E Diel, 1 Nëntor 2026

I nderuar zoti kryetar, Të nderuar deputetë, Jam këtu me kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokrate dhe deputetëve Fatbardha Shabanaj e Nikollë Lesi, të cilët kanë kërkuar

I nderuar zoti kryetar,

Të nderuar deputetë,

Jam këtu me kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokrate dhe deputetëve Fatbardha Shabanaj e Nikollë Lesi, të cilët kanë kërkuar shpjegime për ecurinë e procesit të transparencës me skemat piramidale, ecurinë e përdorimit të kredisë greke për ndërtimin e banesave për familjet që i kanë humbur ato në skenat piramidale dhe për vëmendjen që qeveria shqiptare i kushton zhvillimit të zonës së Veriut.

Besoj se shqetësimi i deputetëve që kërkuan këtë interpelancë është në të njëtjtën kohë dhe një prej preokupimeve tuaja, dhe për këtë po jap këto shpjegime.

Pyetja e parë:

Cila është ecuria e deritanishme e procesit të transparencës së firmave piramidale dhe kur do të mbarojë ky proces?

Kontrolli financiar i personave juridikë, jobankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë është i rregulluar me një ligj bazë të 9 majit 1997, i amenduar në 30 korrik të të njëjtit vit, sipas të cilit shoqëritë tregtare që kanë marrë hua nga publiku i gjerë fillimisht i nënshtrohen administrimit prej shoqërive vendase apo të huaja, dhe më pas, kontrollit të tyre. Procesi i kontrollit dhe administrimit të tyre u krye nga kompani dhe shoqëri ndërkombëtare, shpenzimet e të cilave u mbuluan prej donatorëve me fondet grant të tyre. Në fund të punës së tyre iu dorëzuan qeverisë shqiptare raportet me konkluzione për cdo shoqëri huamarrëse për gjendjen financiare, asetet në administrim dhe mundësitë që ato siguronin për kompensim maksimal të mundshëm të kreditorëve.

Dua të theksoj se i gjithë ky process është shoqëruar me transparencë maksimale për publikun nga ana e qeverisë shqiptare.

Për ecurinë sa më normale të këtij procesi është miratuar në vijimësi dhe një paketë ligjesh që do të mundësonte maksimizimin e vlerave financiare për kreditorët, si dhe janë miratuar rreth 80 akte normative të vecanta të Këshillit të Ministrave për problematika të ndryshme të lidhura me procesin e transaparencës dhe kthimit të parave të kreditorëve.

Konkluzioni i tërhequr dhe tashmë i konfirmuar edhe nga drejtësia shqiptare për një numër shoqërish huamarrëse është se ato kanë zhvilluar një aktivitet dhe veprimtari të mbështetur nw biznese të pandershme.

Është e nevojshme që gjithashtu, të zhvillohen dhe thellohen hetimet mbi veprimtarinë ndaj rrethit të personave të tretë që kanë përfituar vlera të konsiderueshme financiare, apo kanë marrë pjesë direkt e indirekt në kryerjen e veprimtarive joligjore të transaksioneve financiare, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar deputetë,

Strategjia e punës së ndjekur për kryerjen e transaparencës së plotë dhe kthimin në maksimumin e mundshëm të vlerave financiare për kreditorët është konceptuar në dy faza:

· Marrja nën kontroll dhe administrimi i të gjithë aseteve si edhe ndjekja e bizneseve në operim, të cilat gjeneronin vlera financiare për kreditorët.

· Heqja dhe largimi nga drejtimi i veprimtarisë së shoqërive i ish- administratorëve, denoncimi dhe fillimi i procedurave hetimore dhe penale ndaj tyre dhe fillimi i procesit të likujdimit dhe shitjes të sa më shumë prej aseteve për grumbullimin e vlerave financiare për kreditorët e shpërndarjen e tyre.

Aktualisht, po punohet për shpërbërjen e plotë të skemave piramidale dhe shpërndarjen e parave dhe kompesimin e kreditorëve. Për periudhën e viteve 2000 – 2001 është filluar procesi i rikompesimeve pjesore të kreditorëve nga shtatë shoqëri huamarrëse në administrim. Ndërsa në periudhën në vazhdim, maj – qershor 2002, në përfundim të shitjes së aseteve, do të fillojë procesi i rikompensimeve për pesë shoqëri të tjera huamarrëse.

Për një shpjegim më të hollësishëm për këtë problem i kam kërkuar kryetarit të Grupit të Mbikqyrjes të më raportojë për gjithë procesin e transparencës së skemave piramidale, raport të cilin ju e keni të plotë në dispozicionin tuaj.

Pyetja e dytë:

Përse nuk i publikoni emrat e 182 politikanëve, sic thuhet, që janë përzier në problemin e përfitimit nga firmat piramidale të viteve 1994- 1997?

