I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, Të nderuar zotërinj deputetë, Vij sot para jush në këtë interpelancë për t'iu përgjigjur pyetjeve të bëra nga deputetja e Partisë Demokratike, zonj
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar zotërinj deputetë,
Vij sot para jush në këtë interpelancë për t'iu përgjigjur pyetjeve të bëra nga deputetja e Partisë Demokratike, zonja Marjeta Zaçe dhe nga deputeti i Partisë Demokratike të Reformuar, zoti Nard Ndoka.
Po e filloj me këtë të fundit. Zoti Nard Ndoka më ka drejtuar dy pyetje që lidhen me të njëjtën çështje dhe pikerisht me takimin tim të paradokohshëm me zotin Nikolas Geixh, shkrimtar dhe gazetar i njohur, i njohur edhe si aktivist i lobit grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pyetja e parë: 1- Pse e keni konsideruar të nevojshme pritjen e këtij personi, a e keni kundërshtuar ju pikëpamjen që ai shprehu se "Epiri i Veriut" duhet të ketë të njëjtin status me Kosovën?
Përgjigje:
Në detyrën time si Kryeministër i Shqipërisë, natyrisht dhe me pergjegjsine si Kryetar i maxhorancës politike qeverisëse të vendit, por edhe si politikan e qytetar kam qënë dhe mbetem për një politikë të hapur dhe integruese që është e kundërta e politikës izolacioniste te cilen ne e kemi vuajtur bashkerisht ne te kaluaren. Zoti Ndoka duhet ta dijë se koha e bunkerizimit të politikës dhe marrëdhënieve të njëkahëshme e ideologjike ka mbaruar një herë e përgjithmonë edhe në vendin tonë. Edhe politika e dyerve të mbyllura ka marë fund një herë e përgjithmonë për Shqipërinë. Jetojmë çdo ditë e më shumë në një realitet global, në një realitet ku nuk ka më "armiq", por perfaqesues pikepamjesh dhe interesash te ndryshme ose te kunderta .
Për shkak të detyrës jam i informuar në detaje për të gjitha qëndrimet e zotit Geixh, qofshin këto publike ose jo, dhe besoj se besoj se edhe ju jeni gjithashtu në dije në masë të mjaftueshme në lidhje me qëndrimin tim jo vetëm në këtë takim, por në të gjithë veprimtarine e pasqyruar ne axhendën time ndërkombëtare, qëndrime të cilat, gjithsesi mbeten shume larg arkeo-politikes dhe nacionalizmit folklorik të disa prej pararendësve, konkurrenteve, apo kundershtareve te mij politike. Në të gjitha qëndrimet e mia të bëra rregullisht publike me transparence e duhur jam udhëhequr nga zbatimi i një politike të hapur e bashkëkohore sipas së cilit kontaktet dhe debati për gjithçka dhe pa asnjë tabu janë të domosdoshëm dhe frytdhënës. Nga mungesa e takimeve te tilla nderkombetare ne te kaluaren, talente dhe mjeshter te shquar kombetare ne fusha te ndryshme, nuk kane mundur te shpallen formalisht kampione te Europes apo botes mbare. Nga takime të tilla askush nuk ka keq, aq me shume kur ato jane te hapura dhe per partneret e medhenj euroamerikane te Shqiperise, edhe per publikun dhe politiken shqiptare.
Pyetja e dytë: A kanë ndryshuar gjë faktet e paraqitura më parë se z.Geixh ka përkrahur aktet terroriste të MAVI-t, që kanë marrë jetën e ushtarakëve shqiptarë? Cili është komenti i Kryeministrit per reagimet e indinjuara te komunitetit shqiptaro-amerikan?
Përgjigje: Për të qënë i sinqertë pjesën e parë të pyetjes e kuptoj disi turbullt, ndërsa për pjesën e dytë mund të them se jam në dijeni të reagimit të një pjese të këtij komuniteti të rëndësishëm shqiptar dhe të vlerësuar që banon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Une vleresoj se ky qëndrim është shprehje e ndjeshmërisë së tyre patriotike, qëndrim të cilin unë e mirëkuptoj, pa çka se nga Amerika, që është kampion dhe model i demokracisë dhe i shoqërisë së hapur e diverse na vjen çdo ditë një mesazh tjetër: ai i bashkëpunimit dhe partneritetit me botën moderne, ai i dialogut dhe i mbrojtjes në mënyrë të qytetëruar dhe moderne të pikëpamjes sone dominuese per integrimin euroatlantik te vendit, dhe jo ai i mbylljes apo i izolimit. Nuk dua ta besoj që këtë pjesë të komunitetit shqiptaro-amerikan e ka marrë malli për të rikthyer mbylljen tragjike të 50 vjetëve të fundit të Shqipërisë. Shfrytëzoj këtë rast që t'i dërgoj dhe ketyre bashkeatdhetareve te shquar te organizuar ne komunitetin shqiptaro-amerikan, nga kjo tribunë që është tribuna më e lartë e demokracisë shqiptare, me cilesine e Kryeministrit, ftesën e Kryeministrit te Shqipërisë që të vijne me shpesh dhe të kontribuojne dhe te investojne në atdhe dhe per integrimin global te atdheut. Kjo do të ishte ndihma më e madhe që ata do t'i jepnin Shqiperise, Shqiperise Europiane me patriotizmin që i karakterizon. Përveç të tjerash, ata do të na afronin akoma më shumë dhe më shpejt edhe me konceptet e një shoqërie të hapur e demokratike, siç është ajo amerikane.
