimisht të standarteve, pra edhe një rritje të shpejtë të investimeve, qeveria dhe maxhoranca jonë kanë vendosur ta përballojnë edhe duke financuar kostot e nevojshme për garantimin e ekuilibreve të së ardhmes.

Integrim në BE do të thotë zhdukje të industrisë kriminale të skafeve dhe ne e bëmë këtë detyrë më së miri. Tashmë jemi investuar dhe po e fitojmë cdo ditë e më mirë betejën me drogën dhe trafikantët e saj pavarësisht kostove që opozitarët tanë mundohen të na i faturojnë si përfitime që u mungojnë atyre dhe jo financave publike.

Integrim në botën moderne dhe në komunitetin euroatlentik do të thotë zbatim dhe ngritje të standarteve të të drejtave të njeriut. Kjo do të thotë sërish kosto sepse vetëm për të garantuar të drejtat e të burgosurve këtë vit u shpenzuan nga buxheti dhe financimet e partnerëve rreth 7 milionë dollarë, ndërsa per vitin 2005 kemi programuar dyfishin.

Financimi i prioriteteve të reja, sic përmenda më sipër, nuk ka sjelle asnjë shmangie nga prioritetet e stabilizuara në SKZHES, por është arritur me një rishpërndarje më të drejtë të resurseve publike dhe të financimeve buxhetore.

Ajo që më tepër ka rëndësi në kuptimin dhe diskutimin e politikave ekonomike, e ritheksoj, eshte se është PBB që po i drejtohet nivelit të 10 miliardë dollarëve për vitin 2006, në një buxhet që kalon nivelin e 2 miliardë dollarëve si në të ardhura edhe në shpenzime që në vitin 2005, një ekonomi ku pesha specifike e bujqësisë po bie për shkak se po rriten më shpejt degët e tjera si industria, ndërtimi, transporti etj dhe kjo na sjellqe ne vittin 2005 ballancat makroekonomike dhe stimujt per zhvillim te qendrueshem, te jene te konsoliduar. Mbi të gjitha, për vitin 2005 pritet që kredia e re për ekonominë dhënë nga sistemi bankar tashmë krejtësisht privat, të arrijë në 68.7 miliardë lekë (694 milionë dollarë) ose 31.4% më shumë se në vitin 2003. Ulja e interesave për depozitat në nivelin minimal historik prej 5.5% në gjithë sistemin bankar, nga njëra anë është garanci për një rritje të qëndrueshme, nga ana tjetër po nxit që kursimet individuale të kalojnë direkt në investime.

Duke përfunduar më lejoni t'ju garantoj se projekt buxheti i vitit 2005 përmbush të gjitha objektivat kombëtare të zhvillimit, rritjes ekonomike dhe reduktimit të varfërisë, rrit aksesin e sipërmarrjes vendase e të huaj në infrastrukturat fizike, të tregut, ato bankare e financiare të vendit, konsolidon aftësitë konkuruese të ekonomisë shqiptare në tregjet e rajonit dhe ato globale, garanton paqe sociale dhe bashkëveprim harmonik të faktorëve të progresit dhe aktoreve te interesit, përshpejton ritmet e reformave transformuese të vendit që sjellin hapa të tjera të rëndësishme në procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë.

Cdo buxhet tjetër do kishte qenë demagogji e pastër elektorale, në dëm të interesave të shtetasve, të sipërmarrjes, ekuilibreve të sistemit financiar e bankar, të perspektivës së integrimit kombëtar në botën moderne.

Duke përfunduar, në emër të Qeverisë ju garantoj se ne kemi gjithë vëmendjen dhe disponibilitetin e duhur për të bërë së bashku me ju, deputetët dhe Komisionet e Kuvendit përmirësime të mëtejshme, që vijnë në përputhje me SKZHES, me Buxhetin Afatmesëm dhe me strategjitë e degëve.

Duke shprehur bindjen se kemi paraqitur programin financiar më të mirë të mundshëm në interes të shtetasve që të gjithë ju përfaqësoni, ju ftoj ta votojmë Buxhetin 2005 për t'u dhënë mundësi të gjithë individëve dhe subjekteve që përfitojnë prej tij t'i kalojnë sa më gëzuar festat e Fundvitit 2004 dhe më tej, ta kalojmë gëzuar gjithë vitin 2005 me gezim akoma me te madh.

Ju faleminderit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›