Evidentimi dhe publikimi i listës së personave që kanë tërhequr kapitale nga skemat rentiere pas datës 23 janar 1997 për shuma të konvertuara në vlerën mbi 10 mijë $, është detyrë që ligji ia kërkon administratorëve të shoqërive huamarrëse. Në përputhje me ligjin, administratorët e shoqërive huamarrëse kanë vendime për personat debitorë dhe shumat përkatëse që ata detyrohen të kthejnë, vendime të cilat përbëjnë, sipas ligjit tituj ekzekutivë.

Konkretisht janë shpallur debitorë 2658 persona, me një vlerë financiare që duhet të kthehet prej 13 984 230 000 lekë ose afërsisht rreth 100 milion $.

Në listat e publikuara të personave debitorë, ku bëjnë pjesë dhe parti politike, shoqata, por edhe persona të lidhur me politikën, janë përcaktuar dhe vlerat financiare që duhet të kthehen. Përjashtim bën vetëm shoqëria " Gjallica", dokumentacioni i së cilës është me mjaft mangësi.

Emrat e personave të lidhur me shoqëritë huamarrëse janë publikuar në vijimësi dhe në mënyrë transparente në mjetet e masmedias, si dhe në një botim të posacëm të Fletores Zyrtare, me nr. 8 të vitit 1999.

Pyetja e tretë:

A do të realizohet kredia greke që do të livrohej për ndërtimin e banesave të familjeve që i kanë humbur ato në firmat piramidale? Në të kundërt, cili do të jetë fati i këtyre familjeve?

Ndihma financiare e akorduar nga qeveria greke është 20 miliardë dhrahmi, nga të cilat 2 miliardë dhrahmi ndihmë në formë granti për mbështetje të menjëhershme buxhetore dhe 18 miliardë dhrahmi kredi me kushte lehtësuese. Në këtë të fundit përfshihet edhe shuma prej 5 miliardë dhrahmish për programin e strehimit.

Sipas këtij programi do të sistemoheshin një pjesë e familjeve që humbën paratë e tyre në skemat piramidale. Dhjetw pwr qind e kësaj shume, ose 500 milion dhrahmi , është parashikuar të përdoret për blerje të banesave ekzistuese në rrethet e vogla, cmimi i të cilave është përgjithësisht më i vogël se kostoja e ndërtimit. Diferenca do të përdoret për ndërtimin e banesave të reja, kryesisht në rrethet e mëdha, ku është më e frytshme të ndërtohen banesa të reja, në krahasim me blerje të banesave ekzistuese.

Realizimi i këtij programi është i lidhur edhe me marrjen e masave të tjera, si sigurimi i shesheve dhe lejeve të ndërtimit, sigurimi i projekteve, studimeve urbanistike, përpilimi i listave të familjeve që përfitojnë, e të tjerë. Këto masa janë përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të tetorit të vitit 1998.

Gjatë vitit 2001, është disbursuar fondi prej 500 milion dhrahmish për blerjen e banesave në tregun e lirë. Me këtë problem po merren Banka e Kursimeve dhe Enti Kombëtar i Banesave, të cilat kanë përcaktuar banesat që do të blihen dhe do të përfundojnë modalitetet teknike të vlerësimit të gjendjes financiare të personave që përfitojnë, të përfundimit të kontratave për katëse të kredisë dhe të pagesave për pronarët e banesave.

Vazhdimi i procedurave për disbursimin e transheve të tjera, për ndërtimin e apartamenteve të reja, janë të lidhura me plotësimin e kushteve për sigurimin e shesheve të ndërtimit, projekteve, listës së familjeve që do të strehohen, e të tjerë.

Në rrethet ku mendohet ndërtimi i banesave të reja, në Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër, etj, është përfunduar miratimi i shesheve të ndërtimit, projektet teknike e janë siguruar lejet e ndërtimit. Pritet të përgatiten dokumentat e prokurimit. Kjo procedurë është në përfundim e sipër edhe në Vlorë.

Është përgatitur kërkesa zyrtare për qeverinë greke, që mbi bazën e kushteve dhe kritereve të marrëveshjes, të mblidhen strukturat përkatëse për të dhënë miratimin për vazhdimin e implementimit të programit.

Pyetja e katërt:

Përse interesi qeveritar për zonën e Veriut ka rënë nga qeverisja që Ju kryesoni?

Kjo është një pyetje, për të cilën fillimisht pata dilemën, nëse duhet të përgjigjesha thjesht me një fjali të vetme , " jo, interesi i qeverisë shqiptare për zonen e Veriut nuk ka rënë aspak" apo të shprehja rritjen e interesit të qeverisë me gjuhën e shifrave. Por, duke respektuar shqetësimin e deputetit Lesi, i cili natyrisht e njeh dinamikën e shifrave të investimeve, vendosa të theksoj se qeveria shqiptare, interesin e saj për Veriun e konsideron të barazvlefshëm me atë për pjesën tjetër të vendit. Se qeveria shqiptare e konsideron të huaj dhe të papranueshme cdo ndarje, qoftë dhe empirike të tij në sintagmat Jug apo Veri dhe se konsideron se interesi ndaj Veriut është jo vetëm politik, ekonomik, social e gjeostrategjik, por dhe një kthim vëmendjeje mbas politikave të pasakta të ndjekura përgjithësisht ndaj tij në një të shkuar jo aq të largët.