Per te qene formalisht korrekt me Ju, përsa i përket pjesës së parë të pyetjes, nëse e kam kuptuar saktë, do të thosha se koha e mentalitetit komunist kur dy persona që ulen e diskutojnë me njëri-tjetrin duhet të ndahen me të njëjtin mendim, ka perënduar. Unë nuk mbaj përgjegjësi për pikëpamjet e zotit Geixh, sikundër ai nuk mban për të miat. Përsëris se jetojmë në një realitet global, të hapur dhe divers. Pikësynimi dhe i gjithë angazhimi ynë është konkret dhe i qartë: ne po e përshpejtojmë procesin integrues, dhe te perafrimit dhe standartizimit të legjislacionit, të ekonomisë, politikës, por edhe të mentalitetit vendas për ta bërë sa me pare Shqipërinë pjesë e realitetit euroatlantik. Dhe ky realitet global ekziston pavarësisht dëshirës, preferencave dhe përzgjedhjes se kujtdo. Kryeministri dhe Kryetari i maxhorances aktuale qeverisese ne Shqiperi, eshte mbrojtes i patundur i filozofise politike te kohes, sipas parimit "Te mendojme ne menyre globale, te veprojme ne kushte lokale!".
Ndërsa pjesa e dytë e interpelancës është në lidhje me pyetjet e bëra nga deputetja e Partisë Demokratike, zonja Marjeta Zaçe dhe lidhet me orarin e ri të punës:
Në krye desha të sqaroj se orari zyrtar i punës, në zbatim të Statusit të Nëpunësit Civil dhe të Kodit të Punës, është përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.511, datë 24.10.2002 dhe jo me Urdhër të Kryeministrit.
Sqaroj se ky vendim respekton të drejtat e punonjësve për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit. Në bazë të Kodit të Punës, citoj " Kohëzgjatja ditore e punës është tetë orë në ditë; por kjo mund të jetë më e madhe ose më e vogël, vetëm brenda limiteve të kohes javore maksimale të punës."
Pyetja e Parë: A mendoni se ka ardhur koha që ta ndryshoni këtë vendim?
Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë së bashku të ndryshojmë dhe te kontribuojme per ndryshimin e mentalitetit tradicional për punën dhe për kontratën e punonjësit. Vendi ynë është i angazhuar në reforma transformuese me ritem te larte, që prekin të gjithë sektorët jetikë të vendit dhe te administrates civile. Ritmet e domosdoshme për arritjen e standarteve që kërkohen në kuadrin e marrëveshjes së asocimit në Bashkimin Europian, nuk mund të mos përfshijnë edhe ndryshimin e mentalitetit mbi punën, orarin e punës dhe efektivitetin e perdorimit te saj. Në këtë kuadër, edhe orari i punës në administratën shqiptare sipas vleresimit te Qeverise duhet t'u përgjigjet këtyre standarteve.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për orarin zyrtar të punës tashme ka rregulluar ne menyre standarte dhe pa probleme me kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit të punonjësve në institucionet shtetërore duke ardhur edhe më pranë mbrojtjes shoqërore të tyre. Ky vendim parashikon në mënyrë të pershkallëzuar edhe pushimet e tjera të paguara për të punësuarit, duke rritur në këtë mënyrë karakterin social të shtetit dhe duke shmangur abuzimet e mundëshme.
Ky vendim është mbështetur edhe me masa organizative, të cilat mundësojnë zbatimin, në kushtet kur ende nuk janë krijuar të gjitha lehtesite që ekzistojnë në vendet e përparuara. Keshtu eshte përshtatur orari i çerdheve dhe kopshteve, duke zgjidhur një shqetësim real të nënave me fëmijë të mitur. Ne jemi të gatshëm që në këtë funksion të përshtatim me fleksibilitetin e nevojshëm edhe shërbime të tjera.
Pyetja e Dytë: A mendoni që ky orar ka ndikuar keq në rendimentin e punës së administratës ?
Përkundrazi, orari ekzistues ka ndikuar në rritjen e rendimentit të administratës shtetërore. Shtrirja e orarit deri në orën 18.00 krijon mundësinë e njohjes dhe të zgjidhjes më mirë të problemeve të ditës se punes jo vetem per administraten. Njëkohësisht, ky orar mundëson përafrimin e orarit të punës së drejtuesve të të gjitha niveleve me administratën teknike vendase dhe te huaj, dhe me sektorin privat të sipërmarrjes qe eshte aleat në punën tonë të përditëshme, me Institucionet Financiare Nderkombetare me zyra ne Tirane, si edhe me strukturat apo zyrat e specializuara perfaqsuese te Bashkimit Europian me te cilin ka nisur te intensifikohet procesi i bashkeveprimit, konsultimit me hapjen ne prag te negociatave per Marreveshjen e Stabilizim -Asocimit. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të administratës si dhe në rritjen e volumit të shërbimeve qe ajo ofron ndaj shtetasve.
Nga ana tjetër unë e di se infrastruktura jonë e shërbimit sikundër mund të jenë shërbimet e drekës me çmime të arsyëshme dhe të përballueshme apo shërbimet e transportit publik gjithashtu, lënë ende shume për të dëshiruar. Megjithatë, unë vleresoj se orari në fjalë po shërben edhe si një mjet presioni pozitiv që këto shërbime të zgjerohen dhe të sillen në standartet te kohes, sikundër po bëhet një presion pozitiv edhe për rritjen e mëtejshme të pagave të punonjësve te sherbimit civil.
Faleminderit per vemendjen !