Zhvillimi ekonomik i vendit deri në një dekadë më parë ishte i mbështetur në resurset natyrore të Veriut të vendit, prej nga sigurohej energjia elektrike, ku ndodheshin minierat më të rëndësishme të vendit, etj.

Por, pavarësisht kësaj, niveli i jetesës së popullsisë së kësaj zone, edhe nën standartizmin komunist, kishte diferencë të ndjeshme me pjesën tjetër të vendit. Qeveria shqiptare synon uljen e kësaj diference, e cila sot shkaktohet edhe nga një kompleks faktorësh të tjerë të natyrave të ndryshme, duke tentuar hartimin e politikave rajonale të zhvillimit, gjë që përbën edhe një nga detyrat themelore të Ministrisë së Ekonomisë.

Qeveria është e angazhuar që në harmoni me strategjinë kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe reduktimit të varfërisë, të bëjë evidentimin e nivelit të zhvillimit dhe problemeve për cdo rajon të vendit duke rekomanduar mbështetje të posacme me politika të diferencuara për zona të ndryshm e përfshi këtu edhe Jugun

Decentralizimi i pushtetit lokal dhe rikompozimi i marrëdhënieve të reja të partneritetit të tij me pushtetin qëndror është një proces që shpresojmë të japë më shumë vlerat në njohjen, identifikimin dhe menazhimin e burimeve të zonës përkatesë. Buxheti i ketij viti ka shënuar hapin vendimtar për transferimin ligjor të të gjithë kompentencave dhe fondeve përkatëse që pushteti lokal, cka bën më të prekshëm edhe transferimin e përgjegjësive te pushteti local për menaxhimin e tyre.

Përtej këtij shpjegimi dua të nënvizoj së në Veri të vendit janë orientuar fonde të konsiderueshme në lidhjen e tij me telefoninë fikse. Të gjitha qëndrat kryesore të Veriut, tashmë janë të përfshira në rrjetin kombëtar me prefiks.

Në rehabilitimin e rrjetit rrugor apo edhe në projektet për

ndërtimin e rrugëve të reja, janëorientuar gjithashtu fonde tw konsiderueshme. Ndërtimi i rrugës Durrës – Kukës – Morinë është një projekt që do t'i jepte frymëmarrje të gjithë Veriut të vendit, do t'a afronte atë me me tregun tepër atraktiv të Kosovës dhe do të jetë një arter i rëndësishëm për gjallërimin e jetës ekonomike në të gjithë zonën ku ai pritet të kalojë.

Si Kryeministër, unë dëshiroj t' ju ftoj edhe juve, z. Lesi , të bëheni pjesë e lobit politik dhe ekonomik, që mbështet idenë e ndërtimit të këtij segmenti.

Në Tropojë vazhdon puna për zbatimin e projektit në segmentin rrugor Mejdan – Morinë, ku pjesa më e madhe e fondit tashmë është siguruar.

Po kështu, janë në proces punimet për zgjerimin e portit të Shëngjinit.

KESH ka ndërmarrë disa operacione rehabilitimi ttë hidrocentraleve dhe të nënstacioneve elektrikë, si në Fierzë, Shkopet, Vau i Dejës, Ulëz, nënstacioni elektrik i Shkodrës, fuqizimi i rrjetit shpërndarës në këtë qytet, fuqizimi i nënstacionit në Peshkopi, etj.

Për këtë vit, nëpërmjet FSHZH, por edhe hapësirave të tjera për financim, synohet që zona e Veriut të ketë prioritetin e projekteve të zbatimit në infrastrukturë e objekte social – kulturore. Ne presim që cdo njësi e pushtetit vendor të ketë të paktën një projekt në zbatim për vitin 2002.

Natyrisht, që interesi për zonën e Veriut është vështirë të konkretizohet vetëm me shifra të karakterit ekonomik, sepse për përmirësimin e jetesës së banorëve të kësaj ndikojnë një kompleks masash të natyrave të ndryshme.

Ky interes nuk ka si të jetë individual dhe as mund të rrudhet apo rritet për shkak të humorit e vendimeve personale të Kryeministrit. Ai ka gjetur reflektim në gjithë programin e qeverisë të votuar në Kuvend, zbatimi korrekt i të cilit do të ishte dhe shprehja më e mirë e interesit të qeverisë për këtë zonë të vendit.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›